Rama legalizon kanabisin/ VOA: Abstenuan tre socialistë të vjetër

Rama legalizon kanabisin/ VOA: Abstenuan tre socialistë të vjetër

08:37, 21/07/2023
A+ Aa A-

Kuvendi i Shqipërisë shqyrtoi për tre orë pas mesnate të premten dhe miratoi projektligjin “Për kontrollin e kultivimit dhe përpunimit të bimës së kanabisit dhe prodhimit të nënprodukteve të tij për qëllime mjekësore dhe industriale”.

Ligji mori 69 vota pro, 23 kundër, 3 abstenime. Tre votat abstenuese u përkisnin deputetëve socialistë Fatmir Xhafaj, Pandeli Majko dhe Erjon Braçe.

Qeveria deklaroi se me këtë projektligj synon rregullimin dhe mbikëqyrjen e kultivimit, përpunimit, qarkullimit, si dhe eksportimin e bimës së cannabis-it, të nënprodukteve të tij dhe produkteve përfundimtare për qëllime mjekësore dhe industriale.

Autoritetet besojnë se përmes një procesi të licensuar do të rritet ekonomia e vendit, si dhe kontrolli i subjekteve, që do të merren me kultivimin dhe përpunimin e bimës së kanabisit, duke krijuar një institucion të veçantë. Ministrja e Shëndetësisë, Ogerta Manastirliu, theksoi se projektligji parashikon krijimin e një agjencie për kontrollin, regjistrimin e prodhimit, dhënien e licensave për eksportin përmes një komisioni të posaçëm, si dhe mbikëqyrjen nga një njësi e specializuar.

“Regjistri kombëtar i subjekteve të licensuara do të regullojë prodhimin e kontrolluar të cannabis-it për qëllime mjekësore. Licensa mjekësore parashikon transportin e farërave, bimëve dhe deri te produktet dhe nënproduktet”, tha zonja Manastirliu.

Projektligji parashikon se licencë mund të kërkojë çdo person juridik, që ka përvojë 3-vjeçare në prodhim, kultivim dhe qarkullim të bimës së kanabisit për qëllime mjekësore. Autoritetet pohojnë se subjekti duhet të jetë ushtrues për të paktën 5 vite i veprimtarisë së prodhimit të nënprodukteve të bimës së kanabisit në një nga vendet e Organizatës për Bashkëpunim Ekonomik dhe Zhvillim. Sipas projektligjit, licenca mund të jepet për një periudhë 15-vjeçare, me të drejtë rinovimi, ndërsa zbatimi i kushteve të licensës verifikohet çdo 3 vjet.

Relatori i projektligjit, deputeti opozitar Tritan Shehu, tha se projektligji bie ndesh me Kodin Penal dhe synon përdorimin e drogave për trafiqe, ndërsa strukturat e sigurisë nuk kanë kapacitete për të kontrolluar territorin. “Me këtë projektligj synohet të licensohen grupet kriminale. Ky ligj do ta bëjë Shqipërinë një republikë kanabisi, ndërkohë është e prekur nga narkotikët në të gjitha shtresat e shoqërisë, sidomos të rinjtë. Prodhimi vazhdon në të zezë dhe tani presin vetëm licensat”, tha zoti Shehu.

Kundër këtij projektligji u shpreh gjatë fjalimit të tij edhe deputeti socialist Fatmir Xhafaj. Ai kujtoi se kur ishte ministër i Punëve të Brendshme policia e ka luftuar fuqishëm kultivimin e narkotikëve dhe ai vet ishte luftuar nga shumë anë pikërisht për goditjen e kësaj dukurie.

“Gjatë atyre dy viteve Shqipëria ka regjistruar dy vitet me statistikat më minimale në kultivimin dhe trafikimin, e konfirmuar nga Guardia di Finanzia italiane”, tha zoti Xhafaj.

Ai tha se kanabisi është i pranishëm midis shqiptarëve edhe pse është i paligjshëm, duke nisur nga përdorimi politik, që bëhej në Lazarat, e deri tek përdorimet financiare.

“A është gati shoqëria shqiptare për këtë projektligj me rreziqe të mëdha sociale? Mendoj se kjo është qasje e gabuar. Ky është një biznes që vret. Po ashtu vret besimin e njerëzve tek puna. Mendoj se është një hap i parakohshëm për Shqipërinë”, tha zoti Xhafa.

Opozita shprehu dyshime pse projektligji u miratua me shpejtësi në komisionet parlamentare nga socialistët, dhe nga ana tjetër nuk ka ndonjë studim mbi përfitimet që ka ekonomia e Shqipërisë në raport me rreziqet dhe pasojat sociale, shëndetësore dhe kriminale që sjell përdorimi i marihuanës. Deputetët opozitarë shprehën skepticizëm se ministria e Shëndetësisë, që është ngarkuar me zbatimin e këtij projektligji nuk i ka kapacitetet e duhura, ndërkohë që as policia nuk ka arritur ende rezultate të mjaftueshme në luftën ndaj grupeve kriminale, që kultivojnë bimë narkotike në shumë zona të Shqipërisë.

Megjithatë shumica socialiste e miratoi projektligjin me votat e saj, për të ligjëruar kultivimin dhe përpunimin e kanabisit për qëllime mjekësore dhe industriale, duke përsëritur se kontrollet do të jenë të rrepta dhe mundësitë e fitimeve financiare dhe punësimi janë të mëdha./VOA

© SYRI.net

Lexo edhe:

Komentet

Shto koment

Denonco