Inceneratorët/ Berisha: Sipërmarrja është e Edi Ramës, Mireli dhe Klodiani ishin punonjësit e tij

Inceneratorët/ Berisha: Sipërmarrja është e Edi Ramës, Mireli dhe Klodiani ishin punonjësit e tij

08:51, 15/07/2023
A+ Aa A-

Fjala e Kryetarit të PD, Sali Berisha dhe përgjigjet e tij në konferencën e përjavshme për shtyp, mbajtur dje.

Sali Berisha: "Çështja e djegësave është çështja që është trajtuar më shumë nga media, politika dhe drejtësia këto vitet e fundit. Por konstatoj se ka një defekt në themel, ka një devijim në themel, të trajtimit të këtij problemi.

Së pari, duhet të shtrojmë një pyetje, pse qeveria shqiptare me djegësat është provuar organizatë kriminale. Qeveria shqiptare është provuar organizatë kriminale sepse në këtë aferë kanë firmat e tyre, në kundërshtim me ligjin, kryeministri, sekretari i Përgjithshëm, ministrat, drejtorët dhe punonjësit më poshtë.

Në këtë kontekst, siç është e qartë dhe evidente, tani e konfirmuar dhe nga drejtësia se kemi të bëjmë me një aferë të mirëfilltë korruptive, këtu janë firmat e qeveritarëve më të lartë të vendit, me në krye Edi Ramën.

Por ka një diçka edhe më të madhe dhe unë jam këtu për të dytën. Mediat, politikanët, analistët, për fat të keq edhe drejtësia, flasin për aferën e djegësave si një sipërmarrje e Mërtirit, Zotos dhe së fundi Gugalles. Sa është e vërtetë kjo? Nuk ka asgjë më larg të vërtetës se sa kjo.

Çfarë janë Mërtiri, Zoto dhe Gugallja? Janë tre socialistë të thekur, biznesmenë ose jo, të hurit ose të litarit, ose jo, të cilët në këtë proces arrijnë të futen në garë të qeverisë duke patur zero eksperiencë në fushën e mbetjeve. Cili biznesmen do t;i lejonte vetes një vendi të tillë me zero eksperiencë në të, ndërkohë që ligji kërkon? Asnjë.

Së dyti, pasi nisën procesin me tenderin e Elbasanit, Edi Rama lëshon një vendim për shpalljen e emergjencës kombëtare të plehrave. A mund të besoni ju se Mërtiri dhe Zoto kishin fuqi të bindnin Edi Ramën, për të firmosur emergjencë, për krijuar Komisionin e zv/ministrave që e krijon vetëm kryeministri, me 11 zv/kryeministri, por vetëm e vetëm me dy qëllime.

Së pari, shkelmimin e strategjisë së plehrave, me landfille dhe seleksion, të paguar nga BE-ja. Por mendoji ju se qeveria për Zoton dhe Gugallen do të shkelmonte një strategji të tillë? Kurrën e kurrës.

Së dyti, shpallja e emergjencës pasi fondet duhet të merreshin nga fondet e emergjencës. Mendoni ju se dy sipërmarrës Mërtiri dhe Zoto mund të ishin kaq të magjishëm? Apo se qeveritarët ishin kaq budallenj? As nuk ishin budallenj, as qeveritarët, as ata nuk kishin fuqi magjike.

Kjo dëshmon se ndërmarrja është qeveritare, ishte e Edi Ramës. Mireli dhe Klodiani ishin të punësuar privatë në sipërmarrje dhe kjo nuk mund të jetë ndryshe.

Shkojmë pak më tutje, Mireli dhe Klodiani, dy personazhe, tani jo vetëm që duhet t’i merrnin këto, por duhet t’i merrnin me të gjitha kushtet që ata donin.

Po ka qeveri, ka ministra që mund të pranojnë të firmosin duke plotësuar të gjitha kushtet e një biznesmeni apo dy biznesmeneve? Kurrën e kurrës. Kjo ndodh vetëm kur sipërmarrja është e qeverisë.

Po kjo nuk ishte sipërmarrje e qeverisë, në aparencë ishte e atyre të dyve, në thelb ishte e Edi Ramës.

