SYRI TV/ Zoto pa lekë, Rama i dha bonus për Sharrën - Koncesionari pa fonde fitoi koncesionin 128 mln euro

11:10, 08/08/2023
A+ Aa A-

Qeveria Rama i dha një bonus prej 8 pikësh në vitin 2016 kompanisë së Klodian Zotos dhe Mirel Mërtirit, edhe pse kompania koncesionare nuk ka pasur fonde në dispozicion në atë kohë. Në një përgjigje zyrtare për prokurorët e SPAK, pronari i kompanisë mëmë të koncesionarit të Sharrës pranon mungesën e fondeve, por  kjo gjë se ka penguar Ramën për të miratuar bonusin për kompaninë koncesionare.

Nga SYRI TV

Në 7 dhjetor 2016, qeveria e Edi Ramës miratoi një bonus prej 8 pikësh kompanisë “Integrated Energy bv” të Klodian Zotos dhe Mirel Mërtirit për projektin teknik dhe financiar në procedurën koncesionare për landfillin dhe inceneratorin e Sharrës.

Pra, kabineti qeveritar ka krijuar bindjen se kompania “Integrated” ka pasur në dispozicion të saj vlerën prej 128 milionë euro, e cila ishte kostoja e ndërtimit të veprës publike.

Ndërkohë, të dhënat e siguruara së fundmi nga Prokuroria e Posaçme SPAK zbulojnë që kompania koncesionare jo vetëm që nuk ka pasur fonde në dispozicion në atë kohë, por ajo nuk ka arritur t’i sigurojë as sot.

Alberto Presezzi, pronar i kompanisë “Franco Tosi Mecanica” që rezulton pronar në letra i “Geogenix bv”, shoqëria mëmë të koncesionarit të Sharrës, pranon mungesën e fondeve, në një përgjigje zyrtare për prokurorët e SPAK-ut.

Ai thotë se kompania e tij dhe një ortak zviceran, “ICARE”, janë bashkuar si ortakë maxhoritarë të shoqërisë hollandeze “Geogenix” bv në prill të vitit 2022.

Aksionet e Presezzi-t dhe “ICARE” janë të fjetura dhe do të aktivizoheshin vetëm në rast se do të siguronin financimin në vlerë 100 milionë euro për ndërtimin e inceneratorit të Tiranës.

Presezzi deklaron se aksionet e tij dhe të bashkëpunëtorit të tij, “ICARE” vijojnë të jenë ende të fjetura, pasi nuk kanë arritur të sigurojnë deri më tani financimin 100 milionë euro.

Kjo deklaratë dëshmon se “Integrated Energy bv” nuk i ka pasur kurrë fondet për ndërtimin e landfillit të Sharrës. E, në këto kushte, ngrihet pikëpyetja se si qeveria e Edi Ramës ka miratuar bonusin për kompaninë koncesionare, kur rezulton se nuk ka pasur në dispozicion vlerën e nevojshme për ndërtimin e impiantit të përpunimit të mbetjeve në Tiranë.

Gjithashtu, pikëpyetje ngrihet edhe mbi stafin e ngushtë të Ramës, e konkretisht Sekretarin e Përgjithshëm, Ëngjëll Agaçi dhe Drejtorin Juridik të asaj kohe, Artur Metani, të cilët kanë qenë përgjegjës për vlerësimin paraprak të projekt-vendimeve që dërgoheshin për miratim në Këshillin e Ministrave.

© SYRI.net

Lexo edhe:

Komentet

Shto koment

Denonco