Firma e përjashtruar nga APP fiton 4 tendera/ PD: A do hetohet Sotiraq Filo dhe mashtruesi ‘Korsel’ sh.p.k

Firma e përjashtruar nga APP fiton 4 tendera/ PD: A do hetohet Sotiraq Filo dhe mashtruesi ‘Korsel’ sh.p.k

15:09, 16/08/2023
A+ Aa A-

Zëdhënësja e Anti-Korrupsionit pranë PD-së, Genta Vangjeli ka denoncuar shkeljet dhe abuzimet me paratë publike në Bashkinë e Korçës, konkretisht nga kryebashkiaku Sotiraq Filo.

Në deklaratën nga selia blu, Vangjeli theksoi se firmën e përjashtuar nga APP, nuk e ka penguar asgjë për të marrë 4 tendera nga Bashkia Korçë.

Sipas Vangjelit, kompani “Korsel” sh.p.k. është përjashtuar nga APP, pasi ka keqinformuar dhe dorëzuar të dhëna të rreme që qëllim të kualifikimit në tendera.

DEKLARATË PËR MEDIA, ZËDHENËSJA E ANTI-KORRUPSIONIT, GENTA VANGJELI

Task Forca e anti-Korrupsionit në Partinë Demokratike fillon sot me denoncimet e të gjitha rasteve të shkeljeve dhe abuzimeve me paratë publike, që ne detektojmë apo dhe sinjalizimeve që na vijnë nga jashtë.

Sot do të sjellim në vëmendjen tuaj vendimin nr.5, dt. 27 janar 2022, të Autoritetit të Prokurimeve Publike, që ka përjashtuar operatorin “Korsel” sh.p.k nga pjesëmarrja në prokurimet publike deri më 27 Qershor 2023, pra për një periudhë 1 vjeçare. Arsyeja ka të bëjë me faktin se firma Korsel ka keqinformuar dhe dorëzuar të dhëna të rreme që qëllim të kualifikimit në tendera.

Fakti që ka qenë i përjashtuar nga APP, nuk e ka penguar Korsel sh.p.k të marrë pjesë në 4 procedura prokurimi, madje i ka fituar ato.

Sigurisht, nuk është vetëm oreksi i Korsel për të fituar tendera, por edhe bashkëpunimi institucional për ta lejuar, që ka çuar në këtë shkelje të katërfishtë.

Cili është institucioni shtetëror që ka lidhur 4 kontrata me këtë këtë operator pavarësisht embargos nga APP?

Bashkia Korçë.

Sotiraq Filon, drejtuesin e kësaj Bashkie, nuk e pengoi:

–        As i vendimi i APP-së për përjashtimin e Korsel Shpk, i cili ka fuqinë e ligjit,

–        As raportet e KLSH-së që kanë evidentuar Korsel shpk si keqzbatues te kontratave analoge, në bashki të tjera, përmendim këtu Bashkinë Sarandë, ku në kundërshtim me kontratën e lidhur për pastrimin e qytetit gjatë vitit 2018, ky operator shkaktoi dëm ekonomik 53 milionë lekë dhe vodhi 155 kontejnerë mbeturinash metalikë, dhe 13 kontejnerë plastikë.

–        As padia e Bashkia Kolonjë ndaj “Korsel” sh.p.k; me objekt: Shpërblim dëmi për moszbatim kontrate.

Sotiraq Filo pranoi të shkelë ligjin me të dyja këmbët dhe, në vend që ta skualifikonte këtë operator mashtrues dhe ta dërgonte për ndjekje penale, u bë palë me mashtrimin duke i dhënë 4 kontrata me vlerë 505 milion lekë gjatë kohës së përjashtimit të operatorit Korsel shpk.

Konkretisht këto janë llokmat që Filo e ka qerasur Korselin:

1.      Mirëmbajtja e varrezave publike dhe të Dëshmorëve zhvilluar në 14 Qershor 2022

2.      Shërbimi i pastrimit (Emergjencë) zhvilluar në 12 Qershor 2023

3.      Mirëmbajtja e varrezave publike dhe e Dëshmorëve zhvilluar në 16 Qershor 2023

4.      Shërbimi i pastrimit zhvilluar në 26 Qershor 2023

Katër kontrata disa qinda milionëshe nuk janë gabime as rastësi. Ato janë vendimi i Sotiraq Filos për të shpërfillur ligjin dhe për këtë mund të ketë vetëm një arsye. Kryebashkiaku i Korçës ka dorë, jo vetëm te vendimi, por edhe përqindja e fitimit që Korsel shpk siguron nga të katra kontratat.

A do të marrë masa Kryeministri dhe organet që mbikqyrin zbatimin e ligjit per Sotiraq Filon dhe mashtruesin Korsel shpk, apo do të bëhen palë me mashtrimin e vjedhjen duke heshtur?

A do të hetohet ky rast nga Prokuroria?

A do të reagojë Bashkia Korçë dhe Filo duke dhënë shpjegime për këtë rast?

© SYRI.net

Lexo edhe:

Komentet

Shto koment

Denonco