A mundej Klodiani dhe Mërtiri të firmosnin 17 shkresa për 24 orë për sipërmarrjen e tyre? Kurrë, këtë mund ta bënte vetëm kryeministri dhe asnjë ministër. Asnjë ministër nuk mund të mbledhë nga të gjithë agjencitë, 17 shkresa në 24 orë. Një shkresë në kod ka afat 3 javë në udhën e saj administrative. Për të mos thënë pastaj se të gjitha këto, draftoheshin në kompjuterin e Klodianit dhe dërgoheshin nga kompjuteri në zyrat e qeverisë për tu firmosur.

Pra Klodiani dhe jo departamenti juridik që është me ligj i detyruar të formulojë aktet ligjore dhe nënligjor të qeverisë, ishte autori i shkresave. Klodiani dhe këto janë të faktuara. Po pse? Sepse ata ishin sekretarët privatë të Edi Ramës dhe tani punonjësit në sipërmarrjen e Edi Ramës.

Është jashtëzakonisht e rëndësishme që qytetarët të kapin të vërtetën sepse ky është një rast i pashembullt në historinë e një vendi.

Tani  ta ndjekim më tutje. Klodiani dhe Mërtiri për të vendosur të gjitha kushtet që donte sipërmarrja e qeverisë, donin procedurë me negociata të mbyllura ku diktonin çdo kusht. Kjo nuk ekziston në ligjet e vendit. Ministri i Mjedisit ju drejtua dy herë Agjencisë Kombëtare të Prokurimeve për ta autorizuar këtë procedurë. Eduard Ahmeti e kundërshtoi në mënyrë të prerë, kjo është procedurë antiligjore.

Çfarë ndodh? Pronari i vërtetë i sipërmarrjes Edi Rama, shfrytëzon pushtetin e tij dhe bashkë me Agaçin firmos në kundërshtim flagrant me ligjin procedurën me negociata të mbyllura.

Pra a mund të kthehemi edhe njëherë në fillim, bashkë.

Marrim Klodianin, atë Stelën dhe Mërtirin. Tre biznesmenë të thjeshtë, tre qytetarë të thjeshtë, tre njerëz xhambaz etj., ska rëndësi fare. Por a mund të ishin ata pronarë të dy djegësave, Elbasanit, Fierit dhe më vonë edhe të Tiranës në këtë mënyrë? Kurrën e kurrës. Duhej që ose qeveria të përbëhej nga njerëz që kanë humbur çdo fakultet mendor, dhe të tillë nuk janë. Duhet të ishin magjistarë, por ata magjistarë nuk janë.

Por këto ndodhte sepse ndërmarrja ishte e Edi Ramës.

Të gjithë, sepse ka shumë rëndësi që qytetarë të kuptojnë se çfarë është kjo aferë, të gjithë ata të cilët firmosën bazuar në dokumentin e firmosur nga Edi Rama dhe Engjëll Agaçi, dhe ministrat, janë përgjegjës. Janë përgjegjës sepse ligji thotë se nuk mund të zbatohet një vendim i paligjshëm. Ky ligj urdhëron çdo zyrtar, qoftë oficer policie, qoftë oficer ushtrie, çdo njeri. Por këta e zbatuan, me radhë dhe këta i zbatuan me rradhë dhe këta që firmosën janë përgjegjës, pa përjashtim.

Meqë jemi te djegësat, se dy janë prokurime publike, një është në koncesion.

Tani në sipërmarrjen e Ramës, në skemë hyn një hajdut i ri. Dhe shikoni ju se si Rama vjedh me Gjiknurin, energjinë e djegësit të Elbasanit. Studioni kontratën e djegësit të Elbasanit, ajo thotë se krahas djegieve do prodhohet energji, dhe kjo energji do të blihet me kaq. Por gjithsej jeta e sipërmarrjes në duart e privatit është shtatë vite, pastaj ajo automatikisht e tëra bëhet e tëra pronë publike e Bashkisë së Elbasanit.

Çfarë bën bosi i sipërmarrjes? Bosi i sipërmarrjes, bashkë me Damian Gjiknurin, firmos një kontratë me kompaninë që administronte djegësin e Elbasanit, privaten me Gugallen, sipas të cilës kjo kompani ka të drejtën për 30 vite t’i shesë shtetit energji. Çka do të thotë se Rama dhe Gjiknuri inkasojnë në llogarinë e tytre energjinë e shtetit që prodhon djegësi i Elbasanit për 30 vite. Nuk ka vjedhje më të paskrupullt se kjo.

