SYRI TV/ Dyshime se 'pronarët' e Sharrës pastruan para, SPAK po verifikon deklarimet

15:05, 09/08/2023
A+ Aa A-

Prokuroria Kundër Korrupsionit dhe Krimit te Organizuar po verifikon deklarimet e atyre që cilësohen në letra si pronarë të landifilit të Sharrës. Sipas burimeve nga SPAK behet me dije se po heton rolin e tyre në skemën gjigante të pastrimit të parave për të mbuluar pronarët de fakto, Mirel Mërtirin dhe Klodian Zoton. Prokuroria e Posaçme po vijon të ndjekë parimin “ndiq paratë” tek pronarët në letra dhe ata de-fakto.

SYRI TV

Prokuroria e Posaçme ka marrë me rezervë deklarimet e “pronarëve në letra” të landfillit të Sharrës dhe po verifikon rolin e tyre në skemën gjigande të pastrimit të parave për të mbuluar pronarët de fakto, Mirel Mërtiri dhe Klodian Zoto.

Burime nga SPAK deklaruan për “Syri Televizion” se kanë konstatuar mospërputhje të shumta mes deklarimeve të Thomas Hansman, Alberto Presezzi, Giuseppe Ciaffaglione, Salvatore Ruselli e Ernesto Granelli, me dokumentat zyrtare të siguruara gjatë hetimit për koncesionin e impiantit të mbetjeve në Tiranë.

Kompania mëmë në Hollandë u regjistrua në Gusht 2016, me aksionerë “Integrated Technology Service” të Klodian Zotos dhe dy kompanitë italiane, “Paul Ëurth” dhe “Energy Recuperator”.

Përfaqësuesit e dy kompanive italiane kanë deklaruar për SPAK-un se i kanë shitur aksionet e tyre tek shoqëria në Hollandë tek Zoto, në dhjetor 2017.

Por, autoritetet hollandeze kanë informuar prokurorët shqiptarë në qershor 2022 se aksionerët e kompanisë mëmë “Geogenix” vijonin të ishin ende “Paul Ëurth” dhe “Energy Recuperator”, të cilët pretendojnë që janë larguar si aksionerë 5 vjet më parë.

Po ashtu, në qershor 2021, regjistrohen për herë të parë pronarët fundorë të “Geogenix” në Shqipëri. Ata janë Giuseppe Ciaffaglione, Alberto Presezzi dhe Salvatore Ruselli.

Presezzi dhe Ruselli deklarojnë se nuk kanë asnjë dijeni se përse janë regjistruar në Shqipëri, pasi nuk kanë dhënë autorizim. Megjithatë, ata nuk sqarojnë qartësisht se përse dokumentat e tyre personalë gjendeshin në duart e njerëzve të Klodian Zotos për të bërë regjistrimin në Qendrën Kombëtare të Biznesit.Presezzi deklaron se është përfshirë si aksioner i fjetur në “Geogenix bv”, së bashku me kompaninë “ICARE” të Maks dhe Dominik Abitol, në Prill të vitit 2022.

Ndërkohë, letër-porosia e autoriteteve hollandeze për prokurorët shqiptarë konfirmon se, deri në Qershor 2022, pra dy muaj pas kontratave të pretenduara nga Presezzi dhe ICARE, nuk ka pasur asnjë ndryshim të aksionerëve të kompanisë mëmë të koncesionarit të Sharrës.

Krahas këtyre lëvizjeve të dyshimta të pronarëve në letra, SPAK-u ka konstatuar se kompania “Integrated Energy bv” nuk ka dorëzuar pranë Qendrës Kombëtare të Biznesit dokument justifikuese për të provuar ndryshimin e aksionerëve të kompanisë “mëmë”, siç parashikon ligji.

Megjithatë, nga ana e QKB-së rezulton se ata janë regjistruar si pronarë fundorë, pavarësisht mungesës së dokumentacionit.

SPAK-u po vijon të ndjekë parimin “ndiq paratë” tek pronarët në letra dhe ata de-fakto. Ndërkohë, deri më tani, nuk ka asnjë informacion nëse po zhvillon hetime për procedurat që konkluduan me koncesionarin e Sharrës dhe rolin e zyrtarëve të lartë në këtë çështje.

 

© SYRI.net

Lexo edhe:

Komentet

Shto koment

Denonco