PD publikon faktet: Balla, politikani më i inkriminuar e më i akuzuar në 32 vite

PD publikon faktet: Balla, politikani më i inkriminuar e më i akuzuar në 32 vite

09:42, 11/07/2023
A+ Aa A-

Kryetari i Partisë Demokratike, Sali Berisha me anë të një deklarate nga selia blu, reagoi në lidhje me emërimin e Taulant Ballës si ministër i Brendshëm, i cili do të zëvendësojë në këtë post Bledi Çuçin. Kryetari i PD, Sali Berisha tha se, emërimi i Taulant Ballës, eksponentit kryesor të lidhur me krimin, drogën, vrasje, e dorëzon rendin në duart e bandave.

Deklaratë e Partisë Demokratike

Në krye të rendit dhe sigurisë, emërohet Taulant Balla, përfaqësues kryesor i drogës, krimit dhe vrasjeve në Shqipëri.

Në grahmat e fundit të regjimit të tij, Edi Rama kreu i narkoshtetit, të parë dhe të vetëm në Europë emëroi në krye të Ministrisë së Brendshme, Taulant Ballën, njeriun më të lidhur, si mishi me thoin me bandat e Elbasanit, Lushnjes, Librazhdit, Cërrikut, Shkodrës dhe Fushë Krujës.

Pas ngjarjes horror në të cilën anëtarët kryesorë të klanit më të egër mafioz të Shqipërisë së mesme, Rrajat e partisë, të lidhur direkt me Edi Ramën dhe Ballën, keqtrajtuan shtazërisht dhe bënë për spital, Bilbil dhe Jashar Majën. Edi Rama reagoi si një padrino, apo kreu i meduzës së narkoshtetit të tij. Ai në përputhje të kodit të mafias, nuk dënoi me asnjë fjalë të vetme barbarinë, aktin horror të klanit mafioz Rraja dhe të tij, por urdhëroi në Tëitter shkarkimin e familjes Çuçi dhe emërimit në vend të tij, të Taulant Ballës si dhe dorëzimit të mandatit të kumbaros së klanit Rraja, deputet shumë i vlerësuar nga Edi Rama.

Partia Demokratike deklaron se Taulant Balla, është politikani më i inkriminuar më i akuzuar në 32 vite në politikën e Shqipërisë, për lidhje konkrete, direkte të fuqishme me trafikun e drogës, vrasjet mafioze dhe krimet e tjera. Taulant Balla është politikani i akuzuar publikisht dhe me dokumente zyrtare si deputet që ka të regjistruara mbi 50 udhëtime me pasaportën e tij diplomatike jashtë vendit për mburojë të veprimtarisë së supertrafikantit ndërkombëtar të drogës sipas drejtësisë Italiane dhe njërit prej eksponentëve më mizorë të Bandës së Lushnjes, Edmond Begos.

Taulant Balla është politikani i akuzuar me zë dhe figurë në sallën e gjyqit, se sipas regjistrimeve autentike ai është i implikuar direkt në masakrën e Elbasanit të shkurtit 2016, ku në përleshje mes bandave rivale u vranë tre dhe u plagosën 7 persona, anëtarë të tyre.

Por po në sallën e gjyqit ai është denoncuar si njeriu që ka porositur vrasjen e avokatit Ravik Gurra, sepse avokati kishte në dorë dhe do të publikonte pikërisht këto regjistrime zyrtare të cilat provonin komunikimin direkt të Taulantit me eksponentë kryesorë të vrasjeve, trafiqeve dhe akteve kriminale të bandave rivale të lidhura me masakrën e Elbasanit të shkurtit të vitit 2016.

Ministri i ri i Brendshëm i Edi Ramës, Taulant Balla, është i faktuar se në zgjedhjet e prillit 2021, më datë 21 prill kishte angazhuar për blerjen e votave në Elbasan, trafikantin Mehmet Greca, të dënuar me 7 vite në Britani për trafik kokaine. Ai bashkë me Ardi Veliun dhe narko prokurorin Alfred Shehu, manipuluan ngjarjen e 21 prillit të vitit 2021 në Elbasan, ku mbeti i vrarë një person dhe u plagosën tre të tjerë.