Këto ishin dy djegësit.

Tani vjen i treti.

Një nga faktet se kemi të bëjmë me një ndërmarrje të vetme është se Gugallja, Mërtiri, Zoto, tani dalin në skenë në djegësin e Tiranës.

Por, në djegësin e Tiranës, kreut të aferës Rama-Agaçi, i shtohet Erion Veliaj.

Erion Veliaj, në vitin 2016, ndonëse e ka mohuar publikisht disa herë se është iniciator i djegësit të Tiranës, është e faktuar se ai është propozuesi, se ai është iniciatori, se ai ka dorëzuar të paktën katër kërkesa në Ministrinë e Financave për miratimin e projektit të djegësit të Tiranës. Katër. Një për Shkëlqim Canin dhe tre për Arben Ahmetajn dhe pastaj ka shfrytëzuar drejtuesit e Ministrisë së Mjedisit.

Jemi këtu. Tani po pse djegësi i Tiranës është sipërmarrje Rama-Agaçi dhe Veliuaj. Edi Rama hyn në gines me djegësin e Tiranës, ka firmosur me 7 dhjetor 2016 për t’i dhënë kompanisë ‘Integrate Energy BV’ 8 pikë bonus. 

Kjo sipërmarrje nuk ekzistonte në tokën shqiptare. Zero.

Ministrja Ermonela Felaj, e cila vinte nga begraundi, gjyqtare apo çfarë ka qenë, i bën një shkresë zyrtare bosit të kompanisë së djegësave, i thotë s’mund të ndodhë kjo, sepse ndërmarrja nuk ekziston, kam bërë kontrolle dhe kjo sipërmarrje nuk ekziston. Por nën udhëheqjen e bosit të kompanisë, Edi Rama, Këshilli i Ministrave vendos ti japë bonusin 8 %, një ndërrmarje e cila është tetë muaj më vonë dhe vetëm një ditë përpara se qeveria ta shpallë fituese të inceneratorit të Tiranës, 8 muaj.

Këtë nuk mund ta bënte kush kurrë, përveç Edi Ramës në sipërmarrjen e tij.

Më tutje, Erion Veliaj lartësohet në bashkëpronar sepse ai ka falsifikuar, ka mashtruar, i ka dërguar Ministrisë së Financave si vendime të Këshillit Bashkiak dhe vendime të Këshillit të Qarkut, vendime për të cilat nuk ishte mbledhur as Këshilli Bashkiak dhe as Këshilli i Qarkut. Përkundrazi thuhet se asnjë bashki tjetër e qarkut përveç asaj të Tiranës, nuk ishte dakord, por kjo është punë tjetër.

Pra këtu, Erion Veliaj bëhet ortak në aferën me Ramën dhe Agaçin.

Nëse Edi Rama dëshironte vërtetë të digjte plehrat, jo me ndërmarrje të veten, por në interes publik të gjente rrugën më të leverdishme për të realizuar këtë, këto fonde nuk ja lëvronte Zotos dhe Gugalles e Mërtirit, por Bashkisë së Tiranës, Elbasanit dhe Fierit. Cili do të ishte efekti. Efekti shumë i thjeshtë, gjysëm për gjysëm çmimi.

 Ndërmarrja e Ramës solli djegësin e Elbasanit, e bleu me 10 mln euro, 10 mln mbetën në xhep të Ramës dhe sipërmarrjes. Në rastin e Fierit, u caktuan 40 mln, 20 mln mbetën ne xhep, se Fieri edhe më shumë. Pra nëse qeveria, sepse këto janë investime publike, para publike, nuk janë më para private, se nuk ka asnjë qindarkë private këtu.

Sa para ka shpenzuar shteti, taksapaguesit në këto djegësa? Ja ku janë faturat.

Për Elbasanin nga 31 gusht 2018 deri në 2 mars 2021 që ka kaluar në bashki, në total janë shpenzuar 3 miliardë e 319 milionë dhe 545 mijë lekë. Ose 29.6 milionë euro. Pra janë shpenzuar 9.6 mln euro më shumë se shuma e parashikuar. Shuma ishte 20 mln, janë shpenzuar 29.6 mln, pra 9.6 mln euro më shumë. Pse e tek, e dinë xhepat e Ramës dhe Agaçit. Ata e dinë.

