Alfred Pezës i kërkohet të ndalojë shkarkimet ‘arbitrare’ në RTSH

Alfred Pezës i kërkohet të ndalojë shkarkimet ‘arbitrare’ në RTSH

18:22, 19/07/2023
A+ Aa A-

Sindikatat e medias në Shqipëri dhe në Evropë po kritikojnë valën e shkarkimeve në televizionin publik shqiptar, RTSH, që nisi pas emërimit të Alfred Pezës si drejtor i ri, nga socialistët në pushtet, një muaj më parë.

Nga Fjori Sinoruka-BIRN

Unioni i Gazetarëve Shqiptarë dënoi të mërkurën shkarkimet e fundit në televizionin publik RTSH, duke thënë se ato kontribuojnë në përkeqësimin e lirisë së medias në vend.

“Unioni i Gazetarëve Shqiptarë vendime të tilla ekstreme i konsideron arbitrare dhe përbëjnë një klimë tensioni, presioni dhe ndëshkimesh ndaj gazetarëve, aq më tepër në kushtet kur në këtë institucion nuk ekzistojnë përfaqësime sindikale dhe struktura dialoguese mes administratorëve dhe entiteteve profesionale apo punonjësve që largohen,” thuhet në deklaratë.

Alfred Peza, një ish-zyrtar dhe ish-deputet i Partisë Socialiste në pushtet, u zgjodh drejtor i ri i RTSH në qershor, duke shkaktuar shqetësim për pavarësinë e tij politike.

BIRN kontaktoi Pezën për një koment në lidhje me kritikat, por nuk mori përgjigje deri në momentin e publikimit, përtej këshillimit që të kontaktonim me institucionin.

Unioni tha se kishte mësuar se 10 gazetarë të shkarkuar, operatorë dhe anëtarë të redaksive të programacionit dhe Radio Tiranës kanë nisur procedurat e ankimimit në gjykata për shkarkimin e tyre.

“Gazetarët na informojnë se një komision i ngritur pranë Departamentit të Burimeve Njerëzore të RTSH-së realizon një seancë dëgjimi formale të punonjësve në largim,”, tha unioni.

Unioni i bëri thirrje kreut të ri të RTSH-së që të rishikojë shkarkimet dhe i kërkoi OSBE-së të monitorojë situatën.

Ricardo Gutierrez, Sekretari i Përgjithshëm i Federatës Evropiane të Gazetarëve, EFJ, tha gjithashtu se ata ishin “të alarmuar” për shkarkimet “arbitrare”.

“Jemi të alarmuar nga vala e shkarkimeve arbitrare të urdhëruara nga drejtori i ri i televizionit publik shqiptar #RTSH, zoti Peza”, shkroi Gutierrez në Twitter.

Blerjana Bino, nga Rrjeti i Gazetarëve të Sigurt, tha për BIRN se “për këto shqetësime kërkohet një përgjigje dhe reagim publik nga drejtori dhe nga RTSH-ja si institucion”.

“Kërkohet transparencë dhe zbatim i qartë i Kodit të Punës së bashku me mbrojtjen e të drejtave dhe mirëqenies së gazetarëve,” shtoi ajo.

Organizatat mediatike ndërkombëtare dhe vendase kanë shprehur rregullisht shqetësime për klimën mediatike në Shqipëri.

Në vitin 2022, Shqipëria ra me 20 vende në indeksin e lirisë së shtypit të përpiluar nga Reporterët pa Kufij, duke u renditur nga vendi i 83-të në vendin e 103-të.

Reporterët pa Kufij thanë se gazetarët në Shqipëri janë në shënjestër të grupeve të krimit të organizuar, madje edhe nga dhuna policore dhe se shteti nuk po arrin t'i mbrojë ata, ndërsa mediat private janë në pronësi të biznesmenëve që kanë lidhje me politikanë.

 

© SYRI.net

Lexo edhe:

Komentet

Shto koment

Denonco