Berisha mban 1 minutë heshtje: Berlusconi, mik i çmuar i Shqipërisë, Kosovës, PD-së dhe i imi personalisht

12:22, 12/06/2023
A+ Aa A-

Kryetari demokrat, Sali Berisha, nderoi mikun e tij, politikanin e shquar italian, Silvio Berlusconi me 1 minutë heshtje. Ish-kryeministri italian u nda nga jeta në moshën 86-vjeçare.

“Dielli perëndoi përgjithmonë për Silvio Berlusconin.

Silvio Berlusconi, italiani i madh dhe i pavdekshëm, themeluesi dhe udhëheqësi i Forza Italia, ish-kryeministri i shquar i Italisë, shtetari që lartësoi më shumë se kushdo tjetër, rolin e Italisë në Europë dhe botë, simboli i suksesit të iniciativës së lirë, miku i madh i kombit shqiptar, mbylli sytë përgjithmonë.

Kombi mik italian është sot në zi dhe së bashku me të, miqtë e Silvio Berlusconit në mbarë botën.

Silvio Berlusconi ishte një mik i madh dhe i çmuar i Shqipërisë, i Kosovës, i kombit shqiptar, i PD-së dhe i imi personalisht.

Ndarja e tij nga jeta është një humbje e madhe për kombin mik italian, është një humbje e madhe për forcat politike të qendrës së djathtë në Europë dhe në botë.

Është një humbje e madhe për Shqipërinë, Kosovën, të cilat ai i mbështeti dhe në momente kritike me vendosmërinë më të madhe.

Rikujtoj shqiptarëve se 24 vite më parë, kur Kosova digjej në flakët me operacionit ‘Patkoi’, Luani i Apenineve udhëhiqte opozitën italiane.

Por kjo nuk e pengoi të mbështesë qeverinë italiane të majtë të asaj kohe, në vendimin për të autorizuar përdorimin e bazave të NATO-s për bombardimin e regjimit të Millosheviçit.

Në takime të shumta, që unë kam pasur me të në Itali, Shqipëri, Europë, kam ndjerë nga afër ndjenjat e tij më miqësore për shqiptarët, respektin e tij për kombin tonë.

Me këtë rast, unë duke shprehur mirënjohjen time të pakufishme për miqësinë e tij ndaj meje, ndaj Shqipërisë dhe kombit shqiptar, ndaj PD-së, shpreh ngushëllimet më të ndjera familjes Berlusconi, miqve, të afërmve të Kavalierit të pavdekshëm.

Do ta nderoj këtu me një minutë heshtje, kujtim e pavdekshëm të mikut të madh, Silvio Berlusconi,” tha Berisha.

© SYRI.net

Lexo edhe:

Komentet

Shto koment

Denonco