Lulzimi i biznesit politik mbi rrënojat e PD

Lulzimi i biznesit politik mbi rrënojat e PD

11:48, 07/06/2023
A+ Aa A-

Kryetari, i shkarkuar dhe i dorëhequr njëkohësisht, me vulën në dorë dhe një shpurë mbështetësish ka vendosur të ndërtojë një parti për Edi Ramën.

DOSJA.AL

Gazmend Bardhi u sulmua verbalisht nga trimat e Lulzim Bashës, duke dalë nga mbledhja e asaj që vetëquhet Kryesia e PD. Bashkë me të një grup i vogël deputetësh, të zhgënjyer nga ajo që po ndodhte, e panë veten të kërcënuar fizikisht për të kuptuar se shpresa për bashkimin e PD-së është shuar përfundimisht. Kryetari, i shkarkuar dhe i dorëhequr njëkohësisht, me vulën në dorë dhe një shpurë mbështetësish ka vendosur të ndërtojë një parti për Edi Ramën.

Në kohën më të keqe për vendin e kërcënuar nga monizmi, kur opozita si ofertën më të sigurtë sjell përçarjen dhe të pakënaqurit nga qeveria zgjedhin si alternativë largimin nga vendi si t'i ikin zjarrit që shkrumbon gjtihçka. një njeri që qesh si Lulzim Basha, ka vendosur të ndezë cigaren qetësisht për të rihapur biznesin politik. Për më shumë se 1 vit e gjysmë, rruga që ai themeloi, e shndërroi opozitën në mbledhëse thërrimesh elektorale ndërsa fuqizoi pushtetin personal të Edi Ramës. Me rikthimin e dhunshëm i garanton atij pushtetin e përjetshëm.

Ashtu si u parlajmërua nga Alibeaj në 19 mars të 2022, kur bëri hapin mbrapa pas humbjes së turpshme të 6 marsit, Lulzim Basha vetëm sa u tërhoq për ta telendisur PD-në deri në atë pikë sa anëtarësia ta shikojë rikthimin e tij si shpresë. Gjyqet dhe vula mbizotëruan debatin opozitar, figura groteske që dilnin në vijën e parë si shpëtimtarët proamerikane të opozitës, lufta me shumicën me mjetet e disponuara nga Edi Rama, sollën një rezultat të turpshëm zgjedhor, që do të ishte terreni më i përshtatshëm për çdo ish-kryetar që të kthehej si triumfator. Ne teori Basha kishte të drejtë, praktikisht doli e kundërta, askush nuk e do rikthimin e tij, as Gazmend Bardhi, me luajalitetin ekzemplar.

Me këtë luajalitet ndaj Bashës, Gazmend Bardhi emëroi Alibeajn kryetar në detyrë pa mbledhur Këshillin Kombëtar, pastaj u mundua të ndërtonte ura me shumicën e partisë, tentoi bashkimin për zgjedhjet lokale dhe, pasi nuk ia arriti, kërki që pakica e Alibeajt të mos nxirrte kandidatë, por të konkuronte vetëm me logon. Pasi nuk ia arriti, bëri fushatë për logon dhe kandidatët e foltores, pas dorëheqjes së Alibeajt tentoi të ndërtonte një proces bashkimi, me një platformë gjithpërfshirëse që mund të negociohej me shumicën.

E gjithë kjo tentativë për të shpëtuar PD-në, revoltoi ideatorin e përçarjes, Lulzim Basha. Ai ndërhyri menjëherë që kjo të mos ndodhte, që copa e vogël që i ka shkëputur PD-së, bashkë me logon dhe vulën që ia dhuroi Rama, të mos bashkohej me pjesën e madhe, sepse biznesi politik prishej, ai nuk do zgjidhej dot kryetar dhe nuk do ta shiste dot copën e vjedhur në tregun e zi të autokracisë.

Përpjekja e Gazmend Bardhit dhe disa deputetëve të tjerë, mori fund në orët e para të mëngjesit. Kokat e nxehta fituan, në të dyja palët beteja e ardhshme do të jetë me njëri-tjetrin. Ata që duan ta shmangin janë 25 deputetë, grupi më i madh parlamentar i opozitës, por të pafuqishëm përballë interesave personale të palëve në PD. Vula mori përfundimisht rrugën e mavijtë. është në dorën e Berishës dhe mbështetësve të tij, të nisin një proces bashkimi me 25 deputetët e mbetur pa parti, është në dorën e shumicës së PD që të shtojë radhët dhe të shpëtojë opozitën tradicionale nga shkatërrimi përfundimtar. Ndryshe, në 2025, PD do të jetë një kujtim./Dosja.al

© SYRI.net

Lexo edhe:

Komentet

Shto koment

Denonco