Gjokutaj: Nuk besoj në 'largimin' e Ahmetajt, kjo është koha e negociatës

Gjokutaj: Nuk besoj në 'largimin' e Ahmetajt, kjo është koha e negociatës

09:23, 12/07/2023
A+ Aa A-

Avokati i mirënjohur Genc Gjokutaj nuk beson tek historia e arratisjes nga Shqipëria të ish-zëvendëskryeministrit Arben Ahmetaj për të mos u përballur me arrestimin, me drejtësinë, si zyrtari më i lartë nën akuzë për çështjen e inceneratorëve, por mendon se “kjo është koha e negociatës me të”.

Gjokutaj e hodhi vështrimin te kryeministri Edi Rama, i cili njihet për ‘lëvizjet spektakolare në kësi rastesh duke parashikuar se “këta ikin dhe Rama, si një baba shpirtëror i kthen dhe i çon në burg me dëshirën e tyre”.

Avokati Gjokutaj ishte ftuar këtë mëngjes në emisionin KAFE SHQETO në SYRI TV nga moderatori Flavio Qarri, i cili e pyeti: "Z. Gjokutaj, ta fillojmë nga një aspekt praktik. Ka rënë Numri 2 i shtetit, ka ikur si një hajdut ordiner dhe ndërkohë shtetin tonë nuk e trondit asgjë, nuk ka asnjë problem, as ligjor, as moral, as politik. Kaq “pa vlerë” është çdo pozicion në shtet?!”

"Unë kam një mendim tjetër, - e kundërshtoi Av. Genc Gjokutaj. -  E gjithë kjo historia e largimit të tij, mund të jetë e vërtetë, po në një përqindje të vogël. Unë mendoj që ajo është përdorur si për të thënë, për opinionin publik që “ai është larguar, nuk ndodhet këtu” etj. etj. por në fakt unë mendoj se kjo është koha e negociatës me të sepse arsyeja për të cilën u shty dje Komisioni i Mandateve nuk është punë avokatësh, njohje me materialet e çështjes, pasi këta avokatë kanë një vit që kanë hyrë në atë çështje, për më tepër këta avokatë e kanë shoqëruar zotin Ahmetaj disa herë dhe herën e fundit që mbahet mend, gjashtë orë në SPAK ku është pyetur në cilësinë e personit nën hetim dhe sigurisht në atë 6 orë pyetje, ata kanë pasur mjaftueshmërisht kohë për t’u njohur me thelbin e akteve të akuzës, të cilat rëndojnë mbi zotin Ahmetaj.

Sigurisht, kjo ikja e tij, thuhet që është shoqëruar edhe me një fotografi, por unë nuk e mendoj, unë nuk e besoj këtë pjesën e largimit.

Janë gjithmonë ato lëvizjet që thonë “spektakolare të Ramës”, që këta ikin dhe Rama si një baba shpirtëror i kthen dhe i çon në burg me dëshirën e tyre për t’iu përgjigjur drejtësisë!!!

Megjithatë, sido që të jetë, të dyja variantet janë negative. Sigurisht, zoti Ahmetaj ka qenë një nga zyrtarët ose zyrtari më i lartë që është përballur me aferën e inceneratorëve, por ndërkohë dhe si shtetar, kështu që do të ishte në dinjitetin e tij që ai të përballej dhe me akuzën, por edhe me Komisionin e Mandateve," shtoi në vazhdim, Genc Gjokutaj.

Ndiqeni në vazhdim intervistën e tij në video/ar.sh/SYRI.NET

© SYRI.net

Lexo edhe:

Komentet

Shto koment

Denonco