VIDEO-SYRI TV/ Vazhdojnë pagesat për inceneratorin e Sharrës, Sako paguan 250 milionë

15:00, 27/08/2023
A+ Aa A-

Institucionet publike vijojnë pagesat qindra milionëshe për kompaninë koncensionare të landfillit të Sharrës, pavarësisht se SPAK vendosi të sekuestrojë Djegësin. Së fundmi, Bashkia ka paguar me 230 mijë euro për shërbimin e depozitimit kompaninë ‘Integrated Energy BV, edhe pse hetimet e SPAK konfirmuan se në Inceneratorin e Tiranës nuk kryhet incenerimi i mbetjeve.

Nga SYRI TV

Vendimi i Gjykatës së Posaçme për sekuestrimin e kompanisë koncesionare të landfillit të Sharrës nuk ka penguar institucionet e publike për të vijuar pagesat qindra-milionëshe për llogaritë e ‘Integrated Energy bv’.

Në 18 Gusht të këtij viti, Bashkia e Durrësit nën drejtimin e Emirjana Sakos, ka paguar plot 256 milionë lekë të vjetra ose mbi 230 mijë euro për shërbimin e depozitimit, përpunimit dhe incenerimit të mbetjeve urbane.

Tashmë është e qartë, e konfirmuar edhe nga autoritetet hetimore, se kompania koncesionare  nuk kryen shërbimin e plotë për të cilin paguhet, pasi nuk ekziston impianti i djegies së mbeturinave. Megjithatë, duket se askush nuk i ndalon institucionet e Rilindjes që të vijojnë të paguajnë tarifën e plotë, duke i shkaktuar një dëm të madh taksave të qytetarëve.

Prej 1 gushtit 2023, kompania koncesionare ‘Integrated Energy bv’, në pronësi de fakto të Klodian Zotos dhe Mirel Mërtirit, është vendosur nën sekuestro dhe menaxhohet nga administratori shtetëror Arjan Baçi, në kuadër të hetimeve të Prokurorisë së Posaçme SPAK për korrupsion të zyrtarëve të lartë dhe pastrim parash.

Administrator publik, Baçi, në një dalje publike më herët gjatë këtij muaji, deklaroi se ai është i vendosur për të respektuar kontratën koncesionare, përfshirë edhe çmimin abuziv 29 euro për ton.

Kryetari i Partisë Demokratike, Sali Berisha, ka bërë shpesh thirrje publike që qeveria të ndërpresë pagesat për landfillin e Sharrës, për shkak të kontratës abuzive. Institucionet qeveritare jo vetëm që nuk kanë pasur asnjë reagim, por, përkundrazi, janë të vendosur që të paguajnë tarifat abuzive për kompaninë ‘fantazmë’, e cila fitoi kontratën me kosto koncesionare 128 milionë euro dhe që mund të rëndojë mbi xhepat e qytetarëve më së paku në 900 milionë euro.

© SYRI.net

Lexo edhe:

Komentet

Shto koment

Denonco