Salianji thërret Ballën në interpelancë: Pse SPAK thotë se nivele të larta të Policisë bashkëpunojnë me krimin?

Salianji thërret Ballën në interpelancë: Pse SPAK thotë se nivele të larta të Policisë bashkëpunojnë me krimin?

10:53, 02/05/2024
A+ Aa A-

"Keni nxjerrë një urdhër mbi të cilin, punonjës policie që përdorin SKY ECC apo telefona të enkriptuar, duhet të vetëdeklarohen. Sa punonjës të policisë e kanë bërë këtë vetëdeklarim? A ka ministra në dijeninë tuaj që përdornin po të njëjtat telefona?"

Deputeti i PD Ervin Salianji ka thirrur sot në interpelancë në Kuvend, ministrin e Brendshëm Taulant Balla dhe siç e theksoi ën fjalën e tij, arsyeja ishte akuza që ka bërë ndaj Policisë së Shtetit, vetë kreu i SPAK, Altin Dumani.

Në parashtrimin që i bëri kërkesës së tij, Salianji solli në vëmendje se në operacionin më të fundit të Policisë, atë që është bërë sot, (Tempulli 3) vërehet kapja e shpërndarësve të drogës të niveleve të ulëta dhe jo të drejtuesve të tyre.

“Por lajmi më i rëndë që vërehet sot është vrasja e një çifti në Devoll, - tha deputeti, -  pra, pasiguria politike, situata e rëndë kriminale, trafiku dhe vjedhjet që janë kthyer në shqetësim për qytetarët, gjatë gjithë kohës së qeverisjes së PS-së, pavarësisht ndryshimeve të drejtuesve të policisë. Këto ngjarje kanë nxjerrë në pah paaftësinë e qeverisë për të reaguar.

Kriminelët kapin dhe drejtues të saj dhe ndërkohë që Policia kthehet në gjuetare të krimineleve për llogari të bandave rivale në qytete të ndryshme.

Nga ana tjetër opinioni publik u trondit nga deklarata e kreut të SPAK, z. Altin Dumani, se për krimin e organizuar nuk bashkëpunojnë dot me Policinë e Shtetit për shkak të përfshirjes së saj në nivele të larta në bashkëpunim me krimin, fakte që ne si opozitë kemi vite që i denoncojmë.

Nisur nga kjo deklaratë po edhe gjendja e rënduar e krimit në Shqipëri, kam kërkuar këtë interpelancë.

1. Së pari, zoti ministër, cili është plani i qeverisë për të luftuar krimin dhe paligjshmërinë? Nëse ka një plan të tillë. A ka pasur dhe ka Ministria e Brendshme një plan konkret dhe objektiva të shkruara që i ka vendosur ndaj Drejtorisë së Përgjithshme të Policisë mbi të cilat duhet të arrijë rezultate ndaj krimit?

2. Cilat janë masat që ka marr qeveria për të frenuar gjendjen alarmante të krimit të organizuar? A ka ndikuar dështimi i zbatimit të ligjit të ashtuquajtur “Për Vetingun” në polici dhe nëse keni shifra, s aka qënë kostoja në këto thuajse tetë vite që nga miratimi i ligjit në nisje dhe sa është numri i policëve që janë “vetuar” sipas këtij ligji?

3. Cilat janë masat që ka ndërmarrë qeveria për të frenuar emigracionin e paligjshëm masiv?

4. Cilat janë masat e ndërmarra për të ndaluar trafikun masiv të drogës dhe a ka qeveria sot një numër konkret të të dhënave zyrtare se sa qytetarë shqiptarë jetojnë sot në emigracion?

5. Keni deklaruar dhe keni nxjerrë një urdhër mbi të cilin, punonjës policie që përdorin SKY ECC apo telefona të enkriptuar, duhet të vetëdeklarohen. Sa punonjës të policisë e kanë bërë këtë vetëdeklarim dhe sa punonjës policie sipas strukturave tuaja e kanë përdorur këtë mjet për të komunikuar me njeri tjetrin?

6. A ka ministra në dijeninë tuaj që përdornin po të njëjtat telefona?"/ar.sh/SYRI.NET

© SYRI.net

Lexo edhe:

Komentet

Shto koment

Denonco