SYRI TV/ Veliaj tërhiqet nga padia kundër Bledian Kokës, gjykata pushon çështjen

14:19, 22/05/2023
A+ Aa A-

Kryebashkiaku Erion Veliaj tërhiqet nga padia kundër gazetarit Bledian Koka dhe emisionit “Piranjat”. Veliaj dhe avokati i tij nuk u paraqitën në seancën e sotme për të mbrojtur padinë e për pasojë gjykata vendosi pushimin e çështjes. Gazetari Koka deklaroi pas seancës se Veliaj nuk kishte si qëllim padinë, por intimidimin e gazetarëve në kulmin e fushatës elektorale.

Nga SYRI TV

Erion Veliaj tërhiqet nga padia për shpifje ndaj gazetarit Bledian Koka dhe emisionit “Piranjat”, të cilën veç padisë e përdori me pompozitet gjatë fushatës elektorale.

Krebashkiaku Erion Veliaj u denoncua nga emisioni “Piranjat” për rolin e tij në aferën e inceneratorëve, bazuar kjo në intervistën që gazetari Bledian Koka i mori biznesmenit italian Gabrielle Tarroni Longhinotti.

Por, pas përfundimit të zgjedhjeve, Erion Veliaj jo që nuk vazhdoi me deklarimet publike, por u tërhoq edhe nga padia, duke mos u paraqitur në gjykatë në seancën e sotme e nuk dërgoi asnjë shpjegim për mosparaqitje.

Në mungesë të palës paditëse, gjykata çmoi tërheqjen e Veliajt dhe vendosi pushimin e çështjes. Pas seancës gazetari Bledian tha se mungesa e përballjes nga Veliaj është tregues i intimidimit të medias prej tij.

Koka: “Kjo është qartazi një tentativë për intimidimin e e medias, një taktikë elektorale e poshtër në kurriz të medias dhe të fjalës së lirë, sepse që në gjenezë u pa se çfarë qëllimi kishte kjo.

U bë gjatë fushatës, në kulmin e fushatës; u mbajt e karikuar përgjatë gjithë fushatës dhe sot, që duhet të përballeshim, kur ne kishim përgatitur bashkë me avokat Dorian Matlijan një strategji mbrojtjeje për një çmenduri juridike, sot praktikisht pala akuzuese thjesht nuk u paraqit, pa dhënë asnjë shpjegim.

Duket qartë që është një tërheqje, është një konfirmim i asaj që nuk ishte tjetër përveçse një tentativë e fëlliqur intimidimi dhe e pistë, nga njerëz që nuk bëjnë gjë tjetër përveç asaj që kanë bërë.” 

Sipas avokatit Dorian Matlija, ligji është i qartë sa i përket mosparaqitjes së palës paditëse, ndaj dhe Veliaj ka qenë i vetëdijshëm për këtë tërheqje, ndërsa ritheksoi se qëllimi nuk ishte padia por intimidimi i gazetarëve.

Por ky qëndrim i avokatit Matlia u konfirmua edhe nga vetë Erion Veliaj, i cili në sallën e gjyqit kishte dërguar një juriste të bashkisë së Tiranës, e cila do të ndiqte seancën nga afër për informacion, por jo si përfaqësuese e kryebashkiakut në proces, ndërsa avokati mbrojtës ashtu si Veliaj nuk u paraqit dhe nuk i dha asnjë shpjegim gjykatës për këtë mungesë, duke sjellë pushimin e çështjes.

© SYRI.net

Lexo edhe:

Komentet

Shto koment

Denonco