VIDEO SYRI TV/ Rama, nesër takim informal me vendet e rajonit. Nuk dihet nëse Albin Kurti do jetë i pranishëm

14:03, 16/07/2023
A+ Aa A-

Kryeministri Edi Rama do të zhvillojë nesër një takim informal në Tiranë me disa nga shefat e qeverive të rajonit në kuadër të përgatitjeve për samitin e procesit të Berlinit. Ende nuk dihet nëse kryeministri i Kosovës, Albin Kurti do të marrë pjesë në këtë takim të thirrur nga Rama.  

Nga SYRI TV

Edi Rama do të presë hënën në Tiranë disa nga shefat e qeverive të vendeve të Ballkanit Përendimor. Takimi, siç e ka paralajmëruar vetë Rama, do te jetë informal dhe pritet ti bashkohet edhe komisioneri i Bashkimit Europian për Zgjerimin, Oliver Varhelyi.

Burime pranë qeverisë thonë se pjesëmarrjen ne takim e ka konfirmuar, kryeministri në ikje i Malit të Zi Dritan Abazoviç, kryeministri i Maqedonisë së Veriut, Dimitar Kovaçevski, kryeministrja e Bosnje Hercegovinës, Borjana Krishto dhe kryeministrja e Serbisë, Ana Bërnabiç.

Ende nuk dihet nëse kryeministri i Kosovës, Albin Kurti do të marrë pjesë në këtë takim të thirrur nga Edi Rama.

Të njëjtat burime saktësojnë se takimi informal do të zhvillohet ne ambientet e vilës qeveritare numër 30 në Tiranë dhe në fokus do të jenë përgatitjet për Samitin e Procesit të Berlinit që do të mbahet në Tiranë në muajin Tetor.

Ky takim informal vjen pas një turi rajonal të organizuar me urgjencë nga Rama në datat 6 dhe 7 korrik i cili nuk shkoi ashtu siç do të kishte dashur shefi i qeverisë. Që në nisje të këtij turi ai u përball me mosmarrëveshje me homologun maqedonas, Dimitrar Kovaçevski, lidhur me Ballkanin e Hapur. Etapa e dytë e vizitës ishte edhe më e rëndë për Edi Ramën pas refuzimit të homologut kosovar Albin Kurti për ta takuar në Prishtine.

Më pas në Bosnje Hercegovinë, Rama u përball me mosdakortësi nga Sarajeva zyrtare e cila u shpreh jo e gatshme të aprovojë, dy nga themelet e procesit të Berlinit, në raport me Kosovës, lëvizjen e lirë të qytetarëve dhe lëvizjen e lirë të mallrave.

Frustrimi i Ramës arriti Kulmin në Podgoricë ku gjatë konferencës së përbashkët për shtyp, me homologun Dritan Abazoviç, Rama shpërtheu në sulme ndaj kryeministrit të Kosovës, Albin Kurti ndërsa nuk arriti të japë një përgjigje, për fatin e nismës së ‘Ballkanit të Hapur’. Në etapën e fundit të atij turi në Beograd, ku Presidenti Aleksandër Vuçiç i kujtoi me cinizëm Edi Rames mbylljen e derës që i rezervoi Kryeministri i Kosovës.

Vuçiç u shfaq shpërfillës edhe ndaj rolit të ri dhe protagonizmit që po përpiqet të marre Edi Rama si ndërmjetës mes botës Euroatlantike dhe vendeve të Ballkanit Perëndimor. Deklaratat e Ramës për kumbarët e planit franko-gjerman, të cilëve u kishte dërguar edhe draftin e tij për asociacionin e komunave me shumicë serbe në Kosovë, morën përgjigje të hidhur nga Presidenti serb i cili tha se vendi i tij i zgjedh vetë kumbarët.

© SYRI.net

Lexo edhe:

Komentet

Shto koment

Denonco