Gërvalla i reagon Borrellit: A po bëni thirrje për mosndëshkim për ata që sulmuan NATO-n?

Gërvalla i reagon Borrellit: A po bëni thirrje për mosndëshkim për ata që sulmuan NATO-n?

08:24, 24/06/2023
A+ Aa A-

Ministrja e Punëve të Jashtme, Donika Gërvalla, i ka reaguar Shefit të Diplomacisë së Bashkimit Evropian, Josep Borrell, për arrestimet në veri, të cilat ai i ka konsideruar si arreste pa përfillje të procedurave gjyqësore.

Gërvalla ka shpërndarë postimin e tij në Twitter dhe e ka pyetur nëse BE’ja po bën thirrje që të mos ndëshkohen ata që kanë sulmuar pjesëtarët e NATO’s.

“A po bën thirrje BE-ja për mosndëshkim për ata që sulmuan NATO-n?”, ka pyetur Gërvalla.

Gërvalla ka thënë se arrestimi i djeshëm, është bërë në bazë të Kodit të Prcoedurës Penale të Kosovës dhe se s’ka asgjë “jashtëgjyqësore”.

“Policia ka prova të qarta se personi i arrestuar sot ka marrë pjesë në sulmin kundër NATO-s më 29 maj. Arrestimi u bë në bazë të nenit 71 të Kodit të Procedurës Penale të Kosovës, kështu që nuk ka asgjë jashtëgjyqësore”, ka shkruar Gërvalla në Twitter.

Shefi i Politikës së Jashtme të BE-së, Josep Borrell, ka thënë dje se është shumë i alarmuar me situatën në veri të Kosovës.

Ai e ka kritikuar fuqishëm Kosovën, duke reaguar pas arrestimeve të reja nga Policia e Kosovës ndaj të dyshuarve për dhunë ndaj KFOR-it dhe pas marshimit të rregullt Ushtrisë së Kosovës në Mitrovicën jugore.

Arrestimet e serbëve ai i ka konsideruar si arreste pa përfillje të procedurave gjyqësore.

Në fund, Borrell shkurtimisht ka kritikuar edhe Serbinë, për retorikën e saj nxitëse.

“Shumë i alarmuar për situatën në veri të Kosovës: me arrestimet jashtëgjyqësore të serbëve & dhe marshimin e Forcës së Sigurisë së Kosovës në Mitrovicën jugore; përcjellë nga një retorikë e ashpër nga Serbia”, ka shkruar Borrell.

Ai ka thënë se ky eskalim në rritje, nuk do të tolerohet.

“Përkundër takimit të krizës dje, eskalimi po vazhdon dhe po bëhet më i rrezikshëm. Nuk do ta tolerojmë”, ka shkruar në fund ai.

Borrellit i ka reaguar edhe kryeministri Albin Kurti, i cili ka thënë se marshimi i Forcave të Armatosura të Kosovës në Mitrovicën e jugut sot, ishte vetëm stërvitje rutinore, e planifikuar në bazë vjetore, për të cilën është informuar edhe KFOR-i.

Interpretimet se kjo ecje e FSK-së në Mitrovicë ishte një lëvizje drejt tensionimit të situatës, Kurti i ka quajtur dezinformata. Ai ka thënë se këto interpretime janë dezinforma të rrezikshme dhe të papranueshme.

“Stërvitjet e sotshme të Regjimentit të Tretë të FSK-së në Mitrovicën e Jugut janë një rutinë e planifikuar në bazë vjetore, për të cilën është i informuar plotësisht KFOR-i. Është përbërë prej 215 ushtarëve që kanë ecur nga Kazerma “Minatori” në Frashër dhe prapa. Dezinformatat janë të rrezikshme dhe të papranueshme”, ka shkruar kryeministri, transmeton Gazeta Express.

Kurti ka folur edhe për serbin e arrestuar më Mitrovicën veriore, i njohur me nofkën “Rusi”, nën dyshimet për sulme ndaj forcave të KFOR-it.

Ai e ka arsyetuar arrestimin dhe ka thënë se nuk është i përfshirë në këtë arrestim.

“Si kryeminsitër i një shteti demokratik, kam zero përfshirje në hetimet e krimeve dhe arrestimeve”, ka shkruar Kurti tutje.

 Duke iu referuar situatës, Kurti ka bërë thirrje që të verifikohen lajmet para reagimeve.

“Shpërndarja e panikut dhe e pretendimeve të rreme vetëm sa ndez tensionet dhe ndihmon të tjerët që e kërkojnë eskalimin. Një thirrje për të gjithë: Ju lutem konfirmoni burimet tuaja dhe prisni për informacione zyrtare nga institucionet e Kosovës përpara se të përfshiheni publikisht në shpërndarjen e lajmeve apo parashikimit të ngjareve”, ka shkruar Kurti.

© SYRI.net

Lexo edhe:

Komentet

Shto koment

Denonco