INTERVISTA/ Genc Gjokutaj: Takimi mafioz Basha - Balla përfundimisht i dha të drejtë Dr. Berishës!

INTERVISTA/ Genc Gjokutaj: Takimi mafioz Basha - Balla përfundimisht i dha të drejtë Dr. Berishës!

11:14, 11/05/2023
A+ Aa A-

Gjokutaj:  "Ky, përpara se të jetë një skandal politik, është një turp moral për ish-kryetarin e opozitës shqiptare që përfundimisht i jep të drejtë Dr. Berishës në nismën e tij për të rithemeluar PD-në.

“Unë kam bindje të përforcuar se Lulzim Basha ka dhënë dorëheqje, po nuk paska hequr dorë”

 “Ja ç’ndjenjë të krijon debati i tyre “fake” në parlament pas një takimi në parametrat e një flirti politik, po që ka tradhti brenda.”

“Lulzim Basha e ka tradhtuar partinë e vet, kurse Taulanti është në pozicionin e tij, Taulanti pret klientin.”

“Pamjet dëshmuan pse Gjykata e Apelit vendosi në atë mënyrë, pse KQZ vepron në këtë mënyrë, pse KAS-i, pse Kolegji Zgjedhor rrëzojnë në mënyrë recidive të gjithë kërkesat e opozitës.”

Avokati i njohur Genc Gjokutaj ka dhënë sot gjykimin e tij politik dhe juridik mbi video-skandalin e takimit të fshehtë të Lulzim Bashës (ish-kryetarit të PD dhe opozitës) me Taulant Ballën (kreun e Grupit parlamentar të PS) në një apartament në Tiranë më 3 dhjetor 2022, publikuar në emisionin “Çim Peka LIVE”.

Ndiqni intervistën e z. Gjokutaj me gazetarët Flavio Qarri dhe Ola Bregu në emisionin e mëngjesit “Kafe Shqeto” në SYRI TV.

Kafe Shqeto: Z. Gjokutaj, çfarë dëshmon videoja e publikuar ditën e djeshme për takimin e 3 dhjetorit midis Bashës dhe Ballës?

Genc Gjokutaj: Ajo më shumë se dëshmon, konfirmon atë që ne kemi thënë në krye të herës, flirtin, shitjen që Lulzim Basha i ka bërë opozitës shqiptare. Boll të shikoni, edhe një njeri me një arsim bazik e kupton që takimet e fshehta nuk janë takime  në dobi të një politike. Takimet e fshehta edhe në historinë botërore kanë qenë takime që kanë përfunduar nëpër gjyqe; merrni rastin e sagës së senatorit italian Andreotti me Balduccio Di Maggio në një kështjellë, larg, fshehur. Është bërë një proces i tërë.

Kafe Shqeto: Për 25 vite e ka përndjekur ajo akuzë.

Genc Gjokutaj: Pikërisht. Takime të këtij lloji janë takime fiks të tipit mafioz, atje nuk prodhohet politikë. Atje prodhohet biznes, atje prodhohet krim, atje montohen skenarë. Kështu që ky takim konfirmon tej çdo dyshimi që Lulzim Basha, në rrugën e tij të groposjes së opozitës dhe të të bërit “fake opozitë”, duke marrë përsipër të eliminojë opozitën e vërtetë, ka vajtur në një banesë dhe ka realizuar atë takim. Është shumë interesante; unë nuk mendoj se ky është takimi i vetëm, është një nga episodet e filmuara, të dokumentuara sepse mendoj se në çdo moment që ka pasur nevojë, ata janë takuar dhe kanë bërë marrëveshjen e radhës. Kjo është komentuar gjerë. Ky, përpara se të jetë një skandal politik, është një turp moral për ish-kryetarin e opozitës shqiptare që përfundimisht i jep të drejtë Dr. Berishës në nismën e tij për të rithemeluar Partinë Demokratike dhe për të pastruar atë nga fytyra dhe figura si ato që pamë mbrëmë.

Kafe Shqeto: Çfarë ndodh tani me kauzën e grupit Basha - Alibeaj? Ky “amerikanizmi” i tyre i hekurt, që nuk u thye nën asnjë thirrje për asnjë arsye nga ana e demokratëve, nga ana e grupit parlamentar, nga ana e z. Berisha?