Për Fierin, sa janë shpenzuar për Fierin deri më sot, që nuk ekziston. Janë shpenzuar në total, 4 miliardë e 157 milionë lekë, apo 37.1 mln euro. Dakord. Djegësi nuk ekziston, paratë janë marrë. Kompania Rama-Agaçi ka bërë fora në para.

Pagesat për djegësin e Tiranës që ishte një koncesion dhe nuk duhej bërë asnjë pagesë, ishte gjithçka private, janë të tmerrshme. Janë 58.5 mln euro nga buxheti dhe 62 mln euro i janë marrë me tarifë qytetarëve të Tiranës dhe kjo tarifë e ndërmarrjes Rama-Veliaj tani, duhej të ishte 11 euro, është 29 euro për ton. Është pra Sharra një minierë floriri për Edi Ramën dhe Erion Veliajn.

Gjer tani shqiptarët kanë shpenzuar rreth 200 mln euro në sipërmarrjen e Edi Ramës.

Tani vijmë pak tek hetimi. Pse unë po e ngre këtë çështje. Është themelore.

Keni vënë re ju se si vjedh Belinda Balluku, apo ai tjetri që ishte para saj. I copëtojnë rrugët me lote. Dhe me lote, Unaza e Tiranës ka 13 vjet që nuk përfundon.

Përfundoi Rruga e Kombit për dy vite. Përfundoi rruga Levan-Vlorë për dy vite. Unaza e Tiranës sakënd se përfundon. Ndahet në 1-2 km me 3 km, kështu e rrugë të tjera.

Pse e bëjnë kështu? Se kështu vjedhin me Salillarët dhe të tjerë dhe nuk futin kompanitë e huaja. Kompanitë e huaja natyrisht nuk janë, rrallë shumë rrallë, se ndjekin standarde të tjera. Ndaj ndërtoheshin rrugë me 2 milionë euro për kilometër, se që të gjitha, Levan-Tepelenë, Levan-VLorë, bajpasi i Fierit që mbeti, të gjitha rrugët, me respektin më të madh për ndërtuesit shqiptarë, por rrugët janë ndërtuar nga kompanitë e huaja. Dhe janë ndërtuar me çmime që ndërton Europa dhe çmime që ndërtohen kudo.

Dhe unë u bëj thirrje medieve t’u thonë shqiptarëve të vërtetën për këtë sipërmarje. Është qesharake, ëshgtë banale të përflitet për sipërmarrje Zoto-Gugallja-Mërtiri. Jo mor jo. Se çdo njeri që ka njohuritë më elementare në administratë, qesh kur e dëgjon këtë. Kjo është sipërmarrja Rama-Veliaj-Agaçi-Gjiknuri dhe suita e tyre.

Jam përpjekur të ekspozoj Ramën si kreu i organizatës. Nuk e bëj për qëllime politike, absolutisht jo, e bëj për qëllime absolutisht të të vërtetës, dokumentet të detyrojnë të thuash të vërtetën. Dhe sot e patë vetë.

Sot ia mbathi. Ajo që tha avokati, koka e mbretit apo revolucionit, koka e mbretit iku aty. Nuk ishte Arben Ahmetaj, jo jo ishte Edi Rama koka e mbretit. Se Arben Ahmeti qarkonte si hije në sallë, si prokuror i tyre. Dhe po të shihni fytyrat e tyre, nuk kishte pamje të papara ndonjëherë. Do të studiohet edhe leximi i fytyrës, do të dalin aty të gjithë që janë të implikuar. Aty me firma janë me dhjetëra, me dhurata janë me dhjetëra. Këto kisha.

PYETJE-PËRGJIGJE

Osman Stafa, News24: Z.Berisha, në fakt për gjithë opozitën në të gjithë botën një çështje si e inceneratorëve do ishte një dhuratë e madhe, pasi një çështje si kjo rrëzon edhe qeveri. Edhe opozita patjetër që në kërkesë të saj do kishte zgjedhje të parakohshme, kërkesën për dorëheqje të kryeministrit të kësaj çështje.

