Daçiç: Kurti po krijon alibi për çdo serb që synon ta arrestojë

Daçiç: Kurti po krijon alibi për çdo serb që synon ta arrestojë

14:09, 01/07/2023
A+ Aa A-

Ministri i Jashtëm i Serbisë, Ivica Daçiq, ka thënë se kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, po krijon alibi për çdo serb që synon ta arrestojë me shpalljen si organizata terroriste të “Mbrojtjes Civile” dhe “Brigadës së Veriut”.

Qeveria e Kosovës të enjten shpalli organizata terroriste “Mbrojtjen Civile” dhe “Brigadën e Veriut”, organizata këto që veprojnë në veri. Nga Qeveria kanë thënë se veprimi u mor në koordinim me aleatët, por kjo u mohua nga shtetet e QUINT-it e SHBA-ja.

Daçiq të shtunën ka thënë se këto organizata janë inekzistente, por sipas tij, Kurti do t’i përdorë si alibi për serbët që mund të arrestojë.

“Kurti në këtë mënyrë krijon një lloj alibie për çdo serb të radhës që synon ta arrestojë dhe të kujtojmë se ekziston një listë prej 350 personash. Kujdes nga ajo që ka dalë, se duke shpallur organizatat inekzistente si terroriste, njerëzit e pafajshëm të arrestuar nga policia e tij do të akuzohen për një krim fiktiv të terrorizmit dhe do të mbahen në burg. Ai njeri me të vërtetë fantazon për fillimin e një lufte dhe, për fat të keq, nuk do të ndalet së gjuajturi koka serbe”, ka thënë Daçiq për Kurir.

Daçiqi ka deklaruar se reagimi i disa vendeve perëndimore ka qenë i fortë në momente të caktuara, por vetëm me fjalë dhe se është e qartë se vetëm kërcënimet deklarative me sanksione nuk mund ta zmbrapsin Kurtin.

“Sigurisht që kjo nuk mjafton. Nëse vërtet ekziston vullneti që ai të vijë në vete, të tërheqë njësitë e tij speciale nga veriu, kryetarët e tij të paligjshëm nga komunat serbe dhe të formojë urgjentisht Asociacionin, por të llojit për të cilin është rënë dakord në Marrëveshjen e Brukselit, komuniteti ndërkombëtar do ta zgjidhte lehtësisht. Askush nuk ka besuar që nga dje se një Albin Kurti është kaq i fuqishëm, më i fuqishëm se gjithë bashkësia ndërkombëtare”, thotë Daçiq.

Daçiq ka njoftuar se javën e ardhshme homologu izraelit do të shkojë në Serbi dhe do të diskutojnë për “rivendosjen e marrëdhënieve”, të cilat u vunë në pikëpyetje pas njohjes së Kosovës nga Izraeli./KD

© SYRI.net

Lexo edhe:

Komentet

Shto koment

Denonco