BE-ja e shqetësuar me situatën në veri, kërkon hapa të tjerë nga Qeveria

BE-ja e shqetësuar me situatën në veri, kërkon hapa të tjerë nga Qeveria

08:17, 03/08/2023
A+ Aa A-

Zyrtarë të Bashkimit Evropian i kualifikuan të pamjaftueshme veprimet e deritanishme të Qeverisë në funksion të shtensionimit të situatës në veri, për të cilën kanë përsëritur se mbesin ende të shqetësuar. Ani se e kanë mirëpritur reduktimin e forcave policore, në BE deklaruan se duhet që të bëhet edhe pezullimi i operacioneve të Policisë së Kosovës brenda dhe në afërsi të katër objekteve komunale në veri, teksa e kërkuan edhe largimin prej tyre të të gjithë kryetarëve të zgjedhur në fundprill.

Aktualisht, vetëm Lulzim Hetemi është duke e ushtruar mandatin nga objekti komunal në Leposaviq
Hapat e deritanishëm të Qeverisë në funksion të shtensionimit të situatës në veriun e Kosovës, të banuar kryesisht me serbë, janë kualifikuar si të pamjaftueshëm nga Bashkimi Evropian.

Ndonëse zyrtarë të Qeverisë thanë se janë bërë veprime konkrete drejt shtensionimit, në zyrën e lehtësuesit të dialogut Kosovë-Serbi, Miroslav Lajçak, kërkuan të ndërmerren hapa të tjerë.

Mes tyre u potencua nevoja për largimin e kryetarëve nga objektet komunale dhe ushtrimi i detyrave të tyre nga zyra alternative. Nga katër kryetarët e zgjedhur në fundprill, vetëm ai i Leposaviqit, Lulzim Hetemi, po vazhdon të qëndrojë në objektin komunal.

“BE-ja mbetet e shqetësuar për tensionet në veri të Kosovës. BE-ja ka dënuar dhunën dhe vazhdon të bëjë thirrje për depërshkallëzimin e menjëhershëm nga të dyja palët. BE-ja ka shtruar kërkesa specifike për depërshkallëzimin për të dyja palët (sipas Deklaratës së përfaqësuesit të lartë në emër të BE-së të datës 3 qershor, propozimit të përfaqësuesit të lartë për të dyja palët më 22 qershor dhe konkluzioneve të Këshillit Evropian të datës 30 qershor). Në deklaratën e 3 qershorit, të rënë dakord nga 27 shtetet anëtare, BE-ja e thotë qartë se ishte e gatshme të merrte masa në rast të dështimit për depërshkallëzim”, ka thënë Zyra për informim e Bashkimit Evropian.

Pas takimit midis kryenegociatorit Besnik Bislimi e emisarit Lajçak në Bratislavë, Qeveria u pajtua t’i largojë njësitet speciale nga komunat, në masën prej 25 për qind. Është pajtuar edhe që të dalë me një deklaratë publike për mbështetjen e mbajtjes së zgjedhjeve të parakohshme në katër komunat në veri, pas verës.

Por, sipas BE-së, këto veprime nuk janë të mjaftueshme.

“BE-ja i kërkoi Kosovës që të veprojë në mënyrë joshkallëzuese dhe t’i pezullojë menjëherë operacionet e policisë brenda dhe në afërsi të katër ndërtesave komunale në veri të Kosovës. Katër kryetarët e komunave duhet të kryejnë përkohësisht detyrat e tyre në objekte të ndryshme nga ndërtesat komunale. BE-ja e mirëpret njoftimin e Qeverisë së Kosovës për një reduktim të menjëhershëm prej 25% të pranisë së policisë në dhe përreth ndërtesave komunale në veri të Kosovës, si dhe përkushtimin për uljen e mëtejshëm pas vlerësimeve të përbashkëta të sigurisë nga Policia e Kosovës, EULEX-i dhe nëse është e përshtatshme – KFOR-in. Këta janë hapa në drejtimin e duhur, por nevojiten hapa të mëtejshëm”, ka thënë Zyra për informim e BE-së.

Në Qeveri nuk treguan nëse do t’i përgjigjen kërkesës së BE-së për largimin e kryetarit Hetemi nga godina komunale.

Zbatimi i masave për shtensionim në veri ka qenë temë diskutimi në takimin që patën të mërkurën zyrtarë të KFOR-it, Policisë së Kosovës dhe EULEX-it. Sipas njoftimit nga KFOR-i, takimi ishte pozitiv dhe do të pasohet me të tjera periodike, në nivel teknik e ekzekutiv.

“Ata diskutuan gjerësisht për masat e shtensionimit që do të zbatohen në afat të shkurtër nga institucionet në Kosovë. Takimi ishte pozitiv dhe konstruktiv dhe do të pasohet nga takime të mëtejshme periodike si në nivel teknik dhe ekzekutiv”, thuhet në postimin e KFOR-it në Twitter.

Sipas dakordimit në Bratislavë, Policia e Kosovës bashkë me EULEX-in dhe KFOR-in do të vlerësojnë gjendjen e sigurisë, “në veçanti për të shikuar mundësinë për zvogëlim të mëtejmë të prezencës policore në dhe rreth ndërtesave komunale”.

© SYRI.net

Lexo edhe:

Komentet

Shto koment

Denonco