Lajmi i fundit

LIVE/ Qytetarët tubim në mbështetje të liderit të opozitës, Sali Berisha

Ndalohet nga Policia nënkryetari i FRPD, Arvit Bushati, reagon PD: Kjo është fytyra e vërtetë e qeverisë!

Ndalohet nga Policia nënkryetari i FRPD, Arvit Bushati, reagon PD: Kjo është fytyra e vërtetë e qeverisë!

22:13, 30/05/2023
A+ Aa A-

Nënkryetari i Forumit Rinor të PD, Arvit Bushati, është ndaluar nga Policia në Shkodër gjatë orëve të mbrëmjes. Lajmin e dha dega e PD në këtë qytet në një deklaratë urgjente, ku akuzon se shoqërimi dhe ndalimi i Bushatit është bërë vetëm nëpërmjet urdhrave politikë, një akt që tregon fytyrën e vërtetë të Qeverisë Rama dhe që mbjell pasiguri për qytetarët.

Në deklaratë, në vijim theksohet me forcë: " Partia Demokratike i bën thirrje Policisë së Shtetit dhe të gjitha strukturave ligjzbatuese të qëndrojnë larg urdhrave politikë pasi do të përballen me forcën e ligjit dhe nuk do të ketë Edi Ramë që t’i mbrojë përballë këtij skenari antiligjor!”

Deklarata e plotë e Partisë Demokratike, dega Shkodër, dhënë në orën 22:00 mbrëmjen e së martës.

“Në një kohë kur krimi po bën ligjin dhe shteti shqiptar është gjunjëzuar përpara tij, Policia e Shtetit vijon t’i bindet urdhrave politikë. Pa asnjë shkresë dhe në mënyrë abuzive është ndaluar gjatë orëve të mbrëmjes nga Policia e Shkodrës dhe është shoqëruar në komisariatin e Shkodrës, Nënkryetari i FRPD së Shqipërisë, Arvit Bushati.

Efektivët e Policisë pa asnjë shkresë, por vetëm nga urdhrat politikë të shpërndarë përmes telefonit bënë ndalimin e tij duke zgjedhur t’i nënshtrohen kërkesave absurde të eprorëve, ndërsa bëjnë sehir përpara krimit që ka mbërthyer Shkodrën duke mbjellë pasiguri për qytetarët e saj.

Kjo situatë kriminale ku për ligjin nuk pyet askush, është fytyra e vërtetë e Qeverisë Rama e cila në gjithë këto vite ka zgjedhur që të bëhet palë me të keqen.

Nuk është hera e parë që të tilla skena kryhen në Shkodër ndaj përfaqësuesve të opozitës, përmes ngjarjeve të inskenuara dhe tërësisht antiligjore, vetëm e vetëm për t’i intimiduar dhe mbajtur nën presion.

Edi Rama dhe bandat e tij me dhe pa uniformën e shtetit, por të sponsorizuara prej tij nuk do t’ia arrijnë të nënshtrojnë opozitën dhe mbështetësit e saj, përtej çdo skeme që do të tentojnë të vënë në zbatim.

Partia Demokratike i bën thirrje Policisë së Shtetit dhe të gjitha strukturave ligjzbatuese të qëndrojnë larg urdhrave politikë pasi do të përballen me forcën e ligjit dhe nuk do të ketë Edi Ramë që t’i mbrojë përballë këtij skenari antiligjor që është ngritur në këto 10 vite në vend.”

 

 

© SYRI.net

Lexo edhe:

Komentet

Shto koment

Denonco