Lajmi i fundit

LIVE/ Kuvendi i Shqipërisë në seancë plenare

SYRI TV/ Tarifat abuzive në Sharrë/ KLSH: Nuk ka incenerim, të negociohet për uljen e çmimit

11:50, 16/08/2023
A+ Aa A-

Tashmë që landfilli i Sharrës ka kaluar në administrim shtetëror është momenti më i përshtatshëm që autoritetet të negociojnë çmimin abuziv prej 29 euro për ton mbeturina, teksa shërbimi nuk ofrohet i plotë. Prej më shumë se një viti Kontrolli i Lartë i Shtetit i sugjeroi institucioneve publike të diskutonin me kompaninë koncesionare “Integrated Energy BV” për të ulur tarifën që paguhet nga taksat e qytetarëve, por deri më tani nuk është bërë asnjë përpjekje për të zbutur pasojat negative financiare

SYRI TV

Kalimi i landfillit të Sharrës në administrim shtetëror, mund të përbëjë momentin më të përshtatshëm për autoritetet shtetërore që të negociojnë çmimin abuziv prej 29 euro për ton mbeturina që paguhet nga bashkitë e Qarkut Tiranë, për një shërbim që nuk ofrohet i plotë.

Më shumë se një vit më parë, Kontrolli i Lartë i Shtetit i sugjeroi institucioneve publike, përfshirë Ministrisë së Infrastrukturës dhe Bashkisë së Tiranës, që të diskutonin me kompaninë koncesionare “Integrated Energy BV” për të ulur tarifën që paguhet nga taksat e qytetarëve, përsa kohë në landfillin e Sharrës nuk kryhet incenerimi i mbetjeve urbane.

Ky sugjerim i KLSH-së u kalua në heshtje dhe nuk rezulton asnjë e dhënë publike që të dëshmojë se institucionet shtetërore kanë bërë përpjekje për të zbutur pasojat negative financiare. Deri para 1 gushtit 2023, negociatat e mundshme për çmimin, në çdo rast do të kërkonin mirëkuptimin e kompanisë private. Ndërsa, duke filluar nga ky muaj, shoqëria koncesionare është nën administrimin shtetëror, pas sekuestrimit të urdhëruar nga Prokuroria Speciale, SPAK.

Pra, tashmë është shumë më e thjeshtë që të diskutohet dhe negociohet mes administratorit shtetëror nga njëra anë dhe Ministrisë së Infrastrukturës e Bashkisë së Tiranës nga ana tjetër, për të negociuar çmimin dhe për të paguar saktësisht shërbimin që ofrohet nga kompania që menaxhon landfillin e Sharrës.

Kontrata koncesionare parashikon që bashkitë e qarkut të Tiranës do të paguajnë 29 euro për ton mbeturina, e cila përfshin depozitimin, ndarjen dhe incenerimin e tyre.

Kompania “Integrated Energy BV”, në pronësi de facto të Klodian Zotos dhe Mirel Mërtirit, prej më së paku 7 vitesh, nuk e kryen procesin e incenerimit, pasi nuk ekziston impianti i djegies së mbetjeve. Megjithatë, negocimi i çmimit, më saktësisht ulja e tarifës abuzive, duket se nuk është në planet e autoriteteve shtetërore.

Administratori shtetëror i Sharrës, Arjan Baçi, deklaroi në daljen e tij të parë publike se ai do të vijojë të respektojë pikë për pikë kontratën koncesionare, ku natyrisht përfshihet edhe tarifa 29 euro për ton.

Nga ana tjetër, kryetari i Bashkisë së Tiranës, Erion Velaj, megjithëse pranoi pak ditë më parë se ka tre muaj që nuk ka kryer pagesat për depozitimin e mbetjeve në Sharrë, la të kuptohet se nuk ka ndërmend të bëjë asnjë lëvizje për të sugjeruar apo propozuar uljen e tarifës abuzive, e cila, të paktën deri më tani që nuk ekziston inceneratori, rëndon padrejtësisht mbi taksat e qytetarëve të Tiranës.

© SYRI.net

Lexo edhe:

Komentet

Shto koment

Denonco