Parlamenti britanik debaton për Kosovën/ Kearns: Gabim që SHBA dhe BE kritikuan Prishtinën

Parlamenti britanik debaton për Kosovën/ Kearns: Gabim që SHBA dhe BE kritikuan Prishtinën

19:38, 05/06/2023
A+ Aa A-

Në Parlamentin e Britanisë së Madhe është duke u debatuar për situatën në veri të Kosovës.

Deputetja britanike dhe kryetarja e Komitetit për Politikë të Jashtme në Parlamentin e Britanisë, Alicia Kearns, ka ngritur pyetje për çështjen e tensioneve në veri të Kosovës.

“Dua të vendos në kontekst se Kosova nuk është Serbi, por më herët këtë vit, Beogradi ka orkestruar bojkot të zgjedhjeve demokratike të mbajtura në komunat veriore të Kosovës. Rezultatin e atyre zgjedhjeve e kemi njohur në Perëndim e tani po kërkojmë sërish zgjedhje, dolën vetëm 3 për qind. Por ishte faji i ndërhyrjes nga jashtë, dhe duket se shpesh nuk përmendet kjo. Javën e kaluar, kryetarët e komunave, jo me dhunë, tentuan të futen në zyra, por dhuna u orkestrua. Po të ndaloheshin kryetarët tanë të punonin nga zyrat e të detyroheshin të punonin në shtëpi, do të thoshim është goditje e rëndë ndaj demokracisë. Pati dhunë të orkestruar në veri nga milicia e financiar nga Beogradi, dhunë kundër KFOR-it, Policisë, hodhën koktej molotovi, gjuajtën me armë, dogjën vetura”, tha Kearns.

Ajo pyeti se pse kishte një reagim aq disproporcional nga aleatët.

“Është e gabuar që SHBA-ja e BE-ja vendosën të kritikonin Kosovën, e nuk pati kritika ndaj milicisë së armatosur”, ka thënë Kearns. Ajo tha se po dështon marrja e masave ndaj Beogradit, ndërsa ka treguar se si qytetarët në veri kërcënohen nga grupet kriminale.

Kurse ministri i Jashtëm i Britanisë, Andrew Mitchell, thase po punohet me partnerët ndërkombëtarë për t’u ulur tensionet.

“Më 18 maj së bashku me SHBA-në, Francën, Gjermaninë, Italinë e BE-në, ne kërkuam që për punën e komunave në veri të gjendet një zgjidhje afatgjate. Paralajmëruam kundër përdorimit të forcës apo veprimeve që mund të rrisin tensionet. Më 26 maj shprehëm shqetësimin për vendosjen me forcë të kryetarëve në objektet e komunave, si dhe veprimit të Serbisë për të rritur gatishmërinë e forcave ushtarake rreth kufirit të Kosovës. I bëjmë thirrje Qeverisë së Kosovës të largojë Njësitet Speciale të Policisë nga komunat, e kryetarët të ushtrojnë detyrat nga lokacione alternative. Emisari Sir. Stuart Peach ka vizituar Kosovën më 30 maj, është takuar me krerët e institucioneve atje dhe po ashtu me komandantin e KFOR-it”, tha Mitchell.

Ai ka thënë se kryeministri britanik Rishi Sunak është takuar me presidenten e Kosovës, Vjosa Osmani më 1 qershor e ka folur për këtë çështje. Mitchell ka thënë se Britania mbështet thirrjet e aleatëve ndërkombëtarë të bëra më 1 qershor për zgjedhjet e reja në veri, të punohet po ashtu për krijimin e Asociacionit të Komunave me shumicë serbe. Po ashtu ai ka thënë se mirëpret vizitat e emisarit të BE-së për dialogun Miroslav Lajçak dhe emisarit të SHBA-së për Ballkanin Perëndimor, Gabriel Escobar. Lajçak e Escobar do të jenë sonte e nesër në Kosovë. Po ashtu do ta vizitojnë edhe Serbinë.

 

© SYRI.net

Lexo edhe:

Komentet

Shto koment

Denonco