SYRI TV/ Takimi sekret Balla-Basha dëshmon pengmarrjen e siglës së PD

09:38, 11/05/2023
A+ Aa A-

Në emisionin Çim Peka Live u publikua video ekskluzive e takimit mes ish-kreut të Partisë Demokratike, Lulzim Basha dhe kryetarit të grupit parlamentar të Partisë Socialiste, Taulant Balla. Takimi i fshehtë mes tyre është zhvilluar mbrëmjen e 3 dhjetorit të vitit të kaluar në banesën e njërës prej bashkëpunëtoreve të ngushta të Lulzim Bashës. Takimi i fshehtë Basha-Balla u zhvillua në një kohë kur opozita përgatitej për zgjedhjet lokale, ndërsa Gjykata e Apelit do të vendoste 3 muaj pas këtij takimi marrjen peng të logos së Partisë Demokratike

Në emisionin Çim Peka Live u transmetua mbrëmjen e së merkurës një video ekskluzive e takimit të fshehtë mes ish-kryetarit të Partisë Demokratike, Lulzim Basha dhe kreut të grupit parlamentar socialist, Taulant Balla.

Takimi është zhvilluar në datën 3 dhjetor të vitit të kaluar në banesën e një prej bashkëpunëtoreve të ngushta të Lulzim Bashës, e cila për ironi, disa muaj para këtij takimi, ishte zgjedhur me votat e mazhorancës dhe opozitës në një funksion të rëndësishëm publik.

Siç shihet në videon e siguruar nga Syri Televizion, i pari që ka mbërritur në vendin e takimit është Lulzim Basha, i cili nuk udhëtonte me makinën personale, por me atë të bashkëpunëtores së tij të ngushtë. 

Pak minuta më pas, ekzaktësisht në orën 18.27 minuta të mbrëmjes së 3 dhjetorit, në të njëjtin vend mbërrin edhe kryetari i grupit parlamentar të Partisë Socialiste, Taulant Balla.

Kamerat tregojnë se takimi mes Lulzim Bashës dhe Taulant Ballës ka zgjatur plot 60 minuta. I pari që është larguar nga takimi është Taulant Balla. 

Disa minuta pas Ballës, ka dalë nga banesa edhe Lulzim Basha.

Ndonëse takimet e fshehta mes Bashës dhe Ballës janë mohuar vazhdimisht, provat e publikuara në emisionin Çim Peka Live faktojnë se si Lulzim Basha, ndryshe nga sa artikulonte publikisht, takohej në fshehtësi me Taulant Ballën, rivalin kryesor politik, të cilin e akuzonte për lidhje me bandat. Këto prova dëshmojnë shumë lidhur me pengmarrjen e opozitës përmes pazareve, milionat e tenderave për njerëzit pranë Lulzim Bashës e deri te dosja ‘Toyota Yaris’, subjekt hetimi i drejtësisë belge.

Takimi i fshehtë Basha-Balla u zhvillua në një kohë, kur opozita përgatitej për zgjedhjet lokale, ndërsa Gjykata e Apelit do të vendoste 3 muaj pas këtij takimi okult marrjen peng të logos së PD, për të rivalizuar kandidatët demokrat në këto zgjedhje, me të komanduarit nga Enkelejd Alibeaj.

© SYRI.net

Lexo edhe:

Komentet

Shto koment

Denonco