Klodian Zoto, këshilltar i burrit të Elisa Spiropalit

Klodian Zoto, këshilltar i burrit të Elisa Spiropalit

14:17, 13/07/2023
A+ Aa A-

Elisa Spiropali nuk i kurseu deklaratat lajkatare ndaj kryeministrit Edi Rama, as në seancën parlamentare të kësaj të enjteje, ku tema kryesore e diskutimit është kërkesa për arrestimin e Arben Ahmetajt dhe afera e inceneratorëve në përgjithësi.

Ministrja e Shtetit iu drejtua deputetëve të opozitës parlamentare, duke deklaruar se “Rama nuk e përdor drejtësinë si armë, si hanxhar, por që institucionet të bëjnë punën e tyre duke besuar deri në fund se ata persona që i drejtojnë do përdorin profesionalizmin e tyre për të bërë drejtësi”.

Megjithatë, toni i saj i zërit nuk e kishte atë tempin luftarak që ka treguar shpesh në sallën e Kuvendit.

Kërkesa e SPAK-ut për Ahmetajn ka përfshirë në brendësinë e saj shumë emra zyrtarësh të lartë e të niveleve të tjera. Ajo kërkesë, në një lloj forme, ka hyrë edhe brenda familjes së Elisa Spiropalit.

Prokuroria e Posaçme ka konstatuar se biznesmeni në kërkim, Klodian Zoto, i konsideruar si një prej personave kyç të aferës së inceneratorëve, ka shërbyer si këshilltar i drejtorit të Ujësjellësit të Fierit në periudhën nga janari 2013 deri në gusht 2014.

SPAK-u ka evidentuar se emërimi i Zotos në Ujësjellësin e Fierit është nënshkruar nga drejtori i asaj kohe, Salarjon Totaj.

Salarjoni është bashkëshorti i Ministres së Shtetit, Elisa Spiropali.

Emërimi si këshilltar i një individi është në tagrin e titullarit të institucionit dhe nuk do të kishte asnjë lloj problemi, nëse nuk do të zbulohej se ortakët dhe bashkëpunëtorët e ngushtë të tij, kanë pasur interesa të rëndësishme financiare tek Ujësjellësi i Fierit.

Prokuroria e Posaçme ka identifikuar se shoqëria “Teo Alb” ka fituar kontratën për vendosjen e matësve të ujit me sistem elektronik kanë shkuar në Fier. Sipas të dhënave të siguruara nga SPAK, shoqëria “Teo Alb” i ka shitur Ujësjellësit të Fierit shërbime në vlerë 391.228.156 lekë të rinj ose mbi 3.5 milionë euro.

Image

Kompania “Teo Alb” ka lidhje të ngushta ortakërie me shoqërinë “Integrated Technology Service” të Klodian Zotos, që në atë kohë ishte këshilltar i burrit të Elisa Spiropalit.

Po ashtu, “Teo Alb” ka lidhje edhe me miqtë e ngushtë dhe bashkëpunëtorët e Zotos, konkretisht Mirel Mërtirin dhe bashkëjetuesen e këtij të fundit, Stela Gugallja.

SPAK ka zbuluar se Mirel Mërtiri ka qenë i punësuar në kompaninë “Teo Alb”. Po ashtu, edhe Stela Gugallja ka rezultuar si e punësuar pranë shoqërinë “Teo Alb” që ka marrë 3.5 mln euro nga Ujësjellësi i Fierit.

Image

Ndërkohë, shoqëria “Teo Alb” dhe “ITS” e Klodian Zotos janë aksionerë në një tjetër kompani, të quajtur “Metronet”.

Pra, të dhënat e siguruara nga SPAK-u krijojnë dyshime të forta se “Teo Alb” që ka marrë miliona nga Ujësjellësi i drejtuar nga Salarjon Totaj, përfaqëson interesa të grupit “Zoto-Mërtiri-Gugallja”./ Boldnews/

© SYRI.net

Lexo edhe:

Komentet

Shto koment

Denonco