SYRI TV/ Sterilizimi/ Faturat kufizuan shërbimin për pacientët: faktet skandaloze në raportin e KLSH

14:00, 21/08/2023
A+ Aa A-

Shërbimi spitalor për pacientët është kufizuar si pasojë e faturave të fryra dhe abuzive të sterilizimit të pajisjeve kirurgjikale. Këtë e tregojnë gjetjet e Kontrollit të Lartë të Shtetit, që nxjerrin në pah situatën skandaloze në shëndetësi. Sipas konstatimeve të KLSH, rezulton se për të njëjtat ndërhyrje, nga koncesionari janë ofruar sete të ndryshme, kryesisht ato me çmim më të lartë.

Nga SYRI TV

Faturat e fryra dhe abuzive të shërbimit të sterilizimit të pajisjeve kirurgjikale kanë kufizuar shërbimin spitalor për pacientët. Kontrolli i Lartë i Shtetit ka konstatuar situatën skandaloze në shëndetësi rreth një vit më parë, në përfundim të auditimit të zhvilluar në Fondin e Sigurimit të Kujdesit Shëndetësor.

“Ka disa raste që për të njëjtat ndërhyrje janë aplikuar 2 ose 3 nivele të ndryshme kompleksiteti, me pasoja në financimin e kontratës për tavanin buxhetor përkatës dhe kufizimin e ndërhyrjeve për pacientët”- thuhet në raportin e KLSH-së.

Në vitin 2015, ish-ministri i Shëndetësisë, Ilir Beqja, nënshkroi kontratën koncesionare 100 milionë euro për sterilizimin e mjeteve kirurgjikale me kompaninë “Sani Service”. Kjo kompani zotërohet në 40-përqind të aksioneve nga ish-muratori Ilir Rrapaj, i cili së fundmi rezulton se ka pasur njohje dhe shoqëri me zyrtarë të lartë të Ministrisë së Shëndetësisë, përfshirë edhe ish-ministrin Beqja, në kohën e nënshkrimit të kontratës.

Së fundmi, Prokuroria e Posaçme ka zbuluar problematika penale në procedurat e dhënies së koncesionit. Ndërkohë, raportet e KLSH-së kanë identifikuar shkelje flagrante financiare në të gjithë kohëzgjatjen e zbatimit të saj.

Kontrata parashikon që kompania koncesionare të sigurojë sete kirurgjikale me tre nivele për spitalet publike, çmimi e të cilëve vjen në progresion rritës nga kompleksiteti më i ulët deri tek më i larti. KLSH ka konstatuar se për të njëjtat ndërhyrje, nga koncesionari janë ofruar sete të ndryshme, kryesisht ato me çmim më të lartë.

Kjo praktikë abuzive ka rënduar buxhetet spitalore dhe siç konstatohet në raportin e Kontrollit të Lartë të Shtetit, ka kufizuar shërbimin për pacientët, pra, ka ulur numrin e ndërhyrjeve të nevojshme kirurgjikale për qytetarët.

Aktualisht, me urdhër të SPAK-ut, janë arrestuar pronari kryesor në letra i kompanisë koncesionare, Ilir Rrapaj, si edhe ish-zv.ministri i Shëndetësisë, Klodian Rjepaj, ndërkohë që disa ish-anëtarë të Komisionit të koncesionit janë me masa më të buta.

Struktura e Posaçme Anti-Korrupsion, deri më tani, ka përjashtuar Ilir Beqjan nga hetimi, megjithëse gjykata speciale u ka sugjeruar prokurorëve që të hetojnë rolin e ish-ministrit, i cili konsiderohet nga opozita si “koka e aferave koncesionare” në Shëndetësi.

© SYRI.net

Lexo edhe:

Komentet

Shto koment

Denonco