Ju z.Berisha, si po përfitoni nga çështja e inceneratorëve ndërkohë që një ish-zëvendëskryeministër kërkohet nga SPAK, pra po flas gjithmonë sipas letrave dhe atë çfarë bën organi i akuzës kërkohet të vihet përpara drejtësisë dhe të përgjigjet për atë se për çfarë akuzohet. Si po përfitoni ju z.Berisha, sepse deklarata nga një seli apo në parlament përpara mediave mund t’i bëjë çdokush, çdo shqiptar e ka mësuar çështjen e inceneratorëve tashmë. Ju jeni parti politike, opozita e  vendit, si po përfitoni për të rrëzuar atë që ju keni thënë prej kohësh, qeverinë Rama?

Berisha: Pyetje e drejtë. Ne e kemi trajtuar këtë temë me seriozitetin dhe vërtetësinë më të madhe, por është e domosdoshme që ne t’u drejtohemi shqiptarëve. Ne duhet t’u drejtohemi shqiptarëve për këtë çështje.

Në asnjë vend të botës një qeveri që ka kryer këtë nuk qendron. Dhe në qoftë se qendron, qendron për dobësi të opozitës. Prandaj ne do iu drejtohemi shqiptarëve për të kërkuar largimin e kësaj qeverie me protesta. Kjo është një aferë e tmerrshme, nuk ka popull, shoqëri që mund të tolerojë këtë aferë. Do të jenë negociata me opozitën. Do bëhen negociata me forca të tjera politike opozitare, por kjo nuk mund të kapërcehet. Ke shumë të drejtë.

Ermal Rizaj, Syri Tv: Z.Berisha dua të citoj dy çëshjte. Çështja e parë, BIRN-i në një artikull ditën e djeshme bënte me dije se : dokumentet hetimore të SPAK të siguruara nga BIRN tregojnë se Vleiaj ishte nismëtar i këtij projekti dhe se propozimi i tij i hapi dritë jeshile koncensionit të inceneratorit të Tiranës. Sot në një reagim në rrjetin social facebook, z.Arben Ahmetaj shkruan: Shpresoj të dalin sa më shumë letra dhe shkresa si ato që BIRN nxori djeqë qytetarët të kuptojnë aq sa mundet që puna e fytyrës së ngrysur ka qenë në interes publikut. Si e shikoni ju duke iu referuar asaj se çfarë nxori ditën e djeshme BIRN, por edhe kësaj gjëje se çfarë ka thënë z.Ahmetaj në rrjetin social facebook ditën e sotme?

Berisha: Në të gjithë procesin, si një hajdut profesionist i shtetit, se mos kujtoni se ka hajdutë më të specialuzar se Arben Ahmetaj. Ua them unë ju, po ua them: na ka vjedhur 11 miliardë impulse me HERMES-in, se krijoi një kompani derivat të Albtelecomit. Është jashtëzakonisht i profilizuar, por këtu të themi atë që është, këtu ai ka qenë i vetëdijshmëm për këtë që po ndodhte.

Gjithmonë, se po flas hapur, kam patur një dilemë në mendjen time. Fillimisht kam menduar se është Arben Ahmetaj truri i djegësave. Dhe e kisha bindje, e ndiqja. Unë e kam ndjekur shumë këtë çështje që në fillim. Ju e dini që janë me qindra statuse të bëra nga një familjar i imi për këtë punë.

Por ruaja prap një rezervë. Pse ruaja një rezervë? Sepse gradualisht konstatoja veprimin që ai nuk kishte fuqi t’i bënte. Dhe ai që kishte fuqi t’i bënte dhe që kishte një nuhatje të tmerrshme dhe lidhje me mafien e plehrave, ishte edhe Agaçi. Të themi këtu haptas. Dhe gjithnjë mendoja fillimisht tani se për mua, Ahmetaj. E vërteta është që provohet Agaçi. Për të mos thënë disa gjëra të tjera pastaj,se ato duan fakte, por fakti që u ndërtuan tre inceneratorë sa për katëfishin e plehrave të Shqipërisë, parashikonte importin e plehrave nga Italia, dhe parashikonte import plehrash edhe me 100 dollarë tonin, të themi atë që është.

Kështu që, Ahmetaj nuk ndjen përgjegjësi për mosveprimet e tij. Unë e bëj përgjegjës për mosveprimet e tij. Përshembull, Ahmetaj ka kundërshtuar tri herë me shkrim shkresën e Veliajt për Tiranën. Herën e katërt ka thënë: ‘no comment’. No commet, atë ta interpretojë juristi, po një ministër nuk shprehet me ‘no comment’. Diku tjetër, në një shkresë që kam parë unë thotë se: nuk është çështje e qeverisë qendrore, por vendore. Por ligji kudo që të shkelet është për ministrin. Nukmund të thotë ministri që nuk kam punë me ligjin unë. Ministri thotë: po shkelet ligji.

