BE: Të shpallen sa më shpejt zgjedhjet e jashtëzakonshme në veri, presim që serbët të marrin pjesë

BE: Të shpallen sa më shpejt zgjedhjet e jashtëzakonshme në veri, presim që serbët të marrin pjesë

14:55, 03/06/2023
A+ Aa A-

Bashkimi Evropian kërkoi të shtunën që Kosova t'i pezullojë menjëherë operacionet policore në afërsi të objekteve komunale në veri të Kosovës dhe që kryetarët e zgjedhur shqiptarë të kryejnë funksionin e tyre nga objekte alternative.

“Zgjedhjet e jashtëzakonshme duhet të shpallen sa më shpejt që të jetë e mundur në të katër komunat, dhe ato të organizohen në mënyrë gjithëpërfshirëse. Presim që serbët e Kosovës të marrin pjesë në to”.

Në një deklaratë të Bashkimit Evropian, të lëshuar nga kryediplomati i BE-së, Josep Borrell, dënohet dhuna që ndodhi në veri disa ditë më parë, ndërsa kërkohet që Kosova të ndërmarrë hapa për të ulur tensionet.

“Bashkimi Evropian dënon fuqishëm dhunën ndaj qytetarëve, trupave të KFOR-it, organeve të rendit dhe mediave në veri të Kosovës. Dhuna mund të evitohej dhe duhet të evitohet në të ardhmen. Bashkimi Evropian qëndron fuqishëm mbrapa misionit të KFOR-it dhe misionit të EULEX-it në përmbushjen e mandateve të tyre përkatëse”.

“Ne ftojmë të dyja palët, Kosovën dhe Serbinë që, menjëherë dhe pa kushte, të ndërmarrin masa për qetësuar situatën, të ndalin retorikën përçarëse dhe të përmbahen nga secili veprim tjetër i pakoordinuar. Qetësia duhet të kthehet urgjentisht. Bashkimi Evropian është i gatshëm të zbatojë masa të rrepta. Dështimi për t’i ulur tensionet do të rezultojë me pasoja negative”.

Sa i përket Serbisë, BE-ja, “shpreh shqetësim për vendosjen e forcave të armatosura të Serbisë në gjendjen më të lartë të gatishmërisë”.

“Bashkimi Evropian pret nga Kosova dhe Serbisa të veprojnë me përgjegjësi dhe të angazhohen menjëherë në dialogun e lehtësuar nga BE-ja, për të gjetur zgjidhje për situatën në veri, që garanton siguri dhe pjesëmarrje për të gjithë qytetarët. Diçka e tillë hap rrugë për zbatimin e Marrëveshjes për rrugën drejt normalizimit dhe aneksit. Kjo përfshin edhe nisjen, pa asnjë vonesë tjetër, dhe pa parakushte të punës për të themeluar Asociacionin e komunave me shumicë serbe”, thuhet në deklaratë.

© SYRI.net

Lexo edhe:

Komentet

Shto koment

Denonco