Genc Gjokutaj: Ju e shikoni, kjo pornografi politike që pamë mbrëmë, vënë në kontekst me gjithë atë apologji që Lulzim Basha ka bërë për euro-atlantizmin dhe për proamerikanizmin...

Kafe Shqeto: Dhe për faktin që ishte ai që e akuzonte z. Berisha se ishte ai bashkëpunëtor i Ramës

Genc Gjokutaj: Pikërisht, se me histori hajduti ka bërtitur “kapeni hajdutin”! Kjo shkon tamam, se e vërteta vonon, po nuk harron. Që të takohen politikanët shqiptarë janë shpenzuar orë dhe ditë të tëra nga diplomatë të huaj dhe ne e dëshirojmë këtë, por jo te një lokal ku e zonja është votuar nga këta! Fshehurazi! Kur ka të dhëna që s’duhen bërë publike, edhe gjykata e bën gjyqin me dyer të mbyllura, po sigurisht që jo në banesa private. Unë mendoj se ne mbrëmë nuk pamë Alibeajn, por pamë autorizuesin e tij dhe mendoj se duke iu referuar kohës, sepse koinçidon edhe me shembjen e “Prestigje” se në datën 3 u shemb dhe ai dhe besoj se do ta kenë biseduar këta të dy, se këta janë shumë të ndjeshëm...

Kafe Shqeto: Njerëz shumë të afërt të pronarit të “Prestigje”, të dy...

Genc Gjokutaj. Pikërisht dhe mendoj se ndoshta edhe ajo mund t’i ketë mbledhur. Kanë ndërruar ndonjë duhan. Mendoj se tashmë karta morale e Lulzim Bashës është djegur. Sigurisht në një vend si Shqipëria - ku gënjeshtarit, në vend që t’i ulen kreditit, i dyfishohen ose njerëzve që iu dalin të dhëna diskredituese, i përdorin ato në favorin e tyre - do të presim dhe do të shikojmë. Por ajo që unë e kam bindje dhe nuk i tërhiqem kësaj bindjeje, tashmë të përforcuar që nga mbrëmë, është fakti që Lulzim Basha ka dhënë dorëheqje, po nuk paska hequr dorë dhe takimi me Taulant Ballën 5 muaj përpara tregon që ai do të rishfaqet shpejt në politikë.

Mendoj se ky takim i shërben vetëm pazareve që kanë bërë me njeri-tjetrin (edhe me gjykatën po të doni e gjithë të tjerët) po e gjithë kjo sagë është që mazhorancës t’i dalë përballë “dashnorja” e tyre, Lulzim Basha pasi u bënë disa muaj që ata nuk po kombinojnë mirë me këtë punë.

Por, proceset që po vijojnë, nuk do ta lejojnë Lulzim Bashën të vazhdojë me këto lloj mekanizmash. Ai tashmë është i kapur në gardhin apo kopshtin më të qelbur të politikës shqiptare.

Ai është i larguar jo pse e them unë, e thonë disa njerëz, atë nuk e pranon më elektorati demokrat dhe ju shikoni se çfarë ndjenje të krijon debati i tyre “fake” në parlament pas një takimi i cili ka parametrat e një flirti politik, po që ka tradhti brenda. ka tradhti brenda, sepse ky ka tradhtuar partinë e vet. Taulanti është në pozicionin e tij, Taulanti pret klientin e tij.

Kafe Shqeto: Si në fushatë, presin dikë për të shitur votën.

Genc Gjokutaj: Këtu përgjegjësia është e Lulzim Bashës, i cili, u bë gati dy vjet, që po e lodh elektoratin  demokrat me diskurin e  tij dhe pasardhësit e tij, që pas takimeve, kthehen në oborr, marrin makinat dhe shkojnë të luftojnë “berishizmin”.

Kafe Shqeto:  Dua të ndalëm në aspektin ligjor tani për këtë çështjeje. Nga ana e autoriteteve belge  ka pasur gjithmonë kërkesa për të marrë një përgjigje nga z. Basha.  Çfarë interesi përbën tani, kjo video e transmetuar për herë të parë dje, për autoritetet belge?

