Soko: Si me Kokën, Tahirin, Dakon, qëllimi final është të marrim paratë mbrapsht! A do t'ua marrim paratë?

19:18, 06/06/2023
A+ Aa A-

“Qëllimi ynë final nuk është të çojmë Vangush Dakon në burg dhe ta paguajmë 50 euro në ditë, se aq na kushton një i burgosur neve, por që të marrim paratë mbrapsht! Qoftë në rastin e z.Koka, të z.Tahiri, të kryebashkiakëve të tjerë që janë arrestuar, qëllimi ynë është që ne të marrim këto para mbrapsht. Pra, a do t’ia marrim paratë mbrapsht ne, Dakos?!”

Kështu gjykon dhe këtë pyetje ka për SPAK-un, Pano Soko, jo politikan, por një ekspert i ekonomisë që bën llogari të thjeshta për aksionet që ndërmarrin institucionet e shtetit, aq më tepër kur ai ka në dorë raportin e fundit të KLSH-së që tregon se shtetit shqiptar i janë bërë 500 milionë euro dëme nga zyrtarët vetëm në vitin 2021.

I ftuar në studion e gazetares Sonila Meço sot për të komentuar arrestimin e bashkëpunëtorit më të ngushtë të Kryeministrit Edi Rama, ish-kryebashkiakut të Durrësit, Vangjush Dako, Pano Soko e trajtoi çështjen vetëm në aspektin e përfitimit që ka qytetari shqiptar prej këtij rasti apo të tjerëve të ngjashëm dhe jo politikani, qeveritari.  

“E para, prekja e Dakos apo arrestimi i Dakos në vetvete për mua është një lajm i mirë, - tha Pano Soko. -  Por natyrisht, është “paradhoma” e asaj që ne të gjithë presim sepse Dako nuk është koka e asaj që ka ndodhu në Shqipëri dhe nuk po flas vetëm për lejet e ndërtimit, por po flas për abuzimin që është bërë me tenderat, abuzimet që janë bërë me buxhetin e shtetit, me lekët e buxhetit të shtetit etj. etj.

Dhe Dako është një hallkë e ndërmjetme e cila,  për shkak të lidhjes që ka pasur me Kryeministrin dhe afrisë së madhe që kanë pasur me njeri-tjetrin, ka qenë konsideruar si një kështjellë e paprekshme e kjo që ndodhi sot është një lajm i mirë për të gjithë shqiptarët se tashmë të gjitha këto “kështjellat” që e kanë rrethuar Kryeministrin, po fillojnë po bien një nga një. Po kjo nuk mjafton.

Pse nuk mjafton?! E para njëherë se, nga të gjitha këto arrestime që ka bërë SPAK, unë kam filluar të zvetënohem pak kur vjen puna për të treguar emocione, sepse qëllimi ynë final, kush është?! Që ta kuptojmë. Nuk është që ta çojmë Dakon në burg dhe ta paguajmë 50 euro në ditë, se aq na kushton një i burgosur neve, na kushton 50 euro. Qëllimi final yni është që të marrim paratë mbrapsht!

Pra, qoftë në rastin e z. Koka, të z.Tahiri, të kryebashkiakëve të tjerë që janë arrestuar, qëllimi ynë është që ne të marrim këto para mbrapsht. Dakos, do t’ia marrim paratë mbrapsht ne?! Kjo është pyetja ime që kam për SPAK! E para.

E dyta: kjo është ajo barra e provës që ka SPAK. Pra në qoftë se SPAK arrin të sekuestrojë paratë, pronat që janë konfiskuar, që u janë marrë njerëzve me dhunë, paratë që janë marrë nga buxheti i shtetit me dhunë pëpër tenderave, nëpërmjet koncesioneve etj. etj. dhe nëpërmjet atyre abuzimeve që janë bërë, atëherë këtu unë do t’i duartrokisja. Në momentin që merren paratë! Sepse misioni ynë ky është, të marrim paratë! Të marrim paratë mbrapsht, se s’jam të paguaj Dakon 50 euro!!!

Dhe e dyta: a do t’i shkohet deri në fund?! Pra, do të mbetemi në këto nivele të ish-ëve? Se shiko çfarë kemi bërë, vetëm ishë kemi marrë. Presim të bëhen ishë dhe i marrim. Ish-ministri, ish-kryetari etj. etj. Aktualisht, nga këta , a ka përgjegjësi njeri për këto dëme?!

KLSH ka publikuar raportin financiar të vitit 2021. Janë 500 milionë euro dëme. Ka njeri përgjegjësi për këto 500 milionë euro?! Ka ndodhur tani, nuk ka ndodhur me ish-a. Pra, kanë ndodhur tani këto 500 milionë eurot! Nuk ka ndodhur me ishat. A ka njeri përgjegjësi për këto?!

E dyta, do të mbetemi përsëri në këto nivele që njerin e merr për shpërdorim detyre, njerin për një lejë që ka dhënë këtu, tjetrin ...Janë shumë të rëndësishme dhe këto, edhe tenderi 800 mijë lekë, edhe kjo leje ndërtimi, çfarë janë shkelje ligji janë shkelje ligji, por a do ta kapim ne “elefantin” që kemi në dhomë apo jo?! Apo do ta lëmë dhe do të merremi me qelqurinat?!

Ne kemi sot që flasim, një ngjarje që kaloi edhe për shkak të gravitetit të zgjedhjeve, kaloi pa u diskutuar fare. Zoti Bechetti ka marrë, ka përvetësuar 65 milionë euro nga llogaritë bankare të Shqipërisë në Belgjikë për llogari të vetën personale, në llogari të gjyqit që ka fituar me shtetin shqiptar.

Më falni, kjo është një humbje ashiqare e parave të taksapaguesve shqiptarë. Do të mbajë njeri përgjegjësi për këto para që kanë ikur? Dhe kjo është gjëja më e thjeshtë për t’u hetuar nga SPAK!”/ar.sh/SYRI.NET

 

 

© SYRI.net

Lexo edhe:

Komentet

Shto koment

Denonco