SYRI TV/ Komisioni i Prokurimit Publik kërkon hetim të kompanisë së inceneratorit të Elbasanit

09:57, 01/09/2023
A+ Aa A-

Sikur të mos mjaftonin miliona euro të shpenzuara deri më tani, kompania me aksione shtetërore ECO-ELB, që administron inceneratorin e Elbasanit, duke se po vijon abuzimet me paratë publike. Komisioni i Prokurimit Publik kërkon hetim të kësaj kompanie, pasi dyshohet se ka abuzuar me procedurat në një tender me vlerë 60 mijë euro. Dyshohet se ECO-ELB, ka vendosur kritere përjashtuese, duke prishur konkurrencën në dëm të operatorëve të tjerë që ofruan oferta ekonomike më të ulëta se fituesi për këtë tender.

Nga SYRI TV

Komisioni i Prokurimit Publik kërkon hetim të kompanisë së inceneratorit të Elbasanit, ECO-ELB sha, të cilës i ka anuluar një tender. Tenderi me vlerë 6 milionë lekë të reja, është anuluar, pasi Komisioni Prokurimit Publik ka konstatuar se ECO-ELB ka shkelur barazinë në tendera duke kufizuar garën.

Konkretisht, bëhet fjalë për tenderin me objekt: Monitorim i Parametrave Mjedisore dhe hartimi i raporteve mjedisore në landfillin dhe impiantin e mbetjeve urbane në Elbasan. Tenderi i zhvilluar në 12 maj të këtij viti, u nda në dy lote, ku kompanitë pjesëmarrëse në garë ofruan oferta ekonomike të ndryshme për monitorimin e parametrave mjedisorë në landfill dhe në Impiantin e përpunimit të mbetjeve. Në të dy lotet e tenderave, dy nga kompanitë pjesëmarrëse kanë ankimuar procedurën e zhvilluar duke akuzuar kompaninë ECO-ELB  për shkelje të barazisë në tendera.

Pas hetimit të thelluar, në të dy lotet e tenderit, Komisioni i Prokurimit Publik ka gjetur shkelje të rënda nga ECO-ELB, ku konstatohet se në një nga rastet, kriteteret e vendosura nga kjo kompani për pjesëmarrësit në tender, janë përjashtues dhe krijojnë konfuzion.

“Referuar sa më sipër, KPK vëren, se kriteri i vendosur nga ana e autoritetit kontaktor, është kriter përjashtues, krijon konfuzion për operatorët ekonomikë të interesuar pjesëmarrës në këtë procedurë prokurimi. Kriteret duhet të jenë të qarta dhe të sakta në përputhje me legjislacionin në fuqi, me qëllim kryerjen e një vlerësimi të drejtë dhe jodiskriminues, duke mos penguar pjesëmarrjen në një procedurë prokurimi.”

Gjithashtu, edhe në lotin tjetër të hetuar nga Komisioni i Prokurimit Publik, vërehen shkelje të rënda nga ana e ECO-ELB sha, që adminsitron inceneratorin e Elbasanit. Konkretisht, një nga kriteret e vendosura nga ECO-ELB për operatorët ekonomikë, ishte pasja e një laboratori të akredituar për matjen e parametrave të ndryshme të përbërësve të mbetjeve urbane si letra kartoni etj. Ky kriter, sipas Komisionit të Prokurimit Publik, është përtej asaj që është e nevojshme për të arritur synimin e kontratës, duke konstatuar se:

“Në këtë kuptim, KPK gjykon se autoriteti kontraktor në vendosjen e kriterit objekt-ankimi, ka kufizuar numrin e pjesëmarrësve, duke ulur konkurrencën dhe duke sjellë pabarazi në rrethin e ofertuesve të interesuar për këtë procedurë prokurimi.”

Pas hetimit, në të dy rastet, Komisioni i Prokurimit Publik ka kërkuar anulimin e tenderit të zhvilluar nga kompania e inceneratorit të Elbasanit, ECO-ELB.

Gjithashtu, KPK i ka kërkuar Agjencisë së Prokurimit Publik të nisë hetimet ndaj ECO-ELB sha, e cila veç shkeljeve të raportuara më sipër, kishte lidhur kontratë në me fituesin e tenderit kundërshtim me ligjin, në një kohë që ky tender ishte ankimuar nga operatorët e skualifikuar nga gara.

ECO-ELB adminsitron dhe menaxhon inceneratorin e Elbasanit prej dy vjetësh, ku cdo muaj kjo kompani vjelë qindra mijëra euro nga shtatë bashkitë e këtij qarku, të cilat depozitojnë mbetjet në incenrator.

Bashkitë, të cilat janë aksionere të inceneratorit, kanë paguar rreth 1.7 milionë euro për ECO-ELB gjatë dy viteve të fundit.

© SYRI.net

Lexo edhe:

Komentet

Shto koment

Denonco