Paracaktoi fituesin e koncesionit 100 mln euro/ Ilir Beqaj: Fajin e ka Saliu

Paracaktoi fituesin e koncesionit 100 mln euro/ Ilir Beqaj: Fajin e ka Saliu

10:42, 20/08/2023
A+ Aa A-

Një ditë më parë, Zëri i Amerikës raportoi se Gjykata e Posaçme për Korrupsionin dhe Krimin e Organizuar duhet të hetojë për rolin e Ilir Beqajt në aferën e koncesionit të sterilizimit.

Gjykata e Posaçme për Korrupsionin dhe Krimin e Organizuar thekson në vendim se “pavarësisht qëndrimit të prokurorisë, nga analiza e provave të administruara dhe të para në unitetin e tyre, në to evidentohen shkelje të akteve ligjore e nënligjore, të cilat ngrihen në nivelin e përgjegjësive penale për ish-ministrin e Shëndetësisë Beqaj dhe ish-ministrin e Financave Cani, si dhe për katër komisionerë të prokurimit publik”.

GJKKO vëren se nga moria e të dhënave hetimore del se fituesi i këtij koncesioni ishte paracaktuar nga drejtuesit e ministrisë së shëndetësisë para se të nisnin procedurat formale, madje fituesit parapërgatitën dokumente dhe përshtatën kriteret ligjore në mënyrë që të siguronin fitoren.

Hetimet kanë vërejtur shkeljen e barazisë së konkurrentëve në garë, fryrje artificiale dhe shumëfishimin e kostove dhe çmimeve, falsifikimin e dokumenteve dhe shifrave statistikore, kalimin e qendrës së re të sterilizimeve të QSUT-së në përdorim të koncesionarit, llogaritje të pasakta ekonomike dhe shkelje ligjore, gjë që ka nxitur dyshimet për korrupsion pasiv të funksionarëve të lartë shtetërorë.

Por pavarësisht këtij mega-skandali, Ilir Beqaj bëri një reagim sot në gazetën qeveritare Tema.

Aty, ai pranon se ka lëvizur me pronarët e koncesionit. Po ashtu pranon edhe skandalin me qendrën moderne të sterilizimit, e cila nuk u vu në punë për shkak të koncesionit.

Por mbi të gjithë, Beqaj thotë se për këtë mega-skandal, fajin e ka sërish ... Saliu.

“Prej tre vitesh nuk vihej në punë centrali i sterilizimit në QSUT, dhe QSUT, nga një qendër ku duhet të shëroheshe, ishte lënë të kthehej në një qendër ku sëmureshe dhe mund edhe të vdisje. Kjo ishte shëndetësia e Sali Berishës, Tritan Shehut, Halim Kosovës, Petrit Vasilit, Vangjel Tavos. Imagjinoni që të mbyllet klinika e kardiokirurgjisë, që në atë kohë ishte e vetmja në spitalet publike (sot kardiokirurgji kryhet edhe në spitalin Shefqet Ndroqi). A është marrë ndonjë herë media më këtë çështje? A është pjesë e hetimit aktual të SPAK kjo çështje?” shkruan Beqaj.

Në reagimin e tij, Beqaj thotë se ishte e nevojshme krijimi i një operatori të vetëm për të bërë sterilizimin e pajisjeve mjekësore, pasi centrali i sterilizimit në QSUT nuk mbulonte nevojat për të gjitha spitalet në vend.

Sipas Beqajt, koncesioni i sterilizimit solli ndryshim në kirurgjinë shqiptare, teksa thekson se në vitin 2014 nuk kishin as dijet dhe as paratë për të bërë të vetëm një sipërmarrje të tillë.

Sa i përket njohjes së tij me biznesmenët Ilir Rrapaj dhe Umbro Staccini, ish-ministri i Shëndetësisë thotë se i ka njohur pasi mori detyrën dhe kontratat me ta i ka firmosur për nevoja pune.

© SYRI.net

Lexo edhe:

Komentet

Shto koment

Denonco