Lajmi i fundit

LIVE/ Kuvendi i Shqipërisë në seancë plenare

Pazaret me sanksionet amerikane/ Daily Mail: McGonigal do merrte deri në 3 milionë dollarë për një rast

Pazaret me sanksionet amerikane/ Daily Mail: McGonigal do merrte deri në 3 milionë dollarë për një rast

19:20, 16/08/2023
A+ Aa A-

Ish-agjenti i lartë i FBI, Charles McGonigal, pranoi dje në gjykatë se ai bënte pazare me listën e sanksioneve të SHBA. Ai deklaroi se kishte punuar për të nxjerrë oligarkun rus, Oleg Deripaska nga lista e sanksioneve. Po ashtu, ai kishte mbledhur informacione për të futur në listën e sanksioneve të SHBA, rivalin e Deripaskës, miliarderin rus Vladimir Potanin. Gazeta e madhe britanike, Daily Mail shkruan se McGonigal do merrte deri në 3 milionë dollarë për këtë gjë

Daily Mail

Ish-agjenti i kundërzbulimit në FBI, Charles McGonigal, ka pranuar fajësinë për akuzën për konspiracion në gjykatën e Manhattanit dje, duke pranuar se ka punuar për oligarkun rus Oleg Deripaska, i sanksionuar nga Shtetet e Bashkuara.

McGonigal pranoi se kishte rënë dakord të linte FBI-në për të punuar për oligarkun që dikur e kishte hetuar si pjesë e hetimit për ndërhyrjen ruse në zgjedhjet presidenciale 2016 në SHBA, dhe se kishte kërkuar të baltoste një rival të pasur të oligarkut, duke shkelur sanksionet e vendosura mbi Rusinë.

McGonigal, 55 vjeç, pranoi akuzën e vetme të ngritur nga prokuroria në New York  për komplot për shkeljen e International Emergency Economic Powers Act dhe për pastrim parash, duke thënë se ndihej “thellësisht i penduar”.

Ai i tha gjyqtares Jennifer H. Rearden se e kishte kryer krimin në pranverë e vjeshtë 2021, duke marrë mbi 17,000 dollarë për të ndihmuar manjatin rus të energjisë Oleg Deripaska përmes mbledhjes së informacionit me qëllim diskreditimi për një oligark rus që ishte rival biznesi i Deripaskës.

“Ky, siç mund ta merrni me mend, ka qenë një proces i dhimbshëm jo vetëm për mua, por edhe për miqtë e mi, familjen e gjithë të dashurit”, tha McGonigal. “Marr përsipër përgjegjësi të plotë teksa veprimet e mia nuk ishin kurrë me synimin për të dëmtuar Shtetet e Bashkuara, FBI-në, familjen dhe miqtë e mi”.

Marrja e vendimit është lënë për më 14 dhjetor dhe McGonigal rrezikon deri në pesë vjet burg.

Ndihmësprokurorja federale Rebecca Dell i tha gjyqtares se prokuroria kishte prova që McGonigal po përpiqej të nxirrte Deripaskën nga lista e sanksioneve.

Ajo shtoi se McGonigal më 2021 kishte qenë në bisedime me bashkëpunëtorë të tij për të marrë një shumë nga 650 mijë deri në 3 milion dollarë për gjurmimin e dosjeve elektronike që zbulonin asete të fshehura me vlerë 500 milion dollarë që i përkisnin rivalit të Deripaskës.

Mbi McGonigal rëndon edhe një akuzë tjetër më vete në Washington, DC, për fshehjen e të paktën 225 mijë dollarëve që pretendohet se ka marrë nga Agron Neza, teksa punonte ende për FBI.

Neza e prezantoi McGonigal me Dorian Duçkën, i cili punonte për konglomeratin kinez të energjisë CEFC.

Një email nga laptopi i falshëm i Hunter Biden i referohet dikujt me të njëjtin emër.

“Doriani na ka ndihmuar shumë në fillim kështu që duhet të shohim se si mund ta përfshijmë edhe atë”, shkruante bashkëpunëtori i Hunterit, James Gilliar, më 2017, për një marrëveshje.

“S’ka se si të mos e bëjmë”, përgjigjej Hunter, duke shtuar: “Nëse shumica thotë jo, do t’i heq nga pagesa ime”.

Gjatë seancës së djeshme, McGonigal, i cili në një moment u përlot teksa përshkruante krimin e tij, tha se Deripaska ia kishte kaluar pagesën 17,500 dollarë përmes një banke në Qipro dhe një korporate në New Jersey para se të transferohej në llogarinë bankare të McGonigal.

Matthew G. Olsen, ndihmës prokurori i përgjithshëm i Sektorit të Sigurisë Kombëtare në Departamentin e Drejtësisë tha se “McGonigal, siç e pranoi edhe vetë, ka shkelur betimin dhe ka fshehur në mënyrë aktive punën e paligjshme në funksion të një oligarku rus të sanksionuar”.

“Pranimi i fajit sot tregon vendosmërinë e Departamentit të Drejtësisë për të ndjekur dhe çmontuar rrjetet e paligjshme që oligarkët rusë përdorin për t'u shpëtuar sanksioneve tona dhe për t'iu shmangur ligjeve”, shtoi ai.

© SYRI.net

Lexo edhe:

Komentet

Shto koment

Denonco