Arrestimet në qeveri/ Shpend Gashi: Me ‘fajin personal’ Rama po na tregon se është i paaftë

21:01, 25/07/2023
A+ Aa A-

Pedagogu i gjeopolitikës Shpend Gashi i ftuar në ‘A Shoë’ me Adi Krastën në SYRI TV, ka folur për qeverisjen e Edi Ramës dhe teorinë e këtij të fundit se ‘faji është personal’ e jo politik, për të gjithë ata që kapen në korrupsion në qeverinë e tij.

Gjatë diskutimit në SYRI TV, Gashi tha gjithashtu se, median e ka kapur një mercenarizëm.

‘Median e ka kapur një mercenarizëm i frikshëm. Pra njerëzit nuk thonë atë që duan të thonë, por se çfarë duhet të thonë, në bazë të kontekstit që duhet ta thonë, që i shërben e gjitha një diçkaje shumë më makro se sa loja që luajmë ne me njëri-tjetrin.

Kush e njeh Edi Ramën personalisht, por edhe ata që e njohin vetëm politikisht, Rama është perfekt për të krijuar alibi. E ka nisur alibinë që në 2013 që ‘fajin e ka Saliu’, e ka sjellë deri në 2023 me të njëjtën alibi.

Pra ka një formulë suksesi të neveritshme për shijet e mia, por që e ka shumë efektive dhe bën një lloj diversive të realitetit. Hajde e gjeje tani se kush e ka fajin. E ke fajin ti që e more në intervistë pune një person i cili është lehtësisht i korruptueshëm, e ke fajin ti që nuk e ke ditur që e ke fajin për këtë personin e korruptueshëm, apo e ka fajin ai.

Dhe hajde ndaje tani se kush është faji personal dhe politik, sepse edhe po të duash ti ndash në skenarin më të mirë, ofiqi i kryeministrit në vendin tonë është bërë personal, sepse zotëria nuk është 8 orë kryeministër, por 24 orë dhe 365 ditë të vitit dhe harron që ndonjëherë duhet të heqë atë petkun.

Gjithmonë e heq, deri në momentin që plas skandali i radhës. Shiko se unë nuk kam qenë këtu, unë kam zgjedhur, Ahmetaj ka bërë zgjedhjet e veta, por që mban faj personal.

Tani një mendje e shëndetshme, a nuk mendon se ti me bashkëpunëtorin politik ndan disa biseda, ndan disa projekte apo thjeshtë ka qenë një qeveri që secili ka punuar për hesap të vet, dhe ti praktikisht po ju thua gjithë shqiptarëve që ndoshta jam i paaftë’, tha pedagogu Shpend Gashi në SYRI TV.

EMISIONI I PLOTE:

© SYRI.net

Lexo edhe:

Komentet

Shto koment

Denonco