'Së shpejti do më quajnë jo Lali Eri, por Lali Era'- IRIQI bisedon me Erion Veliajn

'Së shpejti do më quajnë jo Lali Eri, por Lali Era'- IRIQI bisedon me Erion Veliajn

15:37, 16/08/2023
A+ Aa A-

Iriqi:- Çdo ditë po provohet që te inceneratorët buxhetin e ke djegur ti…

Veliaj:- Nuk e kam djegur, e kam kullufitur. Pandeh ti se ne rilindasit djegim para? Flakën ia vemë Shqipërisë, ama eurot i kemi si fëmijët. I shtrëngojmë fort, fort në gji.

Iriqi:- Po afrohet SPAK te dera e shtëpisë tënde. Ç’do bësh?

Veliaj:- Do u le një shënim. SPAK, SPAK u vonove pak, do u shkruaj dhe do iki. Po aq larg sa do ma ndërrojnë emrin. Nga Lali Eri do më quajnë Lali Era.

Iriqi:- Pandeh se nuk do të të kapin?

Veliaj:- Kurrë. Se nuk do rri në tokë. As në hënë apo në mars. Por nën tokë, futur thellë, aty te tërmetet.

Iriqi:- E çfarë do bësh aty?

Veliaj:- Nja 10 vjet do numëroj paratë që kam mbledhur. Se do më shtohen përvit. Kështu e kanë koncesionet tona, janë vjedhje në kohën e ardhshme. Ndërsa hajduti hyn në bankë, merr një torbë me para e vrapon, ne hyjmë në bankë, lemë grafikë pagesash për të ardhmen dhe ikim me aeroplan. Paratë na vijnë pas. Si Ismail Qemalit prapa i vinte historia, ne prapa na vjen hajdutëria.

Iriqi:- Po a të lejon Rama të ikësh?

Veliaj:- Rama na i ka caktuar vetë vendet. Ai si ushtarak na e bëri me hartë sqarimin. Unë këtu, Xhaçka atje. Ulsiu më tej, Balla në ca gërxhe, Peleshi në anije mes oqeanit dhe Rama poshtë një dardhe.

Iriqi:- Pse kështu?

Veliaj:- Që të shpjegojë që nuk ka faj. Pema është vërtet pa kokrra se ia vodhëm ne dardhat prapa kurrizit të tij.

Iriqi:- E kush do e besojë?

Veliaj:- Do e besojnë mjekët. Ka kartelë ai dhe del faqebardhë para pasqyrës.

Iriqi:- Në fund një këshillë për të rinjtë, që mos largohen nga vendi.

Veliaj:- O rini, mos ikni nga atdheu! Mos bëni asnjë punë! Jepni gojën tuaj me qira siç e dhashë unë këto vite. Shaja e shpifja për llogari të Ramës e llogaria ime në bankë qe përherë plot. Mos ikni, përdorni gjuhën për fyerje e lëpirje e do të jetoni si në ëndrra. Ja shembulli për ju jam unë. Unë ore unë, Lali Eri që së shpejti do jem Lali Era.

© SYRI.net

Lexo edhe:

Komentet

Shto koment

Denonco