SYRI TV/ Sterilizimi, si u 'amnistua' Ilir Beqaj nga SPAK

14:55, 19/08/2023
A+ Aa A-

Një artikull i BIRN rendit shkeljet e ligjit për koncensionin e sterilizimit, të cilat u bënë me qëllim për shpalljen fitues të kompanive që u përkasin Ilir Rrapajt. Hetimet zbuluan gjithashtu komunikime dhe udhëtime të përbashkëta të ministrit Beqaj me përfituesit pas dhënies së koncesionit. Gjykata vlerëson se ka indicie të mjaftueshme për të hetuar më tej për korrupsion aktiv dhe pasiv si dhe pastrim të produkteve të veprës penale.

Nga SYRI TV

“Hetimet 3-vjeçare të prokurorëve Edvin Kondili dhe Ened Nakuçi për koncensionin e Sterilizimit mbyllën rrethin e të akuzuarve me ish-zv.ministrin Klodian Rrjepaj dhe anëtarët e komisionit, por gjyqtari Erion Bani arsyeton se ka indicie që ish-ministri Ilir Beqaj paracaktoi fituesit, nuk ndaloi konfliktin e interesit dhe bëri udhëtime me përfituesit e koncesionit, ç’ka sipas tij ngre dyshime edhe për veprat penale të korrupsionit.”- shkruhet në një artikull investigativ të BIRN.

Klodian Rrjepaj dhe Ilir Rrapaj ishin të njohur, shokë klase në Fakultetin e Mjekësisë. Ata u takuan sërish në Tiranë njëzet vjet më vonë; i pari si zv.ministër i Shëndetësisë dhe i dyti si sipërmarrës i vogël në Itali. Në nëntor 2013 Rrapaj mori pjesë në nismën “Thuaji po Shqipërisë” ku pozoi përkrah kryeministrit Edi Rama, ministrit të Shëndetësisë, Ilir Beqaj dhe mikut të tij të vjetër, Klodian Rrjepaj. Më pas, ai u shfaq në një seri takimesh zyrtare në Umbria të Italisë në vitet 2013-2014 përkrah ministrit Beqaj dhe zv.ministrit Rrjepaj, trumbetuar në media si “bashkëpunime ndërkombëtare”, por sipas një vendimi të Gjykatës së Posaçme, qëllimi i vërtetë ishte përgatitja e një koncesioni për sterilizimin e pajisjeve kirurgjikale në favor të biznesmenit Rrapaj.

Koncesioni i sterilizimit është kontrata më e shtrenjtë e partneritetit publik privat e qeverisë ‘Rama' në sektorin e shëndetësisë, e cila u ka kushtuar taksapaguesve shqiptarë rreth 76 milionë euro deri në fund të vitit 2022.

Një qendër moderne sterilizimi flinte prej vitesh në spitalin e ri të urgjencës, por edhe pse u vu në dijeni për këtë investim, ministri Beqaj i hapi dritën jeshile vazhdimit me procedurat e koncesionit. Sipas Gjykatës së Posaçme, Beqaj nuk mori asnjë masë për vënien në punë të qendrës së sterilizimit, pasi e kishte marrë paraprakisht vendimin për dhënien e shërbimit me koncesion.

BIRN vëren se sipas vendimit, shkeljet e ligjit në procedurat e dhënies së koncesionit ishin bërë me qëllimin e vetëm për shpalljen fitues të kompanive që u përkasin Ilir Rrapajt dhe ortakut të tij italian, Umbro Staçini.

Lista e shkeljeve përmban një studim fizibiliteti me të dhëna të rreme në kundërshtim me ligjin në mënyrë që t'u përshtateshin gjendjes së kompanive të përzgjedhura paraprakisht si dhe mosveprimin e Beqajt për zgjidhjen e konfliktit të interesit mes Rrjepajt si kryetar i komisionit të koncesionit dhe Rrapajt si përfitues i tij. Shkelje ligjore janë gjetur edhe gjatë negocimit të kontratës koncesionare, që sipas gjyqtarit kanë qenë “dukshëm në favor të kompanisë së shpallur fituese dhe në dëm të interesave të shtetit”.

Përveç këtyre shkeljeve, Gjykata e Posaçme argumenton në vendim se kostot e procesit të sterilizimit janë fryrë në mënyrë artificiale, për ta prezantuar koncesionin si një procedurë më të favorshme se sa prokurimi publik. Në llogaritjen e kostove të shërbimit janë përfshirë edhe shpenzime për medikamente mjekësore, të cilat i kanë fryrë shifrat me 56%. Gjithashtu, gjykata vlerëson se në studimin e fizibilitetit është ulur qëllimisht numri i ndërhyrjeve të parashikuara nga 63 mijë në 50 mijë operacione në vit, duke sjellë si pasojë rritjen e çmimeve për secilin nga intensitetet e ndërhyrjeve në pasqyrat financiare.

Hetimet kanë zbuluar gjithashtu komunikime dhe udhëtime të përbashkëta të ministrit Beqaj me përfituesit pas dhënies së koncesionit, ndaj gjykata vlerëson se ka indicie të mjaftueshme për të hetuar më tej për korrupsion aktiv dhe pasiv si dhe pastrim të produkteve të veprës penale.

© SYRI.net

Lexo edhe:

Komentet

Shto koment

Denonco