Dekonspirimi i aksionit të SPAK/ Berisha: Urdhër-arrestet u shitën nga 3 deri në 5 milionë euro

Dekonspirimi i aksionit të SPAK/ Berisha: Urdhër-arrestet u shitën nga 3 deri në 5 milionë euro

12:27, 28/07/2023
A+ Aa A-

Kryetari demokrat, Sali Berisha, denoncoi sot dekonspirimin e aksionit të djeshëm të SPAK.

“Jam këtu për të dënuar me forcën më të madhe dështimin e operacionit antikrim të ndërmarrë dje dhe pardje, në të cilin, nga 15 mandate arresti, janë ekzekutuar gjithsej 4. 11 të tjera janë shitur. Janë shitur me shumë marramendëse, me shuma që shkojnë, siç flitet edhe 3 dhe 5 milionë euro.

Bosët e drogës dhe krimit, paratë i kanë në kontejner të groposur, për të shpëtuar kokën, nuk njohin kufi.

Por dekonspirimi i aksionit jashtëzakonisht të rëndësishëm, është një akt, një megakrim i vërtetë. E bën shumë dëshpëruese përpjekjen e atyre, të cilët përpiqen të çlirojnë shqiptarët nga kthetrat e krimit.

Të dekonspirosh në një operacion, mbi 72 përqind të mandat arresteve, je 7 herë kriminel më keq se ata që i informon, pavarësisht nga krimi që mund të kenë kryer.

Ky operacion, për të cilin duhet të shpreh mirënjohjen më të thellë ndaj Europolit, në veçanti organeve ligjzbatuese të Belgjikës dhe Francës, për dosjet dhe materialet që kanë sjellë nga deshifrimet e bisedave, videove dhe çdo gjë tjetër që është kapur në telefonat SKY, ECC dhe EncroChat.

Duhet të falënderoj gjithashtu çdo zyrtar shqiptar, që përsëri ka kurajën, integritetin për të zbatuar ligjin kundër kriminelëve në pushtet dhe atyre të lidhur me pushtetin.

Të gjitha fijet e këtij operacioni të çojnë te Edi Rama dhe Taulant Balla.

Ju konstatuat se dje gjithë ditën, kishte dy njoftime, njëri se u arrestuan 6, në një kohë kur kishte vetëm katër emra. Nuk dilnin me 4, se do kuptohej se dështimi ishte total.

Së dyti, të tjerët ia kanë mbathur me kohë, sipas TIMS, dhe mjerisht keqpërdorin gazetarët në mënyrën më të pandershme, i dezinformonin. Se ikën para apo prapa, ata të gjithë ishin në Shqipëri. Njësoj siç u informua kryedezertori Arben Ahmetaj, u njoftuan edhe këta. Këtu jemi në një praktikë të zakonshme të këtij pushteti krimi për të njoftuar kriminelët që të largohen.

Mediat kanë publikuar dje transkript të komunikimit të Taulant Ballës me Bajrët, jo për këtë rast, por për rastin e lojërave të fatit, ku thonë se Taulanti është në rregull për licencimin, ligjin apo ça kanë, por duhet të gjejmë ndonjë deputet demokrat që të ecim përpara.

Vetë Taulanti, pasi garanton largimin e 9 kriminelëve me mandat arresti, u shpreh dje duke u kujtuar shqiptarëve atë përrallën që thotë, më jep kandarin, por mos kujto se do masim paratë. Edhe ky, bravo i qoftë policisë, por mos kujtoni se i njoftova unë. Po çfarë bravo ka këtu, kur 11 kriminelë ikën? Ky është sukses spektakolar i krimit.

Ndaj dhe unë e dënoj këtë akt si një krim shumë të rëndë shtetëror. Asgjë nuk mund të mbrojë këta bashkëpunëtorë të krimit me aktin që kanë kryer,” tha Berisha.

© SYRI.net

Lexo edhe:

Komentet

Shto koment

Denonco