Zv/ministri i Drejtësisë akuzon Prokurorinë: Po keqpërdoren mekanizmat ligjorë për hakmarrje

Zv/ministri i Drejtësisë akuzon Prokurorinë: Po keqpërdoren mekanizmat ligjorë për hakmarrje

15:43, 20/08/2023
A+ Aa A-

Zëvendësministri i Drejtësisë, Blerim Sallahu, e ka quajtur “keqpërdorim të mekanizmave ligjorë për hakmarrje”, arrestimin e dy zyrtarëve të Ministrisë së Industrisë, Tregtisë dhe Ndërmarrësisë dhe një biznesmeni nën dyshimin për dallavere me rezerva shtetërore.

Në Dosjen e Prokurorisë Speciale pretendohet se buxheti është dëmtuar për 601 mijë euro.

Drejtori i Divizionit për Rezervat Shtetërore të Mallrave në MINT, Hafiz Gara, dhe drejtori i Departamentit për Integrim Evropian dhe Koordinim të Politikave, Irfan Lipovica, si dhe biznesmen Ridvan Muharremi, u arrestuan të premten.

Sallahu ka thënë se “çështja ka karakter komplet civil dhe po tentohet të kthehet në çështje penale si formë hakmarrjeje ndaj Qeverisë”.

“Kur lidhet një kontratë me elementë të huaj, në mes shtetit dhe një operatori ekonomik ndërkombëtar, në të cilën përcaktohet saktë sasia e mallit që do të vie, çmimi dhe pagesa dhe pavarësisht mosardhjes së mallit ose ardhjes së kufizuar të saj në Kosovë, nuk mund të ketë karakter tjetër përveçse civil. Ky kontest civil zgjidhet në gjykatën kompetente të përcaktuar në kontratë. Pra, zgjidhja e kontestit civil determinon se a mund të ketë vepër penale në këtë rast ose jo. Siç shihet nga provat dhe faktet operatori ekonomik nuk ka sjellë mallin në tërësi dhe kësisoj gjykata mund të marrë vendim duke detyruar operatorin e tillë ekonomik për dëmshpërblim. Prandaj në këtë rast në asnjë formë nuk ka përgjegjësi penale. Pra, realizimi i kontratës bonafide nga MINT dhe mosrealizimi i kontratës nga operatori ekonomik në tërësi nuk përbën vepër penale, por bazë të mjaftueshme për realizim të dëmshpërblimit në Gjykatë. Nëse vendimi i tillë merret në gjykatën kompetente në Kosovë, atëherë ky vendim njihet dhe ekzekutohet në vendin ku ndodhet selia e operatorit/ve ekonomik”, ka shkruar Sallahu në Facebook. “Nëse do të shkonim me supozimin se secili mosrealizim i kontratës ose realizim i pjesshëm i kontratës do të plotësonte figurën e veprës penale atëherë krejt qytetarët e këtij shteti do të jenë përgjegjës penalisht dhe do ta shuanim të drejtën civile si degë të së drejtës”.

Ai ia ka përmendur Prokurorisë Speciale rastin “Vicianum”.

“Për fund, vet Prokuroria Speciale ka mbyllur rastin e Vicianumit (pronë e Shërbimit korrektues të Kosovës ku i është dhënë në shfrytëzim për afat 10 vjeçar një personi fizik, pastaj është regjistruar si person juridik) ku është lidhur kontratë bash pa asnjë bazë ligjore, ku janë rrënuar objektet shtetërore, duke theksuar në aktvendim për hedhjen e kallëzimit penal se ka shkelje procedurale dhe civile, por jo penale. Edhe njëherë, e njëjta ‘Prokurori Speciale’ e ka bërë këtë veprim. Prandaj, është keqpërdorim i mekanizmave ligjor për hakmarrje, e asgjë më shumë!” – ka shkruar Sallahu.

© SYRI.net

Lexo edhe:

Komentet

Shto koment

Denonco