SPAK i sekuestron 4 apartamente dhe 2 llogari bankare, Ahmetaj: U bë reprezalje në familjen time

SPAK i sekuestron 4 apartamente dhe 2 llogari bankare, Ahmetaj: U bë reprezalje në familjen time

08:38, 19/07/2023
A+ Aa A-

Ish-ministri i Financave dhe Rindërtimit, numri dy i qeverisë dhe ish-deputeti Arben Ahmetaj, prej kohësh duket se është kthyer në shënjestrën e SPAK.

Pos heqjes së mandatit dhe hapjes së udhës për arrestimin, në sitën e hetimit po kalon edhe pasuria e tij, më saktë janë një mori banesash që sipas hetimit rezultojnë të mos jenë asnjë në emrin e vet. Këto banesa janë në emër të familjarëve të Ahmetajt, ndërkohë që prej kohësh dy vila, një në Hamallaj dhe tjetra në jug janë bërë objekt kontrollesh me idenë e zbulimit të fakteve dhe provave që do të shërbejnë për faktimin e akuzave që janë ngritur mbi një nga personat më të rëndësishëm të qeverive të Edi Ramës dhe të Partisë Socialiste.

Kështu, Prokuroria e Posaçme, SPAK, pas urdhrit të arrestimit për ish-zëvendëskryeministrin Arben Ahmetajn, ku bëhet me dije se ditën e hënë, më 17 korrik, është dhënë vendimi për të ushtruar kontroll në 7 banesat e tij. SPAK bën me dije se “Gjatë kontrollit janë gjetur dhe sekuestruar dokumente me interes për hetimin si dhe kompjuter lap-top, telefona celularë, USB etj., të cilët do t’i nënshtrohen verifikimeve të mëtejshme”.

Sakaq, kjo prokurori sqaron se ka nisur procedimet për zbatimin e masës së sigurimit pasuror, për sekuestrimin e 6 pasurive të Ahmetajt, nga të cilat 4 janë apartamente dhe 2 llogari bankare.

Njoftimi i SPAK

Prokuroria e Posaçme kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar dhe Byroja Kombëtare e Hetimit në bashkëpunim me Drejtorinë e Përgjithshme të Policisë së Shtetit, në kuadrin e hetimit të procedimit penal nr. 277/ 1 të vitit 2022, të regjistruar për veprat penale të “Shpërdorimit të detyrës”, “Korrupsionit pasiv të funksionarëve të lartë shtetërore ose të zgjedhurve vendorë”, “Korrupsionit aktiv të funksionarëve të lartë shtetërore ose të zgjedhurve vendorë”, “Refuzimi për deklarimin, mosdeklarimi, fshehja ose deklarimi i rremë i pasurive, interesave privatë të personave të zgjedhur dhe nëpunësve publikë ose i çdo personi tjetër që ka detyrimin ligjor për deklarim” dhe “Pastrimi i produkteve të veprës penale ose veprimtarisë kriminale”, parashikuar respektivisht nga nenet 248, 260, 245, 257/ a dhe 287 i Kodit Penal (procedim penal i regjistruar ndër të tjerë edhe në ngarkim të personit nën hetim Arben Ahmetaj), sot, më datë 18.7.2023 ka proceduar me kryerjen e kontrolleve dhe sekuestrove si më poshtë:

Në zbatim të vendimeve të Gjykatës së Posaçme të Shkallës së Parë për Korrupsionin dhe Krimin e Organizuar Tiranë me nr.295 akti datë 16.07.2023 dhe nr.297 akti datë 17.7.2023 ka ushtruar kontroll në 7 (shtatë) banesa. Gjatë kontrollit janë gjetur dhe sekuestruar dokumente me interes për hetimin si dhe kompjuter lap-top, telefona celularë, USB etj., të cilët do t’i nënshtrohen verifikimeve të mëtejshme.

Në respektim të vendimit nr. 296 akti datë 17.7.2023 të Gjykatës së Posaçme të Shkallës së Parë Për Korrupsionin dhe Krimin e Organizuar ka proceduar me zbatimin e masës së sigurimit pasuror, sekuestro preventive mbi 6 (gjashtë) pasuri nga të cilat 4 (katër) apartamente (njëri i përshtatur si AIR BNB) në pronësi të personit nën hetim Arben Ahmetaj si dhe 2 (dy) llogari bankare të po këtij shtetasi në shumën 124 300 (njëqind e njëzetë e katër mijë e treqind Euro).

Reagimi i Ahmetajt

“Sot u bë raprezalja e rradhës në familjen time, nga mosha 82 vjeç e poshtë.

Madje pleqve iu janë marrë dhe celularët, në kërkim të provave për “inceneratorët”.

Ndërsa “spin doctor”/kontakt inceneratorësh, ka qarkulluar lajmin e rremë se qenkan transferuar 1,8 milionë euro…Në vend të merren me fondet e inceneratorëve, merren me 1,8 milione euro imagjinarë. Fake news e prodhuar në laboratorët e ortakërisë mediatike dhe jo vetëm, të inceneratorëve ….”

© SYRI.net

Lexo edhe:

Komentet

Shto koment

Denonco