SYRI TV/ 2 mln euro në muaj për Sharrën, SPAK hesht. Veliaj e Sako paguajnë për shërbimin gjysmak

13:25, 21/06/2023
A+ Aa A-

Koncesionari i landfillit të Sharrës vijon të marrë pagesat për një shërbim të cilin nuk e kryen. Tre vjet nga kallëzimi për inceneratorin, bashkitë Tiranë, Durrës e Kavajë po i arkëtojnë kompanisë së Zotos fatura të majme. Pas zgjedhjeve të 14 majit, në llogarinë e shoqërisë “Integrated Energy BV”, janë depozituar mbi 2 milionë euro. Ndërkohë, SPAK po hesht për këtë aferë që konsiderohet si një prej më të rëndave.

SYRI TV

Saktësisht tre vjet më parë, shoqëria civile dorëzoi kallëzimin e parë në SPAK për procedurat koncesionare të landfillit të Sharrës. Deri më tani, prokurorët e posaçëm nuk kanë ndërmarrë asnjë iniciativë në çështjen, ku janë të kallëzuar funksionarët më të lartë shtetërorë, si edhe kryebashkiaku i Tiranës, Erion Veliaj.  Përballë kësaj heshtjeje të institucioneve ligjzbatuese, pagesat për kompaninë koncesionare të krijuar nga biznesmeni në kërkim, Klodian Zoto, vijojnë pa ndërprerje, madje edhe duke u shtuar.

“Syri Televizion” ka kryer verifikim mbi pagesat e lejuara nga Thesari i Shtetit për shoqërinë “Integrated Energy BV”.

Të dhënat dëshmojnë se kompania private ka arkëtuar plot 2 milionë euro vetëm në muajin e fundit. Bashkia e Tiranës dhe institucionet e tjera lokale kufizuar përkohësisht pagesat para zgjedhjeve lokale të 14 Majit, me shumë mundësi për të shmangur raportimet mediatike mbi pagesat për projektin e dyshuar si abuziv. Por, menjëherë pasi u mbyllën kutitë e votimit, bashkitë e Tiranës, Durrësit e Kavajës nisën të paguanin me intensitet faturat për kompaninë e krijuar nga Zoto. Prej 15 majit e deri më tani, janë kryer 14 fatura, me vlerë totale 230 milionë lekë të reja ose mbi 2 milionë euro.

Kontrata koncesionare e nënshkruar ndërmjet qeverisë së Edi Ramës dhe kompanisë private me seli në zonën off-shore të Amsterdamit parashikon pagesa për depozitimin, përpunimin dhe incenerimin e mbetjeve urbane.

Deri më tani, në landfillin privat të Sharrës kryhet vetëm depozitimi i mbetjeve urbane, ndërkohë që impianti i incenerimit të mbetjeve ende nuk është ndërtuar.  Kontrolli i Lartë i Shtetit konstatoi më herët se institucionet publike po paguajnë shuma më të mëdha se sa shërbimi që marrin nga koncesionari.  E, megjithatë, asgjë nuk ka lëvizur. Bashkia e Tiranës dhe të ngjashmet e saj vijojnë të paguajë faturat e plota, ndërkohë që SPAK-u mban heshtje olimpike për atë që konsiderohet si një prej aferave më të rënda financiare të pluralizimit shqiptar.  

© SYRI.net

Lexo edhe:

Komentet

Shto koment

Denonco