KAFE SHQETO/ Krasniqi: Kemi nevojë më shumë se kurrë për Shqipërinë

11:56, 16/06/2023
A+ Aa A-

Kryetari i PDK-së, Memli Krasniqi, ishte i ftuar në 'KAFE SHQETO' në Syri Tv, në një lidhje me 'Skype' këtë mëngjes, teksa u ndal në tensionet në veri, dhe në shkaqet që sipas tij, agravuan situatën deri këtu.

Krasniqi komentoi gjithashtu edhe qëndrimin e Shqipërisë në këtë situatë, ku u shpreh se Kosova po izolohet tashmë edhe nga Shqipëria, në ditët që ajo ka më shumë nevojë për të.

"Po, ka një krizë mes Shqipërisë dhe Kosovës. U mundova ta përmbledh mendimin tim më një fjali, në kohën që ne si Kosovë, për shkak të zhgënjimit me qeverinë tonë po na izolon Perëndimin, ne kemi nevojë më shumë se kurdoherë për Shqipërinë, tani ne izolohemi dhe me Shqipërinë, unë nuk e di ku na ngelë një derë e hapur?! Me kë do flasim ne, nëse e mbyllim derën me Amerikën, e mbyllim derën me Europën e aq më shumë me Shqipërinë? Pra, ka nevojë për një ndryshim, për një reset, një qasje ndryshe dhe riprogramim të kësaj qeverie në raport me të gjithë, por edhe me Shqipërinë, sepse ju e dini që ne këto dy vite kemi pasur pikën më të dobët të bashkëpunimit kështu që mosmbajtja e mbledhjes vërtet ishte zhgënjyese sepse u prish vërtet një traditë e gjatë, një dekadëshe që e kishim filluar ne, me ish-kryeministrat Thaçi dhe Berisha e që vazhdoi vite me radhe dhe prodhoi, përkundër sfidave dhe ngecjeve, prodhoi një përafrim dhe bashkëpunim të mirë".

Krasniqi theksoi se rrëmbimi i tre policëve kosovarë është një akt agresioni i pastër nga Serbia ndaj Kosovës, ndonëse u shpreh optimist për lirimin e tyre sa më shpejt.

"Unë shpresoj që po punohet për lirimin e tyre, dje gjatë gjithë ditës ishim në Kuvend dhe ftova kryeministrin të vinte në një seancë të veçantë që ai e pranoi që të vinte pasdite vonë, por fatkeqësisht nuk kishte ndonjë informacion konkret duke qenë se dhe vetë është në nje terr informativ, nuk dihen as se ku mbahen, se si mbahen dhe si janë 3 policët e rrëmbyer. Por ka një angazhim së paku dhe nga komunikimet e mia me partnerë ndërkombëtarë dhe nga kërkesat që kemi bërë duket se ka një lëvizje përpara dhe ka një opitimizëm për lirimin e tyre të shpejtë. Kjo në vetvete përbën një akt agresioni të Serbisë kundër republikës sonë dhe ne besoj si shtet dhe si popull duhet të sillemi karshi seriozitetit të kësaj qasje që Serbia tashmë ka rikthyer në raport me Kosovën. Kemi pasur një shqetësim tjetër, duke ditur që asnjë nga partnerët ndërkombëtarë, duke përfshirë këtu edhe BE, NATON dhe SHBA nuk ka pasur një reagim të zëshëm në lidhje me këtë situatë dhe unë besoj që ishte dhe një mesazh se si humbet mbështetja, kur ke një qasje shpërfillëse dhe arrogante siç Kurti ka vepruar, sidomos këto tre javët e fundit".

Për kryetarin Krasniqi, pika ndarëse mes tij dhe qeverisë nisi me atë çfarë ai e quan ‘shkatërrimin e marrëdhënieve me ndërkombëtarët’ për të cilën fajëson drejtpërdrejt kryeministrin Kurti. Sipas kryetarit të PDK-së, Kurti u kujtua vonë për trajtimin e kësaj çështjeje me seriozitet, dhe se kostoja që po paguhet sot, është pasojë e qasjes së tij.

"Pika ndarëse kryesore mes nesh është shkatërrimi i marrëdhënieve me ndërkombëtarët, gjatë gjithë kohës që zoti Kurti ka qenë në pozitë të kryeministrit. Ne, në pjesën e parë ishim mbështetës të tij duke e inkurajuar që ta merrte këtë më seriozisht se ç’bënte ai dhe duke kërkuar që të angazhohej me një dinamikë të shtuar për të arritur në marrëveshjen finale, që nuk ndodhi, se ishte kohë e humbur në më shumë se gjysmën e parë të mandatit. Kur Kurti mori seriozitetin për tu angazhuar në këtë proces, ai arriti në marrëveshje finale të përkohshme, të pjesshme, të përqëndruar në asosacionin për komunitetin serb. Kjo ishte vërtet pasojë e sjelljes dhe qasje së tij, një qasje shpërfillëse, arrogante dhe mos-bashkëpunuese ndaj aleatëve më strategjik të Kosovës dhe tani kjo ka koston e vet".

© SYRI.net

Lexo edhe:

Komentet

Shto koment

Denonco