Taulant Balla është politikani që sipas regjistrimeve autentike është i lidhur direkt me veprimtarinë ekonomike kriminale dhe fitimit në tendera publikë të qindra milionë lekë nga kompania e bashkëshortes së kriminelit në kërkim Gentian Sharra, bashkëpunëtor i ngushtë i Suel Çelës dhe Talo Çelës dhe pjesëmarrës kryesor në masakrën e shkurtit të vitit 2016 dhe grabitjen e shekullit të 11 mln eurove në aeroportin e Rinasit, si dhe vrasje e të tjera akte kriminale.

Taulant Balla është politikani i inkriminuar, i lidhur kokë e këmbë me bandën e trafikantëve dhe vrasëse dhe trafikantëve Rraja të Fushë-Krujës. Ai është personi i akuzuar nga oficeri i policisë së Shtetit, Emiljano Nuhu për ndërhyrje personale direkte, në komisarit e Fushë Krujës me datën 21 korrik 2018, për lirimin me forcë të kriminelit Rexhep Rraja, sot në kërkim, djalit të deputetit socialist, Rrahman Rraja, i cili ishte arrestuar pasi kishte torturuar, djegë mishin me cigare, goditur me qytën e revoles, vajzën e pambrojtur Xhisiela Maloku.

Ai së bashku me Edi Ramën, pas lirimit të kriminelit sulmuan dhe kërcënuan me egërsi oficerin Emiljano Nuhu, dhe e detyruan atë të largohet nga vendi dhe të kërkojë azil politik në vende të tjera.

Me emërimin e Taulant Ballës në krye të rendit nga Edi Rama, për herë të parë në historinë e shtetit shqiptar, emërohet ministër një person që ka aktualisht dy hetime penale të hapura, njëri ndërkombëtar dhe tjetri kombëtar.

Taulant Balla është njeriu i akuzuar direkt në 22 qershor 2018 në parlament si pritës i 5 milionë eurove para të sjella në Shqipëri me veturat ‘Toyota Yaris’. Vërtetë ai këtë akuzë të bërë nga Lulzim Basha e ka mbyllur në Shqipëri, por absolutisht jo në mbretërinë e Belgjikës, ku ai hetohet bashkë me akuzuesin e tij për dosjen në fjalë.

Taulant Balla është nën hetim në Shqipëri dhe është së fundmi disa herë në SPAK për lidhjet e tij me Gentian Sharrën dhe ndërhyrjet e dokumentuara nga regjistrimet e shumta të cilat provojnë angazhimin e tij korruptim për dhënien e paligjshme të tenderave prej qindra milionëve lekëve kompanisë së bashkëshortes së Gentian Sharrës.

Partia Demokratike e Shqipërisë deklaron se, Edi Rama, duke emëruar në krye të rendit, Taulant Balla, eksponentin kryesor në politikë të lidhur me krimin, drogën, vrasje, e dorëzon në mënyrën përfundimtare rendin dhe sigurinë e qytetarëve shqiptarë në duart e bandave të krimit të organizuar.

Me emërimin e Taulant Ballës, eksponent kryesor i krimit në politikë në krye të rendit, Edi Rama garanton organizatat kriminale të bandave të qyteteve kryesore të Shqipërisë dhe lidhjet e tij të faktuara me kartelet e Sinaloan e Meksikës dhe kartelet e tjera, se Shqipëria do jetë parajsa e kryesore e trafiqeve dhe larjes së parave të drogës, por dhe vendi më kryesor i eksportimit të krimit, drogës dhe trafiqeve të Europë.

© SYRI.net

Lexo edhe:

Komentet

Shto koment

Denonco