SYRI TV/ Aeroporti i Vlorës, Edi Rama injoron Parlamentin Europian

12:35, 13/06/2023
A+ Aa A-

Kreu i qeverisë, Edi Rama, propagandoi këtë të martë vijimin e  punimeve në Aeroportin e Vlorës, duke injoruar hapur Parlamentin Europian, i cili i kërkoi qeverisë të ndalte menjëherë projektin, pasi shkatërron ekosistemin. Kjo kërkesë, jo vetëm që nuk është marrë parasysh nga kryeministri Rama, por ai sfidon Parlamentin Europian, duke publikuar pamje nga punimet e projektit, për të cilin thotë se e shndërron Vlorën në një portë të madhe për vizitorët

SYRI TV

Kryeministri Edi Rama ka përshëndetur këtë mëngjes ndjekësit e tij në rrjetet sociale me pamje nga punime për Aeroportin e Vlorës, duke sfiduar hapur Parlamentin Europian që ka kërkuar ndalimin e menjëhershëm të veprës publike që shkatërron eko-sistemin e një zone të mbrojtur natyrore.

Në orët e para të së martës, kreu i qeverisë ka postuar komentin “Mirëmëngjes dhe me Aeroportin Ndërkombëtar të Vlorës, ku ka filluar të ndërtohet edhe terminali i pasagjerëve, si edhe ka përfunduar shtrirja e bazamentit të pistës, për ta shndërruar Vlorën në një tjetër portë të madhe për të gjithë vizitorët që zgjedhin Shqipërinë, ju uroj një ditë të mbarë”.

Në fund të majit 2023, Parlamenti Europian miratoi rezolutën për vitin 2022 për Shqipërinë, të hartuar nga Komiteti për Politikën e Jashtme. Në një prej pikave të kësaj rezolute, e konkretisht në atë me numër 83, europarlamentarët deklarojnë: “I kërkohet qeverisë shqiptare të ndalojë projektet që rrezikojnë të shkelin normat kombëtare dhe ndërkombëtare të mbrojtjes së biodiversitetit, si Aeroporti Ndërkombëtar i Vlorës, dhe të ndalojë zhvillimin e hidrocentraleve në zonat e mbrojtura”.

Por, duket se ky qëndrim i prerë i legjislativit të Bashkimit Europian nuk e ka ndalur aspak kryeministrin Rama, i cili duket i vendosur për të vijuar projektin e tij që shkatërron mjedisin e zonës.

Ndërtimi i Aeroportit të Vlorës në kufijtë e zonës së mbrojtur dhe në rrugëkalimin e zogjve shtegtarë nga Europa drejt Afrikës është kundërshtuar nga Komisioni Europian dhe Konventa e Bernës, e cila deklaroi në takimin e e mbajtur më herët në Strasburg se projekti kishte mungesë të theksuar të zbatimit të ligjeve kombëtare dhe ndërkombëtare në fushën e mjedisit.

Në mars të vitit 2021, qeveria shpalli fitues të koncesionit për ndërtimin e aeroportit të Vlorës konsorciumin e kompanive Mabco Constructions në pronësinë e biznesmenit dhe politikanit kosovar, Behgjet Pacolli në partneritet me kompaninë turke, Yda Group, e cila ka në eksperiencën e saj ndërtime dhe operime në të paktën tre aeroporte në Turqi, Kazakistan dhe Ukrainë.

Konsorciumi fitues ka marrë përsipër që të investojë 104 milionë euro për ndërtimin e aeroportit, por rreth një vit e gjysmë pas fitimit të tenderit, kompania turke, YDA Group u largua nga projekti dhe i shiti Pacollit paketën e vet prej 40% të aksioneve për një vlerë minimale prej 4450 eurosh.

© SYRI.net

Lexo edhe:

Komentet

Shto koment

Denonco