Genc Gjookutaj: Ne kemi bërë një emision te “Çim Peka LIVE” në lidhje me këtë argument muaj më parë . Unë e kam thënë, pa u shfaqur kjo video që Letër-porosia e belgëve e paekzekutuar në Shqipëri, është penguar  nga Ministria e Drejtësisë me porosi të Ramës, sepse nuk ka mundësi. Sepse funksionon kështu: Letër-porosia vjen nëpërmjet Ministrisë sonë të Drejtësisë. Fakti është që ajo Letër-porosi kishte të bënte me fletë-thirrjen e Lulzim Bashës pranë autoriteteve belge. Nëse e mbani mend, prokurorët belgë kanë ardhur këtu pas disa thirrjeve që nuk kishin komunikuar dhe i kanë thënë z. Basha shprehimisht “Zotëri, herën tjetër duhet të vish me avokat”, sepse Lulzim Basha ka dekonspiruar një operacion policor në kryerje e sipër, sipas tyre, dhe këto letër-porosi janë bllokuar në Ministrinë e Drejtësisë dhe nuk kanë vajtur.

Ato shkojnë në prokurori dhe prokuroria realizon njoftimin e tij për të shkuar në datën dhe orën që ka caktuar prokuroria belge. Ky njoftim nuk mund të realizohet, pa një vullnet shtetëror. Kështu që ne e kemi ditur këtë pjesë që pengesa e letër-porosisë ka qenë me urdhër politik të Ramës, i cili është kujdesur gjatë gjithë kohës që Lulzim Basha të mos ketë konsekuenca ligjore. Kjo është absolutisht se nga mënyra se si është vepruar dhe nga rruga që kanë ndjekur aktet, po marr specifikisht për rastin e Belgjikës,  aty del krejt qartë që Lulzim Basha ka pasur mbrojtje të posaçme nga ana e shtetit, posaçërisht e kryeministrit Rama.

Ju duhet të dini pastaj që jo vetëm kjo histori, po merrni historinë e 8 janarit, ku furgonët e Policisë shkojnë me thirrjen që kishte bërë Lulzim Basha, për të mbrojtur kryetarin e opozitës nga partia e tij!!! Këto kanë qenë pamje të drejtpërdrejta kështu që herë pas here, Luzim Basha, pavarësisht se është kujdesur edhe me regjinë e Edi Ramës ta fshehë këtë thikë pas shpine ndaj demokratëve, ka pasur momente që kanë qenë të dekriptueshme dhe  e kanë dhënë mesazhin e tyre që ky kryetar opozite apo ish-kryetar opozite ka flirtuar në mënyrë sistematike me pushtetin dhe posaçërisht me Edi Ramën me qëllim që të shkatërrojë opozitën. Shkatërrimi i opozitës dhe jo gara - është tipari i këtij kryeministri. Duke pasur këtë tipar, duke mos njohur garën, automatikisht ai ka zgjedhur rrugën e blerjes së opozitës dhe kush më mirë se Luli mund të jetë në tezgën e politikës me karton jeshil?!

Kafe Shqeto: I çoni një mesazh Lulzim Bashës që ta ketë kur të zgjohet. Cili është teksti?

Genc Gjokutaj: Mesazhin ai e ka marrë që dje. Nuk mund t’i çohet më mesazh, sepse Basha është në kushtet e parikuperueshmërisë tashmë. Unë, në vend të mesazhit, dua të shpjegoj diçka. Sekuencat e mbrëmshme dëshmuan dhe dekriptuan pse Gjykata e Apelit vendosi në atë mënyrë. Ato sqaruan përse KQZ vepron në këtë mënyrës, pse KAS-i, pse Kolegji Zgjedhor rrëzojnë në mënyrë recidive të gjithë kërkesat e opozitës. Pra, ky është dëmi kolosal dhe “kafeja e zezë” për Shqipërinë që kanë përgatitur këta dy personazhe dhe të tjerë që janë prapa kuintave, sepse këta janë dy përfaqësues, por kanë taborët nga mbrapa. 

Po sigurisht çdo e keqe e ka një të mirë. Unë mendoj se demokratët sot janë gdhirë më të qartë më të bindur se kurrë se kush është “zorra qorre” te PD-ja, që ashtu si Edi Rama e hoqi në spital, PD-ja duhet ta heqë aty në terren./ar.sh/SYRI.NET

© SYRI.net

Lexo edhe:

Komentet

Koli11/05/2023 12:12

Po qe ky takim i organizuar per tu takuar fshehurazi flet vete per pisllekun qe prcjell se po te ishte i paster sigurisht qe zhvillohej ne te tjera kushte , ambiente etje , po çfare pret nga brilantina dhe nga kumbari i puneve te pista te ps qe ka mbetur

Shto koment

Denonco