Rasti Beleri, Bajrami 'i sterilizuar' nga Rama dhe injorimi i popullit të Himarës

Rasti Beleri, Bajrami 'i sterilizuar' nga Rama dhe injorimi i popullit të Himarës

09:54, 22/08/2023
A+ Aa A-

Nga Ylli Manjani

Nuk kam se çfarë t'i shtoj më arsyetimit tim publik për rastin “Beleri”.

Arresti në flagrancë, që nuk ishte i tillë; veprimet e procedurale të gjykatës Vlorë, që nuk ishte kompetente; sajesa me dëshmitarë post-fakt, që provojnë manipulim; ekspertimi daktiloskopik që provon se Beleri nuk i ka prekur me dorë ato monedha të sajuara si korrupsion, janë të gjitha episode të një çështje penale të sajuar.

Por kjo fundja ka të bëjë me liritë kushtetuese të personit Fredi Beleri, liri të cilat drejtësia politike në Shqipëri i dhunon rregullisht e çdo ditë. Zoti Beleri si individ do të ketë shansin të mbrojë veten edhe në gjykata joshqiptare.

Ajo çfarë "përfitojmë" ne nga ky rast është ndërkombëtarizimi i një realiteti të dhimbshëm, ku drejtësia e re eksperimentale, dhunon liritë e të drejtat e shqiptarëve çdo ditë dhe për politikë madje.

Se, me thënë të drejtën, na u hap barku me deklarata propagande për një drejtësi që se ka askush tjetër përveç nesh, për një reformë eksperiment që refuzojnë ta bëjnë vende të tjera.

Ajo që e bën më të rëndë këtë rast është injorimi total i vullnetit të popullit të baskisë së Himarës, i cili nuk pranon të qeveriset nga një person që ka humbur zgjedhjet.

Injorimi i vullnetit popullor nga qeveria dhe drejtësia e saj e re me të cilën vijon të krenohet, është antidemokraci. Antikushtetutë po e po.

Dhe nuk kemi pse ta kërkojmë në greqisht leximin e kësaj situate. Ajo lexohet qartësisht në shqip. Cilido që di shkrim e këndim mund ta lexojë këtë situatë thjesht fare.

Edi Rama premtoi në emisionin Opinion se do të merrej personalisht me këtë çështje dhe ja pasoja.

Dhunon liritë e një individi dhe injoron vullnetin e një komuniteti vendor të përbërë nga shtetas të Republikës së Shqipërisë. Këtë e bën me përdorim politik të policisë dhe drejtësisë, duke i nxjerrë bojën edhe kësaj të fundit. Këto janë fakte, jo opinione.

Nëse leximi me zë të lartë i këtyre fakteve të bën grek, grek qofsha! Por e vërteta është e vërtetë, sado e hidhur të jetë. Nëse thënia e të vërtetës të bën "tradhëtar", atëherë tradhëtar qofsha!

Sa më takon e lexoj në shqip dhe me zërin tim. Dhe e lexoj edhe në sy të grekëve, jo si fjala vjen Bajram "heshtja" që e ka "sterilizuar" qeveria.

Patridiotizmi është shakaja më e rëndë me të cilin luan qeveria jonë me ne të gjithë. Kush nuk e ke kupton është pashpresë.

Nejse vetëm përpara! Përpara drejt budallallëqeve të reja, por jo të panjohura nga historia jonë...

 

© SYRI.net

Lexo edhe:

Komentet

Shto koment

Denonco