Shqiptarët kërkojnë nga qeveria: punë, siguri dhe infrastrukturë rrugore

Shqiptarët kërkojnë nga qeveria: punë, siguri dhe infrastrukturë rrugore

07:12, 01/09/2023
A+ Aa A-

Mundësitë më të mira për punësim janë fusha ku duhet të përqendrohet më së shumti qeveria shqiptare, sipas një ankete që ka zhvilluar Barometri i Ballkanit për vitin 2022, kur i pyeti qytetarët në 6 vende  se çfarë konsideronin prioritare nga qeveritë e tyre për 12 muajt në vijim.

Pas krijimit të mundësive për punësim, rendi dhe siguria publike u rendit si fusha e dytë më prioritare për investime nga shqiptarët dhe infrastruktura rrugore e treta.

Anketa tregoi se shqiptarët dhe boshnjakët e konsideruan punësimin fushën më të rëndësishme ku duhet të përqendrohen politikat e qeverisë përkatësisht me 45 dhe 48%, ndërsa në vendet e tjera të Rajonit punësimi si prioritet është më pak i rëndësishëm.

Shqipëria dhe Bosnja kanë nivelet më të larta të emigrimit në Rajoni. Në Shqipëri anketat kanë gjetur se rreth 85 për qind e largimeve bëhen për arsye ekonomike dhe mundësi më të mira punësimi.

Siguria dhe mbrojtja nga krimi janë shqetësimi i dytë më madhor i shqiptarëve. 39 për qind e të anketuarve në vendin tonë besojnë se Shqipëria duhet të ketë prioritet kryesor rendin publik dhe luftën kundër krimit të Organizuar. Shqipëria kishte përqindjen më të lartë te anketuarve që rendisin rendin publik si prioritet kryesor nga qeveri për 12 muajt në vijim.

Në vendet e Rajonit  kjo përqindje është më e ulët pasi rreth 1 e treta e konsiderojnë prioritet rendin dhe sigurinë.

Gjithashtu 23 % te të anketuarve në Shqipëri  janë shprehur se në 12 muajt në vijim qeveria duhet të ketë prioritet investimet në infrastrukturën rrugore, në një përqindje mesatarisht të ngjashme me vendet e tjera të Ballkanit që e konsiderojnë ende të mangët infrastrukturën e transportit.

Studimet e mëparshme të institucioneve financiare ndërkombëtare kanë vlerësuar se Shqipëria ende ka një hendek infrastrukturor të paplotësuar me rreth 50 për qind. Edhe pse prej gati dy dekadash qeveritë shqiptare kanë përqendruar investimet publike në infrastrukturën e transportit vendi ende nuk ka një sistem efikas dhe e ka totalisht jo funksional transportin hekurudhor.

Kur vjen puna tek shërbimet e tjera publike si shërbimet e pastrimit dhe ato komunale shqiptarët janë më pak të shqetësuar se rajoni./MONITOR

Image

© SYRI.net

Lexo edhe:

Komentet

Shto koment

Denonco