Pra, Ahmetaj më rezulton se truri dhe udhëheqja janë Rama-Agaçi. Ahmetaj ka përgjegjësitë e veta të padiskutueshme, sikundër kanë të tjerët, se shiko, ka një ligj: nuk mund të firmosësh në kundërshti me ligjin. Nuk mund të zbatosh një urdhër që është në kundërshti me ligjin. Nuk mbrohesh dot në qoftë se ke zbatuar një urdhër në kundërshtim me ligjin, jo. Nuk mjafton se nuk e bëra, se ka veprim dhe mosveprim. Dënohesh edhe për mosveprim.

– Kërkesën e SPAK ndaj z.Ahmetaj e shikoni si një veprim të orkestruar, apo sipas jush SPAK po vepron në mënyrë të pavarur në lidhje me këtë çështje?

Berisha: Jo, nuk ka diskutim që kjo është tipike e dirigjuar. Më falni zotëri. Shiko, në qoftë se do merresh me faktin penal, edhe që duhet merresh me faktin penal, atëherë ti shkon te piramida që ka në krye Edi Ramën. Se çfarë ndodh me copëtimin? Me copëtimin rrezikon çdo gjë hetimi. Dhe rrezikon jo vetëm të mos shkojë fajësia aty ku duhet, kryesorja, por rrezikon që këto 200 milionë euro, jo vetëm të mos i rikuperohen dot Ramës, Agaçit dhe Erion Veliajt, por të na i marrë edhe 200 milionë të tjera, në një rast unik në histori, ku prokuroria thotë: veprën e krimit nuk e konfiskoj.

Unë të them ty edhe shqiptarëve se në ligjin e vendit dhe në ligjin ndërkombëtar, çdo vepër që ndërtohet mbi korrupsionin konfiskohet dhe vendoset në konfiskim. Nuk ka asnjë mbrojtje nga Arbitrazhi Ndërkombëtar për veprat që janë ngritur mbi korrupsionin. Nuk ka Arbitrazh Ndërkombëtar që mund të thotë, se nuk është procedurë korruptive kur ti firmos për negociata të mbyllura, pa garë. Kur ti firmos në një nen që thotë se kjo se kjo kontratë nuk mund të zgjidhet kurrësesi se asnjë nuk mban përgjegjësi. Nuk mund të firmosë, nuk mund të qendrojë duarkryq një drejtësi, kur neni 25 i koncensioneve thotë se ndryshimi i aksionerëve bëhet me miratim të qeverisë. Po pse heshtin këta? Sepse qeveria i ka miratuar nën zë ata për të shpëtuar ndërmarrjen e vet.

Kjo është një aferë me dimensione të tmerrshme nga çdo anë që ta kthesh, dhe Prokuroria vetëm tani e ka lëshuar akuzën për procedurën, dhe Ahmetaj akuzohet për procedurën se ka patur një nga shtatë përfaqësuesit aty, e kupton? Nuk shkon tek artikuj të tjerë, sepse del direkt Rama. Këto t’i thotë: ke përdorur fondin e emergjencës për këtë vepër krimi. Por, po t’i thotë atë, do i thotë Ramës: ke shkelur ligjin, se fondi i emergjencës ka një ligj kur përdoret. Dhe shpallja e emergjencës që e injoron Prokuroria bëhet me një ligj të veçantë në Shqipëri, jo me firmat të zëvendësministrave, as me komision të zëvendësministrave.

Pra, çfarë po bëhet? Po marrin pjesë-pjesë-pjesë koka turku. Është e njohur kjo, shqiptarët dhe shoqëritë me probleme e pëlqejnë kokën e turkut. Ne nuk na duhet koka e turkut, na duhen paratë njëherë, të marrim paratë këtyre hajdutëve, dhe na duhet përgjegjësia, siç është ligjore, në rradhë të parë Edi Ramës.

Po nuk ka njeri në botë, nuk ka jursit në botë që mund të mohojë se në këtë aferë qeveria është organizatë kriminale.

