Policia mbi muxhahedinët, Dudushi kundër Pekës dhe Salianjit: Nuk ka pasur gaz lotsjellës!

Policia mbi muxhahedinët, Dudushi kundër Pekës dhe Salianjit: Nuk ka pasur gaz lotsjellës!

23:10, 22/06/2023
A+ Aa A-

Gazetari Alban Dudushi ka debatuar me analistin Çim Peka dhe deputetin e PD, Ervin Salianji mbi “të vërtetën e muxhahedinëve” në emisionin Çim Peka Live të enjten mbrëma. Dudushi gjykoi se Policia e Shtetit shkoi në kampin MEK  për të zbatuar një urdhër dhe tha se  “nuk është e vërtetë që ka pasur gaz lotsjellës”!

Po ashtu, ai e kundërshtoi Pekën për faktin se Policia kishte tentuar të fshihte një vrasje në kamp, duke ngulmuar në qëndrimin e tij se ky ishte mendimi vetëm i Pekës, i Gjokutajt dhe i kreut të PD-së, Berishës.

Ndiqni një pjesë nga përplasja e Dudushit me Pekën dhe Salianjin që ishin të pranishëm në studio.

Alban Dudushi: Natyrisht që kjo është një çështje që duket që nuk është edhe aq e thjeshtë. Ka, le të themi, inflacion propagande edhe gjatë këtyre ditëve pas operacionit policor dhe ka informacion propagande nga të dy krahët, qoftë nga ana e qeverisë apo mediat që janë afër qeverisë - ashtu siç ka inflacion dhe propagandë edhe nga ana e opozitës dhe kulmi ishte sot në parlament me deklaratën e z, Berisha, i cili pas kaq vitesh u bashkua ...

Salianji: E fute edhe Berishën?!

Dudushi: ... u bashkua në një pikë me z. Majko. Dy njerëzit më entuziastë janë Majko dhe...

Salianji: E fute Berishën dhe te muxhahedinët?! Je i madh!

Çim Peka: Po u fut dhe Berisha vetë.

Salianji: Po Berisha mbajti një qëndrim të caktuar.

Alban Dudushi: Nuk është qëndrimi i duhur për mua dhe do ta shpjegoj pse. Sepse të paktën nga të gjitha  qëndrimet dhe deklarimet që ka pasur Ministria e Brendshme, qeveria, Policia në lidhje me çështjen, e para e punës (dhe pse po them që është propagandë) nuk është e vërtetë që papritur e pakujtuar qeveria shqiptare po i cilëson ata që janë në kamp, si “terroristë”.

Çim Peka: Kur i ka cilësuar përpara?!

Alban Dudushi: Po as tani nuk po i cilëson, po them. Nuk është duke i cilësuar si terroristë, por...

Çim Peka: Dudush! Se në një farë forme ... Je gazetar goxha i informuar dhe nuk mund të më thuash  që nuk e kupton me nuhatjen që ke për kaq vite në gazetari, kur qeveria e jep orientimin që ata janë terroristë; të gjitha mediat që deri para tri ditësh i konsiderojnë opozitë kundër regjimit të Iranit dhe falenderojnë Ramën, kanë tri ditë që po “zbulojnë” që brenda kampit ka vrasje, ka përdhunime, që këta janë terroristë ...

Dudushi: Edhe ti si gazetar i informuar, je i pasaktë.

Çim Peka: Pse?!

Alban Dudushi: Ja po ta them unë. Në vitin, në mos gaboj 2015 ose 2016, emisioni Fiks Fare ka nxjerrë dëshmi që janë risjellë tashmë të atyre që janë larguar nga kampi dhe kanë denoncuar në kampin MEK të gjitha shkeljet dhe abuzimet me të drejtat e njeriut që ndodhin. Ka qenë emisioni Fiks Fare që e ka bërë këtë gjë.

Çim Peka: Dhe personi që ka denoncuar është dënuar po nga qeveria e Ramës, 12 vjet!

Alban Dudushi: Ore, nuk e di kush është dënuar dhe pse është dënuar, po unë po të them se çfarë ...

Çim Peka: 12 vjet, personi që ka denoncuar! Personi që ka thënë ato që po thotë Bled Çuçi është dënuar 12 vjet nga qeveria e Ramës.

Alban Dudushi: Atë që mediat po e flasin tani, mediat herë pas herë kanë folur për këtë gjë. Prandaj po them që duhet t’i ndajmë disa gjëra. E para e punës njëherë, MEK-un nuk e ka bërë ëngjëll njeri në këtë botë.

Ervin Salianji: Po po, po cili është qëndrimi? Pavarësisht se çfarë janë ata, është mirë që ... Një pyetje, Policia e Shtetit, se këtu e kemi ne, të mos merremi me regjimin e Iranit, Policia e Shtetit ka qenë në tejkalim apo jo?

Alban Dudushi: ... duhet të zbatojë ligjin dhe Policia e Shtetit vajti atje për të zbatuar një urdhër. Nuk është e vërtetë që ka pasur gaz lotsjellës, për shembull.

Çim Peka: Ti e ke atje me pamje!

Alban Dudushi: Jo pra, jo, është me spray. Me piper spray.

Çim Peka: Vdekja nga ajo është...

Alban Dudushi: Këtë prit ta vërtetojnë sepse...

Çim Peka: Atëherë të them një gjë. Policia e Shtetit në kohën që ishim në transmetim live...

Alban Dudushi: Po ta mbaroj një fjali deri në fund, o burrë!

Çim Peka: Po bashkëbisedojmë, nuk jemi kundër në këtë rast, informacion po shkëmbejmë...

Alban Dudushi: Po si ka mundësi që bashkëbisedimi ...Salianji e bëri qëndrimin e tij si anëtar i Komisionit të Sigurisë.

Çim Peka: Informacion po shkëmbejmë..... Alban, e ke ndjekur transmetimin Live ditën e ngjarjes?

Alban Dudushi: Po patjetër që e kam ndjekur. Ore, mund të ketë pasur tejkalim të Policisë, nuk është hera e parë që Policia e tejkalon...

Çim Peka: O Alban, ka tentuar të fshehë vrasje!

Alban Dudushi: Ky është vetëm versioni yt, i Gencit dhe i z. Berisha!

Çim Peka: Pse?!

Alban Dudushi: Ky është versioni që vrasjet  i ka bërë Policia. Tani këtu duhet qëndruar, kjo është ajo që jam duke thënë.

Çim Peka: Po faktin që Policia mohon të vdekurin, e pranon, nëse ke ndjekur transmetimet Live?!

Alban Dudushi: Sepse Policia thotë “nuk ka të vdekur si pasojë e përplasjes me ne”. Ka qenë fjali e plotë e Policisë. Tani, të lutem shumë!

Ndiqeni debatin e plotë në vazhdim në emisionin Çim Peka Live./ar.sh/SYRI.NET

© SYRI.net

Lexo edhe:

Komentet

Shto koment

Denonco