SYRI TV/ Degradon unaza e Durrësit, Plepa - Shkozet, rruga kthehet në burim aksidentesh

14:27, 16/08/2023
A+ Aa A-

 

Në kulmin e sezonit turistik, nyja kryesore e unazës së Durrësit, Plepa-Shkozet, është kthyer në makth për drejtuesit e mjeteve. Rruga është shkatërruar totalisht duke u kthyer në burim aksidentesh. ARRSH ka shpallur vetëm një ditë më parë fituesin për riasfaltimin e rrugës, por punimet pritet të mos nisin për shkak të procedurave të ankimimit të tenderit.Nga ana tjetër, pak ditë më parë Konfindustria i kërkoi SPAK të hetojë korrupsionin me mirëmbajtjen e rrugëve.

Nga SYRI TV

Pamjet flasin pa nevojën e komentit… E gjithë karrexhata e rrugës është bërë e pakalueshme. Për shkak të gropave të shumta, drejtuesit e mjeteve duhet të ecin me shpejtësi të ulët, shpesh, edhe të bëjnë manovra të rrezikshme në rrugë.

Kjo rrugë është nyja kryesore, që përballon qindra mijëra automjete çdo ditë që shkojnë drejt jugut të vendit apo kthehen për në kryeqytet, aeroport apo destinacione të tjera. Për këtë arsye, disa javë më parë Konfindustria reagoi me një deklaratë për mediat, duke shprehur shqetësimin për amortizimin e rrugës, madje kërkoi nga SPAK të hetojë paratë që hidhen për mirëmbajtjen e rrugëve.

“Konfindustria i kërkon ekzekutivit dhe Kryeministrit z.Edi Rama të ndërhyjë sa më shpejt në përmirësimin e gjendjes tërësisht jashtë standarteve minimale dhe mjaft të rrezikshme për të prodhuar deri aksidente fatale të rrugës, unazës së Durrësit. Konfindustria vlerëson se gjendja tërësisht jashtë standartit e mirëmbajtjes së pjesëve të shumta të rrjetit rrugor shqiptar, pavarësisht qindra milionë eurove financimeve publike të larta të shpenzuara, bashkangjitur me pasojat e rënda për qytetarët, biznesin dhe ekonominë kombëtare, përbën skandal korrupsioni dhe subjektivizmi të përvitshëm të përmasave të mëdha, që duhet adresuar edhe nga SPAK.”

Shqetësim nuk është vetëm për drejtuesit  e mjeteve, por edhe për qytetarët, të cilët tregojnë se përballen çdo ditë me rrezikun e aksidenteve.

Por duket se edhe për disa javë, në këtë aks nuk do të nisin punimet, pasi vetëm të martën në datë 15 qershor, ARRSH ka shpallur fituesin e tenderit për rehabilitimin e rrugës, e cila do të kushtojë 800 mijë euro. Për nisjen e punimeve do të duhet të pritet dhe disa javë, për shkak të procedurave të ankimit të tenderit, i cili në këtë rast është me flamur të kuq.

© SYRI.net

Lexo edhe:

Komentet

Shto koment

Denonco