SYRI TV/ Burri i Spiropalit, lidhje me Zoton e Mërtirin, flet ish-shefi i sektorit në Ujësjellësin e Fierit

14:38, 14/07/2023
A+ Aa A-

Arben Ahmetaj duket se nuk ka qenë kontakti i vetëm për Klodian Zoton dhe Mirel Mërtirin për miliona euro që ata kanë marrë taksat e shqiptarëve. SYRI TV sjell dëshminë e Fatmir Durajt, ish- shef sektori në Ujësjellësin e Fierit, i cili tregon se si Salarion Totaj - bashkëshorti i ministres Spiropali, e hoqi nga puna pasi refuzoi të zbatonte urdhrat e paligjshme për tenderin 3. 5 milionë euro të marrë nga Zoto e Mërtiri. Sipas Durajt, tenderin për matësit e fitoi një kompani që nuk kishte as infrastrukturë e as personel e refuzimi për t’i vënë në dispozicion drejtorinë e Ujësjellësit solli largimin e tij nga puna.

Nga SYRI TV

Në tri koncesionet për inceneratorin e Tiranës, Fierit dhe Elbasanit, Klodian Zoto dhe Mirel Mërtiri përllogaritet të kenë përfituar mbi 430 milionë euro nga taksat e qytetarëve.

Por duket se këto nuk janë të vetmet fonde, pasi aktiviteti i tyre ka qenë edhe më i gjerë, falë lidhjeve me drejtuesit e Partisë Socialiste.

Nga dosja e SPAK u zbulua se kompani nën kontrollin e Mërtirit dhe Zotos kanë marrë tenderë miliona euro nga bashkitë e drejtuara nga socialistët në tenderë të drejtorive të Ujësjellësve, tenderë këto që janë gjetur në shkelje edhe nga Kontrolli i Lartë i Shtetit.

Një prej tenderëve me një vlerë rreth 3, 5 milionë euro, kompani nën administrimin e Zotos dhe Mërtirit e kanë fituar nga drejtoria e Ujësjellës-Kanalizimeve Fier, kur në krye të kësaj drejtorie ka qenë Salarion Totaj, bashkëshorti i ministres Elisa Spiropali.

Veç gjetjeve nga SPAK, kjo aferë denoncohet edhe nga ish-punonjës të asaj drejtorie, të cilët në atë kohë kanë refuzuar zbatimin e këtij tenderi korruptiv. Fatmir Duraj, shef sektori i kohës në Ujësjellësin e Fierit, tregon se si kompania që nuk kishte asnjë eksperiencë dhe as staf për kryerjen e punimeve fitoi tenderin për ndërrimin e matësave e pikërisht këtu nisën edhe problemet për të.

Duraj tregon se meqë kompania “Teo Alb” që fitoi tenderin nuk kishte as eksperiencën, por as punonjës për të kryer punime, iu kërkua që punimet të kryheshin nga sektori i mirëmbajtjes që ai drejtonte.

Por fill pas këtij refuzimi, Duraj tregon se nisën problemet për të e në skenë del Klodian Zoto që e kontakton dhe i kërkon që të zbatojë urdhrin që ka marrë. Por siç tregon Duraj, pas refuzimit edhe të kërkesës së Klodian Zotos, situatën e mori në dorë Salarion Totaj, bashkëshorti i ministres Elisa Spiropali, i cili pasi e urdhëron që të mos kundërshtojë, e heq edhe nga puna, pikërisht për këtë refuzim.

Këto episode janë faktuar edhe nga Prokuroria e Posaçme. Nga zbërthimi i telefonit të ish-bashkëshortes së Ahmetajt, ka qenë fillimisht Arben Ahmetaj që ka kërkuar takim me kryebashkiakun e kohës, aktualisht deputet i Partisë Socialiste, Baftjar Zeqajn, e pas këtij episodi kompania “Teo Alb” i ka shitur Ujësjellësit të Fierit shërbime në vlerë 3.5 milionë euro.

E si në rastin e inceneratorëve, kompania “Teo Alb” dhe kompanitë në pronësi të Klodian Zotos, Mirel Mërtirit dhe Stela Gugallias kishin krijuar një zinxhir kompanish të tjera ku së bashku ishin aksionerë.

© SYRI.net

Lexo edhe:

Komentet

Shto koment

Denonco