Ambasadori i SHBA: Për krizën ka faj dhe Serbia, të ulen tensionet

Ambasadori i SHBA: Për krizën ka faj dhe Serbia, të ulen tensionet

11:09, 12/07/2023
A+ Aa A-

Për tensionet në veri të Kosovës, përgjegjëse është edhe Serbia. Këtë e konfirmoi ambasadori amerikan në Prishtinë, Jeffrey Hovenier, që përsëriti thirrjen për qetësimin e menjëhershëm të situatës. Diplomati i Uashingtonit, në një konferencë për mediat në Pejë, tha se duhet ende shumë punë për tu bërë lidhur me organizimin e zgjedhjeve në katër komunat veriore të Kosovës, por vuri theksin në zbatimin e planit me 3 pika të Bashkimit Europian për dalje nga kriza.

“Kosova përfundimisht do të ushtrojë sovranitetin e saj, por veriu është i komplikuar dhe i vështirë dhe kështu mënyra se si Qeveria e Kosovës apo qeveritë e ardhshme të Kosovës e menaxhojnë situatën në veri, është diçka shumë e ndjeshme, dhe është diçka që ne duam të sigurojmë që të koordinohemi ngushtë me komunitetin ndërkombëtar, në mënyrë që të shmangim tensionet ose momentet e krizës”, tha Jeffrey Hovenier, ambasador i SHBA në Kosovë.

Ambasadori amerikan adresoi dhe pyetjen nëse do të ketë ose jo masa ndëshkuese edhe ndaj Serbisë, për mos respektimin e marrëveshjes për normalizim të raporteve me Kosovën.

“Pyetja se çfarë mund të bëjnë ose jo Shtetet e Bashkuara në lidhje me Serbinë, mendoj se është një pyetje që duhet drejtuar z. Escobar, i cili është i dërguari special i SHBA-së për rajonin, ose ambasadorit Hill në Beograd”.

Hovenier u pyet edhe lidhur me audiopërgjimet ku janë përfshirë shefja e grupit parlamentar të Vetëvendosjes Mimoza Kusari-Lila dhe zyrtari i Listës Serbe Sllavko Simiç, dhe për kontaktin e supozuar të saj me Milan Radojçiç, i sanksionuar nga SHBA. Ambasadori nuk pranoi të komentonte zhvillimet e brendshme politike, ndërsa për nënkryetarin e Listës Serbe, z.Radojçiç tha se është një person i sanksionuar nga Departamenti i Thesarit Amerikan, pasi ai individ është i lidhur me krimin e organizuar. 

© SYRI.net

Lexo edhe:

Komentet

Shto koment

Denonco