‘Kur pasurohet qeveria, pasurohet dhe Shqipëria’-IRIQI bisedon me Ilir Beqajn

‘Kur pasurohet qeveria, pasurohet dhe Shqipëria’-IRIQI bisedon me Ilir Beqajn

13:32, 21/08/2023
A+ Aa A-

Iriqi:- Të thirrën sërish në SPAK?

Beqaj:- Po, shtyjnë kohën me mua ata. Por vapë e madhe, ndaj do ble një krevat e të fle atje se vajtje-ardhje do më bjerë ndonjë damlla.

Iriqi:- Flitet se ke përfituar miliona euro. E vërtetë?

Beqaj:- Më vjen inat me opozitën. Gërthet sikur kush e di ç’ka ndodhur. Po ata të gëzohen ore, se kur pasurohemi ne qeveria, pasurohet dhe Shqipëria. Kaq e thjeshtë është.

Iriqi:- Vërtet, pse ka kaq shumë koncesione në shëndetësi?

Beqaj:- Se ky është sektori ku përlahet më lehtë paraja e fukarenjve. Kur sëmuren njerëzit, shesin gjithçka. E ne gati, me thesin grykëhapur. Ndërsa në sektorë të tjerë, kush paguan? Ja, p.sh bëj një koncesion për libra. Nuk pjerdh njeri. Me një libër mësojnë tridhjetë veta. Sa për ilaçet, secili do të vetën.

Iriqi:- Flitet se barnat, edhe kur ishe ti ministër, edhe tani janë të skaduara...

Beqaj:- Po normal, ashtu janë. Po të ishin të sakta, do sëmureshin më pak njerëz e ne çfarë do merrnim, leshtë? Se në Tiranë ka farmaci me qira 2.000 euro në muaj. Si do i nxjerrin? Dihet, me allçi në vend të ilaçeve. E populli siç i gëlltit ato, ashtu dhe i dhjet. Asnjë efekt.

Iriqi:- Ju që më 2013 premtuat shëndetësi falas. Sa e realizuat?

Beqaj:- Afër 100% e realizuam. Ne nuk bëjmë premtime kot. E mbajmë fjalën.

Iriqi:- Mund ta ilustroni?

Beqaj:- Sigurisht. Ja, si fillim për qytetet e dorës së dytë, p.sh në Maliq, në Rrëshen, në Roskovec, në Tepelenë, në Koplik, në Laç... s'kanë asnjë mjek për be. Shkojnë banorët të vizitohen dhe kthehen bosh. D.m.th pa paguar kokërr leku, falas pra. E sheh? Kështu po bëjmë dhe për Korçën, Durrësin, Shkodrën e së afërmi edhe Tirana do jetë pa mjek e pa infermier. Zero, zero lekë do të harxhojnë njerëzit. Së shpejti nga shëndetësi falas, do shkojmë më lart. Do arrijmë, të fala shëndetit d.m.th.

Iriqi:- Po pse nuk ka mjekë?

Beqaj:- Se i merr privati ose ikin jashtë.

Iriqi:- Mund t'i detyroni siç merrni me forcë, p.sh lekët e korrentit.

Beqaj:- Po ne nuk do të prishemi me spitalet private. E dini se sa koncesione kemi me ta. Do na thash kuletën zotrote? Njerëzit të shkojnë jashtë e ta shohin që shëndetësia kushton sa qimet e kokës.

Iriqi:- Para ca vitesh u shkrua për 1.400 fuçia me helme që janë groposur tek ne. Ku, në ç’vend??

Beqaj:- Hahaha, gjejini! Pandeh se i groposën njerëz të pakualifikuar? Jo mor Iriq. Erdhën të shkolluar nga vendet fqinje. Dhe as për 100 vjet nuk i gjeni. Ju nuk zbuloni dot të vrarët e komunizmit, varret e tyre dhe jo më helmet.

Iriqi:- Po jeta e shqiptarëve...

Beqaj:- I ushqeu Enveri me mish Argjentine të skaduar e nuk i gjeti gjë. As me plehrat, që nuk i djegin inceneratorët fantazma, nuk do u ndodhë. Se fukarai ka shpirt mace.

Iriqi:- Koncesionin më të madh e ka Vilma Nushi, shkruan media. Pse?

Beqaj:- Se ajo është korrekte. Faturat i sjell në rregull, si sahat zviceran. E pëlqej deri në adhurim se merr shumë para dhe i jam lutur të më fusin e mua në familjen e saj. Të quhem Ilir Beqaj Nushi. Për shtatë breza do të jem i lumtur.

Iriqi:- Ke diçka për të shtuar?

Beqaj:- Po, nëse do më fusin në burg, i lutem zotit që të mos jem në një qeli me Safet Gjicin. E kupton ti pse. Atë hall kam tani se kontratën origjinale të sterilizimit e përpunova sipas motiveve:

-Shtatë bataliona,

-Në trembëdhjetë kamiona…

© SYRI.net

Lexo edhe:

Komentet

Shto koment

Denonco