Marrëveshja për shtensionimin/ Katër hapa do zbatohen brenda dy javësh

Marrëveshja për shtensionimin/ Katër hapa do zbatohen brenda dy javësh

10:17, 12/07/2023
A+ Aa A-

Për dy javë duhet të përfundojnë katër hapat e dakorduar në mes të Qeverisë së Kosovës dhe Bashkimit Evropian për shtensionimin e situatës në veri të vendit, ka mësuar KOHA, bazuar në një orar për të cilin janë pajtuar palët për veprime.

Pika e parë, ajo e zvogëlimit të pranisë policore për 25 për qind në dhe rreth ndërtesave komunale, duhet të përfundojë në javën e parë. Në këtë pikë thuhet po ashtu se “Qeveria e Kosovës publikisht e tregon gatishmërinë e saj për të kontribuar në deeskalimin e situatës dhe mosndërmarrjen e veprimeve që mund të eskalojnë situatën në veriun e vendit”.

Pika e dytë, që sipas këtij orari veprimesh, parashihet të nisë në javën e parë e të përcillet në mënyrë të vazhdueshme, është ajo që Policia e Kosovës bashkë me EULEX-in dhe KFOR-in të vlerësojnë gjendjen e sigurisë, në veçanti për të shikuar mundësinë për zvogëlim të mëtejmë të prezencës policore në dhe rreth ndërtesave komunale.

Pika përmes së cilës Qeveria e Kosovës është pajtuar që të dalë me deklaratë publike për mbështetjen e mbajtjes së zgjedhjeve të parakohshme në katër komunat në veri pas verës, duhet të bëhet në javën e parë, e të finalizohet “sa më shpejt që të jetë e mundshme”. “Kosova shpreh përkushtimin për sigurimin e bazës së nevojshme ligjore për të mundësuar organizimin e këtyre zgjedhjeve”, thuhet në këtë pikë.

Vetëm një pikë është paraparë për javën e dytë. Bëhet fjalë për ftesën e Bashkimit Evropian për kryenegociatorët në Bruksel, me synim finalizimin e planit të sekuencimit të Marrëveshjes drejt normalizimit të raporteve, pas së cilës do të fillojë zbatimi i të gjitha neneve të marrëveshjeve.

Marrëveshja u arrit të hënën, në takimin që kryenegociatori i Kosovës në dialogun me Serbinë, Besnik Bislimi, zhvilloi me emisarin e BE-së për dialogun, Miroslav Lajçak.

© SYRI.net

Lexo edhe:

Komentet

Shto koment

Denonco