Isa Myzyraj, Ora News: Z.Berisha, qytetarët e Qarkut Tiranë shpenzojnë 29 euro për ton në ditë, nga këto 17 euro për depozitim i cili ndodh në landfillin e Sharrës, dhe 12 euro për incenerim. Janë miliona euro që taksapaguesit e Tiranës, Durrësit, Shijakut dhe bashkive të tjera shpenzojnë në ditë, dhe unë shoh që ju iu shmangët pyetjes së protestave. Z.Berisha kur do të ketë mbushje sheshesh, sepse në në Shqipëri jemi koshientë që po kaluan tri ditë skandali e mbyt skandalin dhe kjo çështje do harrohet.

– Z.Berisha, ju keni qenë kryeministër në 2013 dhe çështja e Inceneratorëve, sipas hetimeve, duket se është një çështje e vjetër e nisur para 10 vitesh. Z.Berisha, në cilësinë e Kryeministrit të Republikës së Shqipërisë, a keni patur gjatë karrierës suaj diskutime zyrtare dhe jozyrtare me persona të tretë që ua kanë propozuar menaxhimin e mbetjeve në Republikën e Shqipërisë?

Berisha: Tani, që të flas për diskutime, nuk mund të flas për diksutime konkrete. Opsione, po. Kanë qenë landfill dhe vetëm landfill.

Domethënë, kemi ndërtuar, meqë më pyet, landfillin e Bushatit, kemi ndërtuar landfillin e Korçës, i kushtueshëm, diku nga Maliqi. Kemi ndërtuar landfillin e Vlorës, që edhe sot nuk e di a përdoret a jo. Kemmi gjetur tokën për të ndërtuar landfillin e Sarandës. Patëm disa probleme me pronarë. Pra, ka qenë tërësisht landfille seleksion. KE shpalli në atë periudhë metodë kryesore të trajtimit të mbetjeve seleksioni, dhe ne filluam të ecim në këtë drejtim. BE na ndihmoi ne në këtë drejtim për të hartuar strategjinë e re të trajtimit të mbetjeve. Dha 4 milionë euro, për trajtimin e mbetjeve me landfill dhe seleksion, të cilën Edi Rama e shkelmoi se erdhi me doktrinën e djegies së plehrave, ia sollën ata që e futën në këtë ndërmarrje. Se e quanin atë një gjë fitimprurëse të merrje 100 euro tonin nga Italia.

Kjo është. A mund të kem patur, nuk mbaj mend. Edhe mundet, por nuk më kujtohet. Si kompani nuk më kujtohet. Do mblidhen forumet, do të hapet diskutimi me partitë opozitare dhe do vendosim për protestat.

Bekim Bici, Top News: Ju përmendët pak më herë fytyrat e ngrysura të deputetëve në sallën e Kuvendit të Shqipërisë. Doja t’ju pyesja,pasi dhe një pjesë e mirë e deputetëëve dhe nga opozita nuk morën pjesë fare në votim. A ka në dijeninë tuaj a ka ndonjë përfitim, apo marrëveshje Lulzim Basha dhe deputetë pranë tij me Arben Ahmetajn, së pari, dhe qoftë këta edhe biznesmenë pranë familjes së z.Basha. Pasi duhet përmendur që një vit, e pak më herët znj.Kryemadhi ka publikuar disa fatura në të cilat ka shumë emra kompanish dhe biznesmenësh, aso kohe të lidhur me opozitën të drejtuar nga z.Basha, dhe në mënyrë të drejtëpërdrejtë me z.Basha. Në dijeninë tuaj, a ka deputetë të PD pranë z.Basha që kanë përfituar nga Arben Ahmetaj përfshi edhe z.Basha?

Berisha: Fakte konkrete nuk kam, por një gjë dua të jem i hapur. Ka qenë një peridhë që PD nuk pranonte të denonconte djegësat. Dhe në për koincidencë, një familjar i imi që është specialist dhe merrej shumë me këtë punë, dhe nuk i pranoheshin të bënte deklarata nga partia. Kjo periudhë ka zgjatur.

Më vonë ka edhe deputetë të partisë, kanë denoncuar, por e sigurt është që në një periudhë të caktuar, jo të shkurtër, PD ka refuzuar të japë për ekspertët e saj, hapësirën për denoncimin e tyre dhe ata e kanë denoncuar në qindra statuse në facebook. Është folur që këta kanë një lidhje midis Bashës, Mërtirit dhe Zotos, por nuk kam të dhëna për këtë.

