1 mln lekë për vendin e punës/ SPAK dërgon për gjykim vartësin e Veliajt

1 mln lekë për vendin e punës/ SPAK dërgon për gjykim vartësin e Veliajt

09:16, 26/07/2023
A+ Aa A-

Pas transmetimit në emisionin investigativ “Stop” në TV Klan, ku tregohej me zë dhe figurë se si punonjësi i Drejtorisë së Përgjithshme të Objekteve Publike pranë Bashkisë së Tiranës, Erjon Buçuku, mori ryshfet për të siguruar një vend pune, SPAK njofton se 42-vjeçari është dërguar për gjykim.

"Nga hetimi i gjithanshëm dhe objektiv i këtij procedimi është provuar tej çdo dyshimi të arsyeshëm se, i pandehuri Erjon Buçuku, me detyrë Përgjegjës i Sektorit të Burimeve Njerëzore të Drejtorisë së Përgjithshme të Objekteve Publike në Bashkinë Tiranë, ka përfituar në mënyrë të parregullt vlerën monetare prej 100.000 (njëqind mijë) lekë, për të punësuar shtetasin G. B., si roje të shkollës 9 vjeçare “Ardian Klosi”, Tiranë, si dhe i ka kërkuar përfitim të parregullt shtetasit G. B. në vlerën monetare prej 150.000 (njëqind e pesëdhjetë mijë) lekë, për të punësuar të fejuarën e tij si sanitare në shkollën “Mihal Grameno” Tiranë, por shtetasi G.B. nuk ia ka dhënë këtë vlerë monetare," thekson SPAK.

NJOFTIMI ZYRTAR

Prokuroria e Posaçme kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar ka kryer hetime në kuadër të procedimit penal nr.124 të vitit 2023 dhe në përfundim të tyre në datën 24.07.2023 i është drejtuar Gjykatës së Posaçme të Shkallës së Parë për Korrupsionin dhe Krimin e Organizuar me kërkesë për dërgimin e çështjes për gjykim në ngarkim të të pandehurit:

• Erjon Buçuku, i akuzuar për kryerjen e veprës penale “Korrupsioni pasiv i personave që ushtrojnë funksione publike”, parashikuar nga neni 259/2 i Kodit Penal.

Më datë 23.05.2023, në emisionin investigativ “STOP” të televizionit kombëtar “Klan” janë transmetuar me pamje filmike video/audio veprime me natyrë korruptive të të pandehurit Erjon Buçuku, me detyrë Përgjegjës i Sektorit të Burimeve Njerëzore të Drejtorisë së Përgjithshme të Objekteve Publike në Bashkinë Tiranë. Trasmetimi i këtyre pamjeve ka shërbyer edhe si indicje për fillimin e hetimeve të këtij procedimi penal.
Nga hetimi i gjithanshëm dhe objektiv i këtij procedimi është provuar tej çdo dyshimi të arsyeshëm se, i pandehuri Erjon Buçuku, me detyrë Përgjegjës i Sektorit të Burimeve Njerëzore të Drejtorisë së Përgjithshme të Objekteve Publike në Bashkinë Tiranë, ka përfituar në mënyrë të parregullt vlerën monetare prej 100.000 (njëqind mijë) lekë, për të punësuar shtetasin G. B. si roje të shkollës 9 vjeçare “Ardian Klosi”, Tiranë, si dhe i ka kërkuar përfitim të parregullt shtetasit G. B. në vlerën monetare prej 150.000 (njëqind e pesëdhjetë mijë) lekë, për të punësuar të fejuarën e tij si sanitare në shkollën “Mihal Grameno” Tiranë, por shtetasi G. B., nuk ia ka dhënë këtë vlerë monetare.
Veprimet hetimore të këtij procedimi penal janë kryer nga hetuesit e Byrosë Kombëtare të Hetimit nën drejtimin dhe kontrollin e Prokurorit të Posaçëm.

© SYRI.net

Lexo edhe:

Komentet

Shto koment

Denonco