Bastisja e dhunshme e muxhahedinëve/ Berisha: Janë marrë të mirëfillta akuzat nga regjimi i ajatollahëve

Bastisja e dhunshme e muxhahedinëve/ Berisha: Janë marrë të mirëfillta akuzat nga regjimi i ajatollahëve

13:58, 21/06/2023
A+ Aa A-

Kryetari demokrat, Sali Berisha, deklaroi përpara deputetëve të opozitës, se bastisja e dhunshme e muxhahedinëve ndodhi pas akuzave që erdhën nga regjimi i Teheranit.

“Tani, vijmë te një moment tjetër se po e dëgjoj shpesh. Muxhahedinët janë fronti i rezistencës kombëtarë të Iranit. Janë organizatë e mirëfilltë politike. Kanë organizimin e tyre në Europë, Iran dhe më gjerë.

Personalitete të shquara të SHBA dhe të Europës, që kanë ardhur dhe i kanë vizituar, kanë ardhur si miq te një organizatë politike. Këta që thonë se po merren me politikë, këta politikë bëjnë se nuk janë pa politikë. Por, natyrisht se cilat janë kushtet që ka vendosur qeveria e mëpasme, nuk i bën publike, nuk e publikon as marrëveshjen, gjë që duhet të jetë transparente.

Di që ombrella e OKB ka vazhduar.

Nuk po ndalem këtu në aktet e rezistencës së tyre, por këta kanë luftuar me gjithë mundësitë që kanë pasur kundër regjimit të Shahut dhe kanë vazhduar betejën kundër teokracisë së ajatollahëve. Ajo që ndodhi dje ishte një akt i shëmtuar, jo se qeveria dhe autoritetet nuk kanë të drejtë të ushtrojë kontroll. Kjo nuk diskutohet.

Por, të dyndesh më mijëra policë dhe të vritet tjetri dhe të thuash që nuk ka viktima, të thyesh këmbë e duar dhe të thuash që nuk është përdorur dhuna, këto janë shumë të rënda.

Nga ana tjetër, motivet. Ju i dëgjuat dje, njëri thoshte po merren me politikë dhe kanë publikuar gazetë. Çfarë krimi qenka publikimi i gazetës? Ka një televizion diaspora iraniane që transmeton 24 orë kundër ajatollahëve. Kjo është gjëja më normale, propaganda. Sipas tyre, mëkati i madh është se kanë botuar gazetë.

Po këtë të gazetës, këta nuk e thonë në gjykatë. Në gjykatë ka motive me të cilat vërtetohet se është shkelur marrëveshja. Regjimi i ajatollahëve ka dërguar të dhëna se këta kanë nisur komando apo këta kanë hakeruar sisteme në republikën e ajatollahëve. Sa i përket të parës, është e papranueshme nëse është ne vërtetë. Por të marrësh të mirëfilltë një akuzë të një regjimi që dhunon dhe shtyp gjithë ditën njerëzit e vet, nuk është e lehtë. Është përgjegjësi e madhe t’i besosh ajatollahëve për të ndërmarrë atë lloj dhune që u ndërmor ndaj tyre.

Përsëri, janë shumë jotransparentë. Zëri i Amerikës thotë se bastisja u bë se mund të ndërmerrej një sulm kibernetik ndaj një vendi tjetër. Mundet. Kurse Fox News thotë se i akuzojnë se kanë bërë hakerimin e sistemeve shqiptare.

Në gjykatë, kërkesa që kanë bërë, ka lidhje me Teheranin,” tha Berisha.

© SYRI.net

Lexo edhe:

Komentet

Shto koment

Denonco