Meta: Fredi Beleri, i burgosur politik i Edi Ramës që të vazhdojë tjetërsimi i pronave të Himarës!

Meta: Fredi Beleri, i burgosur politik i Edi Ramës që të vazhdojë tjetërsimi i pronave të Himarës!

14:09, 16/08/2023
A+ Aa A-

Kryetari i Partisë së Lirisë, Ilir Meta, e shprehur qartë qëndrimin e tij lidhur me mbajtjen në burg të kryebashkiakut të zgjedhur të Himarës, Fredi Belerit si dhe për protestën që u mbaj në Himarë me pjesëmarrjen e politikanëve nga Greqia.

I pyetur sot në një konferencë shtypi lidhur me protëstën në Himarë, Meta tha:

“Nuk kam asnjë koment për protestën, sepse protestat në një vend demokratik duhet të jenë të përditshme dhe të natyrave të ndryshme. Por, pa asnjë diskutim që kam një qëndrim shumë të qartë lidhur me rastin Beleri, i cili është një i burgosur politik, personalisht i kryeministrit aktual, provat për të cilin nuk kanë munguar, që nga studioja televizive përpara zgjedhjeve dhe gjithë zhvillimet e mëpasshme.  

Rasti Beleri është rasti i shembjes, i mosekzistencës së shtetit të drejtës në vendin tonë. Ju e dini shumë mirë që ai është arrestuar në mënyrë flagrante për sa i takon shkeljes të të drejtave të njeriut, aq më tepër dhe të kandidati që është në fushatë elektorale, në kulmin e kësaj fushate dhe qëllimi ka vetëm një dhe vetëm një, sepse deri më tani askush nuk ka parë ndonjë provë flagrante, ka qënë bllokimi i tij fizik me qëllim humbjen e bashkisë së Himarës dhe së dyti, aktualisht, edhe qëndrimi që mbahet ndaj tij ndaj të gjitha procedurave; është një demonstrim i mosekzistencës së shtetit të së drejtës, ligjor dhe juridik në vendin tonë dhe është shumë e qartë se kjo bëhet që atij t’i pamundësohet betimi pas fitores që ai e realizoi edhe si i ndaluar nga policia dhe prokuroria në mënyrë të paligjshme duke mohuar të drejtën e zgjedhjes së banorëve dhe qytetarëve të bashkisë së Himarës.

Kush është qëllimi kryesor?! - Qëllimi kryesor ka qenë i qartë, që të vazhdojë tjetërsimi i pronave të banorëve të bashkisë së Himarës, që kishte qenë një premtim i z. Beleri i për t’i dhënë fund këtij tjetërsimi mafioz, por natyrisht që çështja e pronave nuk është vetëm në Himarë. Çështja e pronave është thuajse në të gjithë Shqipërinë, aq më tepër në të gjithë bregdetin e saj, por në rastin konkret, duket qartë se Beleri do të ishte një pengesë për vazhdimin e këtyre operacioneve të paligjshme kundër pronave dhe të drejtave të banorëve të Himarës.

Me këtë veprim, Kryeministri aktual jo vetëm ka treguar në mënyrën më arrogante se ka kapur shtetin. Ka treguar edhe njëherë tjetër se është një armik i zgjedhjeve të lira dhe i parimeve të shtetit së së drejtës dhe respektimit të vullnetit të qytetarëve, por njëkohësisht, u ka bërë një shërbim edhe nacionalistëve ekstremistë grekë për t’i dhënë ngjyrat që ata dëshirojnë një skandali të tillë përsa i takon çështjes në fjalë nga aspekti juridik apo ligjor. Të gjithë e dimë që dëshmitarët kanë qenë të fabrikuar nga policia dhe bashkëpunimi polici-prokurori ka sjellë pikërisht këtë situatë paradoksale.

Pyetje: Po a mundet që zyrtarë të një shteti tjetër të protestojnë kundër organeve të drejtësisë të një shteti tjetër, që në këtë rast është Shqipëria?

Meta:  E drejtë do të ishte që të gjithë shqiptarët të protestojnë për këto fenomene që kanë ndodhur në të gjithë Shqipërinë, sepse këto probleme nuk janë vetëm në Himarë, janë që nga Shkodra dhe bregdeti i saj e deri në Sarandë e Ksamil.

Shqipëria është dhe duhet të jetë një vend evropian dhe nëse nuk është e drejtë sipas qeverisë, mund të kishte marrë masa për të mos i lejuar.

Asnjëherë nuk kam qenë partizan i ndërhyrjeve në zgjedhjet e të tjerëve, qoftë në Greqi, qoftë në Itali, qoftë në Amerikë e kudo tjetër nga politikanët shqiptarë; natyrisht që nuk më pëlqen kur politikanë të huaj të ndërhyjnë në zgjedhjet në vendit tonë.

Tani, nuk mund të përdorim dy standarde, që kur kryetari i bashkisë së Athinës para zgjedhjeve i uron kryetarit të bashkisë së Tiranës që të zgjidhet, të themi se ishte normale dhe kur vlerësim se kemi të bëjmë me një shkelje të të drejtave jo vetëm të njeriut, por edhe me një dhunim të parimeve themelore të demokracisë dhe të zgjdhjeve si në rastin konkret,  po bëka një veprimtari armiqësore.

E theksoj edhe njëherë, Fredi Beleri është i burgosur politik. E kam thënë që ditën e parë që është ndaluar, arrestuar, në mënyrë gjoja flagrante.

Së dyti, është bërë gjithçka me direktivë të Edi Ramës dhe është një rast tipik i drejtësisë me regji dhe i funksionimit të shtetit si një juntë. Pra, kryeministër dhe parti shtet – polici që fabrikon dëshmitarët – prokurori dhe gjykata që vetëm noterizojnë vendimet e paligjshme të prokurorisë dhe të policisë.

Dhe pse ndodh kjo gjë? Kjo ndodh vetëm për dy arsye: e para që mundësisht të mos fitonte; fitoi! Dhe tani të digjet mundësia që ai të bëjë betimin si kryetar i bashkisë së Himarës.

Të gjitha këto fakte nga pikëpamja juridike që janë kokëforta dhe që i dinë të gjithë qytetarët e Himarës dhe Shqipërisë, natyrisht që i dinë dhe diku tjetër. Në rast se dikush po i përdor apo po i keqpërdor për të dëmtuar edhe interesat tona kombëtar, këtë mundësi ia ka dhënë Edi Rama me veprimet e tij brutale, arrogante, antikushtetuese, antiligjore dhe antieuropiane.

© SYRI.net

Lexo edhe:

Komentet

Shto koment

Denonco