SYRI TV/ Skema mashtruese, Zoto përjashtoi Zoton nga Sharra

13:45, 12/08/2023
A+ Aa A-

Një skemë mashtruese është përdorur për të mbuluar pronarët e vërtetë të landfillit të Sharrës. Në një deklaratë për mediat në vitin 2022  kompania Geogenix njoftoi ndërprerjen e marrëdhënieve me Klodian Zoton dhe Stela Gugalljen me arsyetimin se kompania ishte në sekuestro. Por pas një viti hetim të SPAK u konkludua se kompania “Geogenix” dhe filiali i saj në Shqipëri, “Integrated Energy bv” janë të Klodian Zotos dhe Mirel Mërtirit.

Nga SYRI TV

Prej disa vitesh, afera e landfillit të Sharrës është tentuar të mbulohet me propagandë politike qeveritare dhe skema të tjera.

Një ndër këto skema për të bërë konfuz opinionin publik ishte një deklaratë e lëshuar në mars 2022 nga “Geogenix”, kompania mëmë e shoqërisë koncesionare “Integrated Energy bv”.

Në atë deklaratë, “Geogenix bv” informonte qytetarët shqiptarë se kishte vendosur të ndërpriste marrëdhëniet kontraktuale me shoqëritë “Integrated Technology Service” e “Zoto Consulting” të Klodian Zotos, si edhe me shoqërinë “Consulting SE Partners” të Stela Gugalljes.

Kompania mëmë e landfillit të Sharrës, deklaroi se vlerësonte bashkëpunimin me kompanitë e Zotos dhe Gugalljes, por ishte e detyruar që të shkëpuste raportin me to, për shkak se ato ishin vendosur në atë kohë nën sekuestro nga Prokuroria e Posaçme.

Gjithashtu, “Geogenix” u kujdes të theksonte se kompanitë e Zotos e Gugalljes, si “edhe zotëruesit e tyre, nuk kanë asnjë lidhje tjetër veç bashkëpunimit në formën e nënkontraktimit me Shoqërinë tonë”.

Rreth një vit më pas, Struktura e Posaçme Anti-Korrupsion SPAK arriti në konkluzionin se pronarët de fakto të kompanisë “Geogenix” dhe filialit të saj në Shqipëri, “Integrated Energy bv” janë Klodian Zoto dhe Mirel Mërtiri, bashkëjetuesi i Stela Gugalljes.

SPAK arriti në këtë konkluzion pasi ka hetuar mbi komunikimet e brendshme të kompanisë koncesionare të Sharrës, si edhe ka marrë dëshmi të një pjese të personave të përfshirë.

Në këto rrethana, vendimi i marrë në vitin 2022 nga “Geogenix bv” për të ndërprerë bashkëpunimin me Zoton dhe Gugalljan duket si një lëvizje për të çorientuar opinionin publik.

Në fund të fundit, rezultoi se Zoto përjashtoi Zoton. Dhe e gjithë kjo ka ndodhur nën hijen e qeverisë, e cila ka pasur të gjitha mundësitë ligjore dhe faktike për të ditur se pronarët realë të landfillit të Sharrës ishte dyshja Klodian Zoto dhe Mirel Mërtiri.

© SYRI.net

Lexo edhe:

Komentet

Shto koment

Denonco