Ajo që di 100% për periudha të caktuara, është se për muaj të tërë nuk pranohej që të denoncoheshin djegësat nga kjo seli. Dhe unë detyrohesha që t’i thoja shko në ndonjë televizon, apo shko diku tjetër.

– Ju, por edhe opozita në tërësi përmendni emrat e Klodian Zotos, Mirel Mërtirit, ndërkohë që në dosje ka edhe shumë biznesmenë të tjerë si: Sokol Myqemeja, apo Edmond Bego. A është kjo një lojë e Arben Ahmetajt për të zhvendosur të gjithë vëmendjen vetëm vetëm te këta dy apo tre biznesmenë?

Berisha: Siç më dëgjuat, unë sipërmarrjen e konsideroj të Edi Ramës, dhe kam bindjen më absolute, sepse unë nuk arrij kurrë ta imagjinoj, për të mos përsëritur ato që thashë, që dy biznesmenë të thjeshtë të mund t’i imponojnë qeverisë firmosjen e dhjetëra e dhjetëra dokumenteve në shkelmim të të gjitha ligjeve. Dhe ja ku jemi sot. E kam thënë që në fillim ç’është e vërteta, që një kryeministër që firmos në këtë mënyrë  firmos për veten e tij, ose vëllanë e tij. Po të ishte Olsi, por nuk kam të dhëna për Olsin, për vëllanë e tij mund ta bënte sipërmarrje familjeje, por këtë nuk e bën kurrë një kryeminstër, dhe e ka bërë Edi Rama.

Thashë, kam menduar se është Arben Ahmetaj truri. Për mua në bindjen time më të thellë truri është Engjëll Agaçi.

Dhe tani, ka një gjë këtu. Arben Ahmetaj i merr të gjitha përgjegjësitë se iku, ia mbathi, nuk mund të ketë asnjë skuzë për të. Por, Arben Ahmetaj ka akuzuar publikimin e dokumenteve të para, sikur gazetarit ia ka thënë Linda Basha. Nuk është ai gazetari gjobvënës, Adriatik Doçi, punon me Bollinon. Arben Ahmetaj thotë, në një iks restorant ato dokumente ia dha Linda Rama, se urren shumë mua dhe gruan. Sa qendron, këto nuk i di, nuk dua të hyj në këto çështje.

Ato janë fakte, nuk i mohoj. Po fakti ja ku është, trungu, degë, mosveprimi, veprimi, të gjitha këto. Se kësaj i thonë: folloë the gifts- ndiq dhuratat që të varrosësh trungun. Po ndiq trungun njëherë, se trungu është trung. Por Arben Ahmetajt nuk mund t’i besosh se është shumë i sofistikuar edhe në gënjeshtra. Është specialist ai.

– Z.Berisha, ditën e sotme në Kuvend e keni duartrokitur Gazment Bardhin gjatë fjalës së tij. A ekziston mundësia që në një të ardhme, ndoshta jo të largët të bëni ndonjë takim me grupimin që përfaqëson z.Bardhi, pasi edhe grupimi tjetër është përçarë në dy grupime: ai që përfaqëson z.Basha, që pritet të vijë kryetar më 29 korrik. A keni ndonjë bisedim me grupimin që përfaqëson z.Bardhi për të bërë një bashkim ndoshta që në bazë të PD, dhe të përballeni me kundërshtarin tuaj tanimë të bashkuar, sepse po shkon gjatë.

Berisha: Pse e duartrokita Gazment Bardhin? Gazment Bardhi e mbylli fjalimin me të vërtetën më të madhe të kësaj afere. U tha shqiptarëve, ndoshta jo me këto terma, por ekzakt: se sipërmarrja është e Edi Ramës. Duhet të budallepsësh çdo shoqëri, çdo institucion, të besosh se ndërmarrja është e Klodian Zotos.

Dhe Gazment Bardhi e tha me qartësinë më të madhe dhe meritonte duartrokitjet e plota, dhe i kam bërë me zemër, pikë. Absolutisht jam i hapur në çdo kohë jam, se ata janë deputetë të PD. Thashë, tjetër është skenari i Ramës me Lul Bravën, tjetër janë kundërshtirat brenda PD. Ju falenderoj dhe ju uroj një weekend të mbarë!

© SYRI.net

Lexo edhe:

Komentet

Shto koment

Denonco